Alarmante: Shqiptarët renditen të 4-t në botë për t’u larguar nga vendi i tyre

Aktualitet

Shqiptarët renditen të 4-t në botë për t’u larguar nga vendi i tyre. Kjo e dhënë është publikuar nga kompania e sondazheve Gallup, sipas së cilës Shqipëria renditet pas dy vendeve afrikane Sierra Leone dhe Liberia, si dhe shteti i shkatërruar i Haitit.

Sipas të dhënave të fundit të kësaj kompanie të njohur të sondazheve, 1.7 milionë shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi.

Pra, plot 60 për qind e popullsisë do të braktiste përfundimisht Shqipërinë, nëse do të kishin mundësi. Sipas Gallup, kjo e bën Shqipërinë vendin e katërt në botë me prirjen më të lartë për emigracion. Më keq renditen vetëm dy republika afrikane, Sierra Leone dhe Liberia, si dhe shteti i shkatërruar i Haitit, tre vende ku niveli i varfërisë luhatet nga 54 deri në 70 për qind.

Sipas përllogaritjeve të shprehura në numër popullsie, nga 2.87 milionë banorë, që ka aktualisht Shqipëria, 1.7 milionë duan të largohen jashtë vendit për një jetesë më të mirë. Kjo është një shifër alarmante, duke pasur parasysh se është shumë më e lartë, madje edhe se e vendeve të përfshira në luftëra civile. Shqiptarët e pyetur janë shprehur se shkaku kryesor që duan të ikin përgjithnjë nga vendi është ekonomia, por edhe mungesa e shërbimeve publike.

Ky është një fenomen, i cili kërcënon të ardhmen e ekonomisë, duke shqetësuar edhe institucionet ndërkombëtare. Në misionin e fundit në Tiranë, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se Shqipëria ka nevojë për rritje më të lartë ekonomike dhe investime në sektorët prioritarë si arsimi dhe shëndetësia për të zbutur prirjen e popullsisë për të emigruar. Por shqiptarët duket se tashmë nuk po e projektojnë të ardhmen në vendin e tyre.

Të dhënat e publikuara nga sondazhi i Gallup

Madje, së fundmi, po largohen edhe individë me rroga të larta, të cilët janë të pakënaqur me shumë faktorë në vend, përfshirë këtu shërbimet publike, pasiguria e rendit e mjaft faktorë të tjerë socialë, që ndikojnë në mirëqenien e tyre familjare. Që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin më 1991-n, më shumë se 1.4 milionë shqiptarë, gati gjysma e popullsisë aktuale e vendit ka emigruar kryesisht në Italinë fqinje dhe Greqi dhe më pak në Britani, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndërkaq, rreth 65 mijë shqiptarë kërkuan azil në Gjermani në vitet 2015-2016. Shumica e tyre u refuzuan pasi ky vend filloi të mirëpriste sirianët që iknin nga lufta. Së fundmi, Gjermania ka mirëpritur mjekët dhe infermierët, gati të gjithë të diplomuarit e rinj, ku po vërehet një eksod i bluzave të bardha.