Alarm/Po rrënohet sistemi pluralist…

Kryesore Politika
Nga Kastriot Islami /
Blerja e votave dhe kërcënimi i votuesve janë dy dukuri që janë përmendur në dy raportet e fundit të OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 2013 dhe 2017 në Shqipëri.
Në zgjedhjet e 2009 dy partitë kryesore, PS dhe PD, ishin në pozita pothuajse të barabarta, me përkatësisht 40,85 përqind të votave dhe 40,18 përqind të votave, pra me një diferencë të papërfillshme mes tyre prej 0,67 përqind të votave. Dy forcat kryesore politike, PS dhe PD garantonin një ekulibër politik të arsyeshëm. Ndonëse me probleme, sistemi politik pluralist funksiononte duke pasur një parti “king maker” dhe ruajtur një ballancë mes maxhorancës e opozitës. Por në 2013 Rama me ndihmën e LSI i jep goditjen e parë të fortë pluralizimit. Në 2017, Rama përdor PD, për ti dhënë goditjen fatale pluralizmit. Do të ishte gabim historik nëse Ramës, pra vetëm një individi, do ti jepej gjatë këtij mandati “mbështetja kushtetuese” për të konsoliduar sistemin e maskuar “monist”, autoritar, oligarkik dhe të centralizuar.
1. Goditja e parë e fortë ndaj pluralizimit jepet në 2013…
Në zgjedhjet e vitit 2013, PD vinte pas 8 vitesh të drejtimit të qeverisjes së vendit dhe kishte argumenta të pranueshëm për “qarkullimin e pushtetit” por dimensioni i “rrudhjes” së PD do të ishte përtej logjikës politike dhe vinte kryesisht për shkak të përdorimit të i) “forcës” kërcënuese të individëve me rekorde kriminale; dhe ii) përdorimit masiv e eksesiv të parave të dyshimta për blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve. Natyrisht një rol jo të vogël në prishjen e ballancës politike përmes “rrudhjes” së konsiderueshme të opozitës, do të kishte edhe LSI, e cila mund të thuhet se pranoi me naivitet (LSI tani që ka dalë në opozitë e ka pranuar këtë gabim) “të përdorej” nga Rama për të “rrënuar” PD, por që në realitet i kishte dhënë goditjen e parë dërmuese pluralizimit, duke cuar në krijimin e një supermaxhorance të frikshme që bënte ctë donte dhe kontrollonte gjithcka duke u shprehur se “nuk keni parë gjë akoma”. Ndërkohë që Rama forconte pozitat e rregjimit autoritar të “oligarkisë, krimit e korrupsionit” duke i shtuar edhe komponenten e “narkotrafikut e të kultivimit të kanabisit”, LSI kishte vënë në dispozicion të gjithë votat e saj (përsëri me naivitet) duke i mundësuar Ramës të rriste në mënyrë të frikshme pushtetin për të kontrolluar biznesin e madh, median, shoqërinë civile dhe te hidhte hapat drejt kontrollit të sistemit gjyqsor dhe më tej të zotëronte i vetëm edhe sistemin politik e të kontrollonte institucionet kushtetuese. Synimi final ishte kontrolli i sistemit politik në mënyrë autoritare dhe të centralizuar, madje individualisht, prandaj të gjithë bateritë gjatë periudhës 2013-2017 do të drejtoheshin për kërcënimin dhe rrënimin e opozitës apo kthimin e saj në fasadë.
2. Goditja fatale ndaj pluralizimit jepet në 2017…
Në zgjedhjet e vitit 2017, PS do të vinte e vetme në krye të qeverisë duke vënë në përdorim për “fryrjen” e PS dhe “rrudhjen” drastike të PD të gjithë arsenalin për i) blerjen e votave me paratë e korrupsionit, ii) kërcënimin e votuesve përmes individëve me rekorde kriminale këtë rradhë të fshehur pas “manekinëve” apo maskuar me etiketa të tjera politike; iii) dhe të gjithë potencialin e nakrotrafikut e të kultivimit të kanabisit për të joshur e friksuar votuesit. Po ashtu në një dimension të paprecedent do të ishte edhe përdorimi i mjeteve të administratës publike: i) punësimi. ii) asistenca sociale, iii) lejet dhe certifikatat e legalizimeve; e tjerë. Përsëri në raportin e OSBE/ODHIR do të vendoseshin dy sindromat e “blerjes së votave” dhe “kërcënimit të votuesve” që Rama në krye të qeverisë i ka shndërruar ne mekanizmat kryesorë e të vetëm të “fryrjes” së PS dhe “rrudhjes” së PD e cila natyrisht ka ndodhur edhe për shkaqe të brëndshme të PD e opozitës. Po këtë rradhë synimi ishte më diabolik, eleminimi i “king makerit”, për të qeverisur i vetëm dhe në mënyrë të centralizuar. Pasi kishte “rrudhur” opozitën në 2013 dhe kishte keqpërdorur votat e “king makerit” gjatë të gjithë periudhës qeverisëse 2013-2017, përmes marrëveshjes së 18 majit 2017, Rama do të krijonte perceptimin se tani rradhën për tu “rrënuar” e kishte LSI dhe në një farë mënyre arriti ta realizonte këtë synim diabolik, këtë rradhë për shkak të pamundësisë/dobësisë/naivitetit/gabimeve të opozitës.
3. Një “fotografi” e rrënimit të pluralizimit…
Ndërkohë që në 2009, diferenca mes PS e PD ishte vetëm 0,67 përqind, sistemi pluralist kishte filluar të funksiononte sepse i) ekzistonte ekulibri politik maxhorancë/opozitë; ii) maxhoranca formohej nga një parti kryesore dhe një parti “king maker” dhe iii) opozita ishte shumë fuqishme. Në zgjedhjet e 2013, diferenca mes PS e PD rritet në 10,73 përqind, duke shkaktuar një tronditje jo të vogël të sistemit pluralist për shkak të dizbalancës mes një supermaxhorance dhe një opozite të “rrudhur”. Por sistemi pluralist kishte ende shpresë të rikthehej në ekulibër sepse vazhdonte të ruhej “king makeri” dhe shpresa se opozita do të ringrihej. Po në zgjedhjet e 2017, sistemi pluralist do të merrte një goditje shumë të rëndë, deri fatale, sepse i) opozita “rrudhet” në vlerën e frikshme prej 28,85 përqind duke rritur në kufijtë e 19,49 përqind distancën mes PS e PD; ii) eleminohet “king makeri” dhe kështu Rama, si individ zotëron i vetëm “timonin” e qeverisjes, sepse PS është kthyer në një parti klienteliste që kontrollohet nga një individ. Arsyet e kësaj dinamike të frikshme e shqetësuese nuk kanë të bëjnë aspak me “suksesin politik” të PS dhe/ose vetëm me “dështimin politik” të PD por ajo mund të shpjegohet kryesisht duke qënë njëkohësisht edhe argument i fuqishëm, me instalimin në Shqipëri të një rregjimi autoritar të “korrupsionit, krimit dhe narkotrafikut” që kërkon i vetëm të drejtojë në mënyrë moniste, të centralizuar dhe autoritare duke kontrolluar madje individualisht sistemin politik. Natyrisht edhe PD, LSI, PDIU që janë aktualisht forcat kryesore politike parlamentare kanë përgjegjësite e tyre të konsiderueshme, për këtë dinamikë por shkaku kryesor e parësor mbetet veprimi agresiv i një rregjimi autoritar i një pakice “korruptive, oligarke e kriminale” që ka programuar prej kohësh dhe aktualisht po vendos nën kontroll gjithcka, përfshi edhe sistemin politik, duke cuar në një dizekuilibër politik me pasoja të frikshme për të ardhmen e vëndit dhe sistemin pluralist.
4. Disa përfundime…
  • Sistemi politik pluralist në Shqipëri është goditur rëndë në mënyrë pothuajse të pakthyeshme. Vendi drejtohet nga një rregjim autoritar, i centralizuar dhe oligarkik, korruptiv, kriminal që tenton të vendoset në duart e një individi. Opozita gjatë 8 vjetëve të fundit është “rrudhur” në kufij të frikshëm. “King makeri” ka humbur rolin dhe është shfaqur haptas synimi për ta “eleminuar” politikisht në të ardhmen e afërt. Partitë e vogla janë jasht parlamentit dhe kanë shumë pak shanse për tu rikthyer. Partitë e reja duket nuk do të kenë asnjë shans as të futen në parlament dhe as të mbijetojnë jasht tij nëse do të jenë forca opozitare ose nuk do të pranojnë rolin e fasadës.
  • Në 2013, Rama përdori “king makerin” LSI për të “rrënuar” PD dhe në 2017 “përdori” PD për të “rrënuar” LSI. Pra në vetëm 4 vjet Rama ka arritur të “rrudhë” PD në nivele të frikshme, ti heqë LSI rolin e “king makerit”, të eleminojë nga parlamenti të gjithë partitë e vogla dhe kundërshtarët politikë, të mos lejojë futjen në parlament të asnjë partie të re politike, duke “toleruar” mbijetesën e përkohshme e të mirëkuptuar të disa individëve që me mbështetjen e tij zbythën në zonat ku kandiduan e fituan mandate, opozitën, king makerin e partitë e reja. Rezultati është i qartë: pluralizmi ka marrë një goditje të fortë dhe vëndi po shkon drejt një rregjimi autoritar, të centralizuar në duart e vetëm një partie ose më saktë të një individi, që drejton vendin me një kupolë individësh që përfaqsojnë interesat e “korrupsionit, krimit, narkotrafiqeve”.
  • Pluralizimi i “rrënuar” duket si një rrjedhim logjik në vendin anëtar të NATO e kandidat për në BE ku vota blihet, ku tregëtohen mandatet, ku votuesit kërcënohen, ku deputetët janë me rekorde kriminale apo pa arsimin përkatës, ku i vetmi sukses i qeverisë është rritja e korrupsionit qeveritar dhe e fitimi i vëndit të parë në Europë për narkotrafiqet, ku borxhi rritet, ku ekonomia nuk rritet, ku investitorët e huaj nuk vijnë, ku qytetarët në shumicë janë të papunë, të varfëruar gjithnjë e më shumë dhe të pashpresë kërkojnë të emigrojne masivisht. Ku për më tepër, maxhoranca synon të “rrënojë” opozitën apo ta kthejë në fasadë atë…
  • Kjo situatë bëhet edhe më zhgënjyese e duket pa zgjidhje sepse shqiptarët ndjehen të abandonuar e të pambështetur edhe nga partnerët ndërkombëtarë e përfaqsuesit e tyre në Tiranë, të cilët sipas tyre e njohin shumë mirë situatën por nuk ndërhyjnë ta ndryshojnë atë për arsye konjukturale. Ata kanë dijeni për të gjithë synimet e veprimet e drejtuesve të maxhorancës por nuk veprojnë sepse mesa duket për momentin mbështesin të keqen më të vogël duke i dhënë më shumë rëndësi stabilitetit sesa demokracisë e mirëqeverisjes. Ata i kanë të qarta gjithcka bëjnë Kryeministri, Ministrat, Kryetarët e Bashkive apo individë te tjerë pjestarë të kupolës klinteliste por nuk kanë vendosur të veprojnë intensivisht se mesa duket e vlerësojnë ende të vështirë të ndërhyjnë sepse e keqja është bërë aq e madhe sa ndërhyrja e tyre mund të rezultojë inefikase.
  • Shqiptarët me shumë gjasa janë të ndërgjegjësuar për situatën dhe për rrezikun që i kanoset sistemit të tyre demokratik pluralist, i cili ka marrë një goditje shumë të rëndë në 2017. Asnjë lloj shou progandistik nuk mund ta fshehë realitetin. Po ashtu as takimet apo duar-shtërngimet e lidershipit europian apo global me oligarkët e Ballkanit s’mund të qetësojnë më qytetarët që në shumicë kanë marrë vendim të emigrojnë të pashpresë.
  • Shqiptarët dhe partnerët që kanë interes (aq sa kanë) për rolin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve duhet të mos lejojnë e madje të marrin masa te shpejta e te forta të pengojnë me cdo mjet ndryshimin e sistemit zgjedhor që do të favorizonte një sistem bi-partiak dhe ndryshimet kushtetuese që do të favorizonin një sistem politik, me president fortë, sepse pasi është rrudhur opozita në kufij të frikshëm, pasi është zhbërë roli i king makerit, pasi janë eleminuar të gjithë partitë e vogla, pasi jane penguar partite e reja, kjo do të thoshte të konsolidohej rregjimi autoritar dhe i centralizuar në duart e një individi./syrinet/