“33 % e shqiptarëve dhe 53 % e biznesit jetojnë me borxh”

695

borxhi 2

Një e treta e shqiptarëve kanë hyrë në borxh me bankat duke marrë kredi dhe duke mos i shlyer ato brenda afatit të caktuar. Kjo vërtetohet edhe nga të dhënat e fundit të raportit të Bankës së Shqipërisë, në të cili theksohet se 33 % e shqiptarëve kanë një kredi të pashlyer. Niveli i kredive të këqija është rritur në 6-mujorin e dytë të vitit 2012, duke kapur nivelin 24.5 %, ndërsa e përkthyer në vlerë monetare vlera e kredive të marra nga shqiptarët llogaritet në shumën e 674 miliardë lekëve.

Raporti

E gjitha kjo situatë tregon qartë se përkeqësimi i ekonomisë ka prekur edhe sektorin bankar. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë mbi Stabilitetin Financiar për 6 mujorin e dytë 2012, kredia me probleme është rritur duke shkuar në 24.5 % nga 23.5% dhe huadhënia ka pasur kushte më të rrepta shtrënguese. Mungesa e likuiditetit i ka diktuar biznesit nevojën për të marrë kredi për shpenzime koherente, për të paguar paga, siguracione apo shpenzime të tjera të domosdoshme. Sipas raportit nga totali i kredisë së marrë nga biznesi 37.3 % e saj është kredi për shpenzime kohrente dhe 30.2 % është kredi për investime.

Për 63.7 % të kredisë biznesi ka lënë si kolateral pasuri të paluajtshme. Ndërkaq nga vrojtimi i BSH-së në 727 biznese të mëdha, 83.7 % e tyre kanë deklaruar se nuk do të marrin kredi vitin që vjen. Afro 53.6 % e biznesit të pyetur pohojnë se kanë një hua për të shlyer. Biznesi ka depozituar në banka më pak para si depozita, se sa niveli i huas që ka tërhequr, duke krijuar një debi prej 288.4 miliardë lekë ndaj sistemit bankar. Nga ana tjetër edhe kredia për individët është ulur në këtë periudhë.

Individët

Shumica e individëve kanë marrë hua për të blerë pasuri të paluajtshme, çmimet e së cilës në 2012-ën rezultojnë më të ulëta. Vrojtimi mbi 1210 individë në 16 rrethe, nxjerr në pah se 33 %  e tyre kanë deklaruar se kanë një hua për të paguar. Burimi i huamarrjes për 54 % të këtyre individëve është informal, çka do të thotë se kanë marrë para borxh tek njëri-tjetri. Kredia e marrë nga individët është në vlerën 674.3 miliardë lekëve. Vihet re se kredia e individëve është afatgjatë në 79 % të saj. Për sa i përket nivelit të depozitave ato janë rritur, por rritmi i rritjes është më i ulët se 6 mujori i parë. Depozitat u rritën me 3.1 %. Depozitat janë në valutë dhe ne lekë në nivele thuajse të njëjta, secila 500 miliardë lekë.

–          24.5 % është rritur niveli i kredive të këqija për 6-mujorin e dytë të vitit 2012

–          37.3 % e kredisë së biznesit është marrë për shpenzime koherente dhe 30.2 % është kredi për investime

–          33 %  e shqiptarëve kanë deklaruar gjatë një sondazhi se kanë një hua për të paguar

–          674.3 miliardë lekë është shuma e kredisë së marrë nga individët. Ndërsa niveli i depozitave është rritur, por me një ritëm më të ulët se 6 mujori i parë i 2012-ës

–          53.6 % e biznesit të pyetur pohojnë se kanë një hua për të shlyer, ndërsa 83 % e tyre thonë se nuk do të marrin kredi vitin që vjen