22 shkurti ’91, kur deputetët e gjeneralët e sotëm mbronin Enverin

Kryesore Opinion

Rrëzimi i shtatores së diktatorit Hoxha, nga sheshi “Skënderbej” në Tiranë është një ngjarje që, për ne shqiptarët kulmon si një moment historik i paharrueshëm.

Azem Parllaku  /  Shtatorja e Enver Hoxhës njeriut që, për më tepër se 45-vjet kishte drejtuar dhe qeverisur Shqipërinë, u shtri rrugëve të Tiranës, duke u tërhequr zvarrë nga po ata njerëz që, vite më parë e kishin duartrokitur. Askush nuk mundi t’a ndalte atë çast. Por, një ndryshim i tillë dhe kaq drastik, që do të sillte shndërrimin e të gjithë sistemit politik në vend, nuk mund të konceptohej njëlloj nga të gjithë qytetarët. Shqipëria ishte përballë një ballafaqimi serioz, i cili mund ta çonte në një luftë të pakontrolluar civile. Lëvizja më e rrezikshme ishte ajo e nisur në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, që mbante emrin e Hoxhës.

Të gjithë pa përjashtim, gjeneralët e sotëm të Ushtrisë, deputetët ish-ushtarakë, madje edhe Nishani, ishin aty, kur u krijua “Komisioni nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”, i cili u bëri thirrje partive politike, Presidentit e popullit shqiptar, duke kërkuar vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës.

Vendosja e bustit të Enverit që, do të zëvendësonte monumentin e bronztë në qendër të Tiranës, vlerësohej si shprehje e besnikërisë për diktatorin dhe partinë e tij. Qindra ish-studentë ushtarakë të frymëzuar nga trupa e pedagogëve të tyre, disa prej të cilëve sot deputetë e gjeneralë, u armatosën dhe ishin të gatshëm t’a merrnin shtatoren e Hoxhës që, ndodhej në  oborrin e kësaj shkolle për t’a vendosur aty në sheshin “Skënderbej”.

Në ngjarjet e Shkollës së Bashkuar, u përfshinë edhe Akademia Ushtarake e Shkolla e Mesme Ushtarake ‘Skënderbej”. Me institucionet e arsimimit ushtarak, u solidarizuan pothuaj të gjitha strukturat e mbrojtjes së asaj kohe. Ende deri sot, askush nga ish-drejtuesit e lartë komisarë e komandantë të kohës, nuk ka folur në lidhje me planet e “puçshtetit” të shkurtit ’91.

Në planet ogurzeza të atij shkurti, ishte provokimi i studentëve ushtarakë, si kundërpërgjigje ndaj studentëve të Universitetit të Tiranës, sipas një skenari të sofistikuar, fundi i të cilit do të ishte i përlyer rëndë me gjak. Vetëm një muaj e gjysmë më parë, ishte tentuar që, studentët e shkollave ushtarake të përdoreshin për të mbajtur në rrethim “Qytetin Studenti”, një tentativë kjo të cilën studentët nën uniformë e injoruan.

Në pasditen e 20 shkurtit, postoblloqet e shkollave ushtarake u mbyllën, ç’ka nënkuptonte shkëputjen e kontaktit me rrugët e Tiranës, në të cilat festohej pas rrëzimit të shtatores së Enverit. Në orët e mbrëmjes, kur dhe u pa që, studentët nuk ishin të shqetësuar për çfarë kishte ndodhur, çuditërisht edhe pse garnizoni ushtarak ruhej me roje të armatosur, në sheshin e Akademisë Ushtarake, ku ishte vendosur busti i Hoxhës, u shtuan “rojtarët vullnetarë”. Ndërkohë, atë natë ndryshe nga zakonisht nga qendra e zërit transmetoheshin këngë e marshe të përzgjedhura.

Në mëngjesin e datës 21 shkurt, në kohën kur do të bëhej shpërndarja për fillimin e proçesit mësimor komisari i Shkollës duke derdhur lot, u është drejtuar studentëve me thirrjet “Komandantin e rrëzuan”, “Shtatoren e Enverit e rrëzuan, por ai është i pavdekshëm”, etj. Pikërisht në këtë moment, një grup i organizuar i studentëve të vitit të tretë, ka shpërthyer në brohoritjen “Shqipëri-Enver jemi gati kurdoherë”. Sigurisht që, një thirrje e tillë e padëgjuar më parë nuk ishte spontane. Ndërsa studentët kanë shkuar në sallat mësimore, pjesa më e madhe e trupës së pedagogëve nuk i është bashkëngjitur atyre. Duke përfituar nga mungesa e pedagogëve, studentët kanë lënë sallat e mësimit dhe janë lëshuar në grupe drejt sheshit qëndror të shkollës. Më vonë u mësua se, pedagogët dhe komanduesit e shkollës ndanin qëndrime të ndryshme në lidhje me situatën, çarje kjo që, u reflektua dhe në masën e studentëve.

Ajo ç’ka ka qenë befasuese në ato orët e paradites, ishte armatosja e kursantëve oficerë të Akademisë së Mbrojtjes. Duhet pranuar që kursantët në fjalë oficerë të karrierës, ishin të zgjedhurit e privilegjuar, të cilëve pas kursit akademik u rezervoheshin postet drejtuese të fushës së Mbrojtjes. Armatosja e kursantëve u justifikua, si vetmbrojtje mbasi: “qytetarët e Tiranës, kishin planifikuar të sulmonin Akademinë Ushtarake, për të hequr që andej shtatoren e Enver Hoxhës”. Pas armatosjes së oficerëve të Akademisë, është kërkuar që, të armatoseshin edhe studentët e Shkollës së Bashkuar. Shpërndarja e armatimit ka vazhduar deri në orët e para të pasdites, ndërsa nuk kanë pranuar të armatosen një pjesë e konsiderueshme e studentëve të vitit të dytë, në Fakultetin Gjithëarmësh.

Drejtuesi i atëhershëm i vendit Ramiz Alia përpiqej të gjente zgjidhje në një situatë të atillë, me 22 shkurt, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve po ndodhte armatosja me urdhër e studentëve një dukuri kjo e paparashikuar, që krijoi pështjellim te jashtëzakonshëm për të gjithë. Oficerët, jo studentët e shkollave ushtarake u ngritën kundër heqjes së monumentit të diktatorit në sheshin “Skënderbej”. Ata madje guxuan të kërkonim rivendosjen e tij, duke i’u drejtuar vetë Ramiz Alisë, si përgjegjës dhe fajtor që nuk arriti t’a mbronte monumentin.

Tashmë, situata në garnizonin e shkollave ushtarake po bëhej e paparashikueshme. Oficerë e studentë të armatosur u ngjitën në tarracat e godinave ushtarake, duke terrorizuar jo pak, edhe banorët e lagjes. Oratorë të ndryshëm rrokën mikrofonat, duke bërë thirrje se, pikërisht duhet të ishin ushtarakët, ata që duhet të merrnin në dorë fatet e Shqipërisë së atyre ditëve. Çdo pesë minuta lexoheshin telegrame, për të cilat thuhej se vinin nga katër anët e vendit, e dërguesit e tyre ishin solidarizuar me veprimet e studentëve dhe oficerëve të shkollave ushtarake.

Kursantët e Akademisë Ushtarake shpallën edhe një komision të quajtur “Komisioni nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”, e përmes një peticioni drejtuar presidentit, partive politike dhe mbarë popullit, kërkonin mbajtjen e një referendumi për rivlerësimin e figurës së Enver Hoxhës. Nuk mungonin zërat se qeveria e asaj kohe ishte në anën e oficerëve dhe studentëve ushtarakë, e po të ishte e nevojshme, pse jo dhe do të urdhëronte një grusht shteti, në përpjekje për të qëndruar ende në fuqi

Në pasditen e 22 shkurtit një grup studentësh kishin mundur të krijonin një kontakt me qytetarë dhe eksponentë opozitarë të politikës në afërsi të Shkollës 9-vjeçare Bajram Curri, e më vonë edhe në zonën e quajtur “Oxhaku i Shkollës së Bashkuar”. Studentët e këtyre takimeve, u pikasën dhe në ditët në vijim, ata u anatemuan dhe mbaheshin pandërprerë nën mbykqyrje, përmes masave shtërnguese. Pati në atë kohë edhe studentë dhe skënderbegas, të cilët i ndërprenë studimet me dëshirën e tyre.

Në mbrëmje pati një takim mes përfaqësuesve të partive politike dhe ushtarakëve, i cili u zhvillua i ashpër, në ndërkohë që, një grup studentësh kish sekuestruar kamerën e RTSH-së, e i kishte bërë presion ekipit që kishte ardhur nga televizioni. Situata u përkeqësua edhe më tej, kur qarkulloi informacioni se, garnizoni i shkollave ushtarake pritej të vihej nën rrethim nga ana e qytetarëve dhe studentëve të Universitetit të Tiranës, të cilët dy ditë më parë e kishin tërhequr zvarrë bustin e diktatorit.

Në fakt edhe brenda Shkollës së Bashkuar nuk kishte një mendim të unifikuar, në lidhje me çfarë po ndodhte. Një pjesë e studentëve thurnin planin për aksionin e heqjes së shtatores së Hoxhës nga ambientet e Akademisë. Grupi i studentëve në fjalë donte t’a kryente vetë këtë akt, pa përfshirë civilët e lagjes, pasi i druhej konfrontimit të këtyre të fundit me pjesën e studentëve ekstremistë. Gjatë këtyre takimeve u është kërkuar drejtuesve të grupimeve civile të mos tentonin të futeshin në garnizonin, mbasi një veprim i tillë konsiderohej si sulm ndaj objekteve ushtarake, e rrjedhimisht do të sillte reagimin nga ana e studentëve të armatosur. Brenda dy ditësh situata është marrë në dorë nga drejtuesit e lartë të Mbrojtjes, të cilët, u kanë thënë oficerëve dhe studentëve të vetpërmbaheshin, mbasi rreth pikave të peticionit, po diskutohej me nomeklaturën e lartë qeverisëse.

Teksa numri i studentëve të cilët kërkonin heqjen e shtatores së diktatorit, po bëhej gjithnjë e më i madh, drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, e konsideruan  këtë ngjarje si, thyerje të hapur të rregullores ushtarake, e cila në asnjë mënyrë nuk lejonte tubime kolektive dhe aq më tepër në ambientet e brendshme të shkollës.

Kiço Mustaqi ish-Ministër i Mbrojtjes, ka pohuar se ka urdhëruar që në asnjë mënyrë, nuk duhej që studentët të dilnin jashtë garnizonit të shkollave. Ushtria ishte edukuar që ta donte popullin dhe gjithashtu, edhe ajo e priste ndryshimin, madje e pranoi atë. Nëse studentët ushtarakë, do të kishin dalë nga ambientet  e shkollës, me siguri do të ishte një katastrofë. Mustaqi fajëson Ramiz Alinë teksa i është referuar atyre ditëve; “Unë as sot e kësaj dite nuk e kuptoj urdhrin për të mobilizuar 15 brigadat që do të marshonin drejt Tiranës. Ashtu sikurse u urdhërua për shumë kompani të specializuara që, erdhën në Tiranë pa asnjë qëllim e objektiv e pastaj u kthyen. Për këto të fundit ekzistojnë urdhra të arkivuar. Të tillë urdhra e lëvizje ushtarake nuk vlejnë as për veprime demonstrative e psikologjike, por ato, ama, vlejnë për të akuzuar”.

Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Halim Habazaj, është shprehur se; “Në orën 21:00 të mbrëmjes thirra Komandantin e Shkollës, Komandantin e Akademisë, Drejtorin e Drejtorisë së Xhenios dhe komandantin e Regjimentit të Fortifikimit në Ministri. U dhashë urdhër t’a hiqnin monumentin, t’a largonin dhe të shmangnin ndonjë incident provokativ. Për çudinë time, të nesërmen në mëngjes busti ishte në vend”. Ato ditë Ministër i Mbrojtjes u emërua, Perikli Teta. Si Komandant i Akademisë Habazaj i ka kërkuar Ministrit heqjen e bustit dhe ai ka pranuar. Busti është hequr me shumë lehtësi gjatë natës, duke i zbërthyer vidat që e mbanin dhe eshtë dërguar në një prej magazinave të ushtrisë. Në mëngjes nuk pati asnjë reagim dhe gjithçka u mbyll me aq.

Ata që, konsiderohen si pjestarët dhe mbështetësit e “Komisionit nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”, shpresonin që studentët ushtarakë të dilnin jashtë mureve. Thirrjet për të çuar shtatoren e diktatorit në sheshin “Skënderbej”, do të thotë të kërkosh gjakderdhje, ndërsa thirrjet për të sulmuar institucionet shtetërore, do të thotë puçshtet.

Studentët ushtarakë u treguan gjakftohtë edhe pse, përmbajtja e thirrjes së “Komisionit nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”, tingëllonte si ultimatum dhe pati njerëz që kur u njohën me përmbajtjen e saj, menduan të tmerruar se vendi po kërcënohej realisht me puç ushtarak.

Peticioni

“Efektivi i shkollave ushtarake Tiranë, bij të punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve të ndershëm, të shqetësuar seriozisht dhe të indinjuar thellë nga veprimet kriminale dhe forcave të errëta, ndaj të cilëve partitë politike dhe shoqatat e ndryshme me deklarata janë distancuar prej tyre publikisht, por fatkeqësisht jashtë dëshirës dhe kërkesave të panumërta të popullit shqiptar, gjendja në vend jo vetëm nuk po qetësohet, por keqësohet gjithnjë e më shumë, ndaj kërkojmë;

1.Figura e Enver Hoxhës të vendoset menjëherë me anën e një referendumi mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohet ashtu siç e do populli.

2.Në kushte e demokratizimit të mëtejshëm të vendit dhe të pluralizmit politik, kërkojmë departizimin e ushtrisë.

3.Kërkojmë që figura e ushtarakut të mbrohet me ligj, ajo të jetë e paprekshme.

4.Të zbatohet me rreptësi ligji për mbrojtjen e objekteve që kanë vlera ekonomike, sociale, kulturore, historike, që janë ndërtuar me gjakun dhe djersën e popullit.

5.Kërkojmë që sot, më datën 22.2 1991, ora 17.00 përfaqësues të Presidiumit, të partive politike, të Ministrive të Mbrojtjes e të Punëve të Brendshme, si dhe të mjeteve të propagandës, Radiotelevizionit, organeve të shtypit të takohen me studentët dhe kuadrot e shkollave ushtarake. Takimi do të bëhet në sheshin e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”.

6.Radio-Televizioni të kalojë nën drejtimin e Këshillit Presidencial dhe të japë informacion të plotë për gjendjen në shkallë vendi dhe jo vetëm për ato çka zhvillohen në Tiranë.

7.Efektivat e shkollave ushtarake në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha  partive politike, organizatave dhe subjekteve të ndryshme të largohen  nga fjalët e deklaratat e mëdha dhe të ulen me masat e popullit për t’u siguruar atyre qetësinë dhe stabilitetin në vend, për t’i ndërgjegjësuar me qëllim që të kapërcehet pa dhimbje e gjak situata e rëndë që është krijuar.