Alket Rizai një viktimë në mes Greqisë dhe Shqipërisë

285

alket 1Gjithë mediat greke dhe ato shqiptare kanë përqendruar vëmendjen e tyre edhe njëherë rreth ngjarjes së fundit të Alket Rizait. Një shqiptar viktimë e një nacionalizmi apo një kriminel i lindur për të bërë terror ashtu siç po e paraqesin mediat greke? Në mungesë të shtetit shqiptar do dëshiroja që përgjigjen më të mirë që shtyn shqiptarët tanë të marrin veprime të tilla, mund ta japin ekspertet e kriminalitetit, të cilët me profesionalizmin e tyre mund të jenë të besueshëm, por edhe aq të paanshëm. Padashur të lind pyetja:

-Ku janë vallë këta ekspertë dhe përse kanë heshtur gjatë viteve të emigracionit shqiptar në Greqi?

-Sa të vërteta kanë qenë raportet e lëshuara nga ambasada shqiptare këtu e mbi 20 vjet lidhur me trajtimin e emigrantëve tanë në këtë vend?

-A do mbajë ndokush përgjegjësi lidhur me këto raporte jo reale të lëshuara nga këta njerëz të papërgjegjshëm të ambasadës shqiptare?

– Cili ka qenë interesimi i shtetit shqiptar me në krye Presidentin e vendit për padrejtësitë ndaj shtetasve të tij në Greqi? Edhe sa shqiptar të tjerë duhen të dënohen, të torturohen dhe të vriten padrejtësisht nga dhuna shtetërore greke për të ndërgjegjësuar shtetin shqiptar?

Dëgjojmë shpesh në Greqi që “dhuna lind dhunën”, por duke mos harruar se Greqia njihet për nacionalizëm të theksuar ndaj komunitetit shqiptar, si dhe për këtë ajo zë vendin e pare në BE për racizëm ndaj shqiptarëve dhe ciganëve, por duke qenë edhe një kliente e rregullt në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut më shumë se çdo vend tjetër. Nuk e di nëse ka në Botë një vend ku gjyqtarët të besojnë 100 përqind se më shumë të kriminalizuar janë shqiptarët, apo rusët, në një kohë që përqindja e tyre në kriminalitet përfshihet në 4-5 përqind të numrit të përgjithshëm të krimeve.

Këta janë gjyqtarët grek, të cilët besojnë 100 përqind për komunitetin shqiptar në Greqi se janë më kriminele se çdo komb tjetër. Askush nuk u ngrit nga politika shqiptare për të përgënjeshtruar këtë. Askush nuk u shqetësua kur policia greke, protagoniste në dhunimet fizike, torturave si dhe përgjegjëse për 94 vrasje ndaj emigrantëve të pafajshëm, të përgënjeshtronte me fakte akuzat e policisë se emigrantët shqiptarë janë fajtorë të krimit, që venë para përgjegjësisë shqiptarët për rritjen e kriminalitetit, në një kohë kur faktet dhe shifrat flasin vetëm për 4-5 përqind.

Por, mbi të gjitha sipas sondazheve të bëra më parë, 92 përqind e policëve besojnë se këta emigrantë janë faktorë të rritjes së kriminalitetit. Janë këto dy dikasterë kryesore Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Rendit që trajtojnë emigrantët shqiptarë si përgjegjës së krimit dhe të gjithë të këqijave në këtë vend, duke i drejtuar goditjet nacionaliste ndaj tyre. Asnjë nga këta polic vrasës nuk është dënuar, aq sa asnjë qeveri shqiptare nuk ka ngritur zërin për vrasjet e tyre.

Për 20 vjet kam ndjekur nga afër këtë problem shqetësues, këto padrejtësi duke i trajtuar edhe here pas here në shtypin shqiptar, jo vetëm kaq por edhe të publikuar në një libër me një kronologji për keqtrajtimet, torturat dhe vrasjet e emigrantëve të pafajshëm nga policia greke, një libër qe u shpërnda vitin e kaluar edhe në të gjitha dikasteret e vendit, duke filluar që nga presidenca e deri tek kryeministria apo edhe avokati i popullit. Por me keqardhje përjashto avokatin e popullit asnjë nga këto dikastere nuk u shqetësua për këto padrejtësi dhe vrasje ndaj emigrantëve tanë në Greqi. Dhunimet dhe keqtrajtimet kanë qenë dhe janë një metodë e shtetit policor, një metodë përball një shteti indiferent shqiptar.

Populli grek është më ksenofob se çdo popull tjetër i Evropës. Ky popull ka mendim negative për emigrantët, por jo vetëm kaq por u kërkon autoriteteve përkatëse të jenë më të ashpër me emigrantët shqiptarë. Sondazhet tregojnë se 95 përqind e popullit grek kërkojnë që të largohen emigrantët, por, për Greqinë emigracioni shqiptarë ka qenë një bekim nga Zoti, një bekim që do ta kishin zili edhe vendet më diktatoriale. Greqia është cilësuar nga shtypi britanik (The Guardian) si vendi më armik i të huajve në Europë, kjo nga sondazhi i zhvilluar në të gjithë vendet e BE-së nga Qendra e Kërkimeve Shkencore Europiane ( ESRC). Sipas kësaj gazetës “The Guardian”, dy shtresa janë në Greqi, ku përballen më shumë me racizmin dhe konservatorizmin grek: emigrantët shqiptarë dhe minoritarët turq në Thrakin Lindor.

Emigrantët janë parë nga politika greke edhe si një rrezik kombëtar për Greqinë, ku me politikën e saj raciste ndaj emigrantëve është kthyer në një shtet policor, ku të huajt marrin dënimet nga më të rëndat në Bashkimin Evropian. Politika vendase e udhëhequr nga nacionalizmi për shumë vite u ka dhënë prioritet të huajve jo në integrimin e tyre, por në mbushjen e burgjeve, ndërsa për vendasit drejtësia ka vepruar krejt ndryshe.

Më konkretisht të dënuarit shqiptarë në shumë raste marrin gjashtë herë më shumë dënime se sa grekët, në një kohë kur vendasit për shkelje të ligjit zenë 95-96 përqind, kundrejt të huajve që mbajnë përgjegjësi para ligjit për 5-6 përqind. Po me gjithë këtë ndryshim të madh ku emigrantët mbajnë përgjegjësi për shkelje të ligjit në 4-5 përqind, burgjet janë mbushur me emigrantë, të cilët zënë rreth 50 përqind të numrit të përgjithshëm. Kjo është një strategji e Greqisë e cila prej vitesh po mbush burgjet e veta me shqiptarë, për ti treguar botës se ja kush janë shqiptarët, duke i dhënë dënimet nga më të rënda. Greqia është vendi i parë në Europë dhe i katërti në botë për numrin e madh të burgosjeve të emigrantëve në burgjet e saj. Çdo ditë në burgjet greke futen dy persona, njeri prej të cilëve është emigrant.

Alket_Rizai8 (1)

Jo rastësisht i solla këto raste që tregojnë strategjinë, apo fytyrën e vërtetë të këtij vendi ndaj emigrantëve shqiptarë. Faktet kanë treguar se jo të gjithë shqiptarët e dënuar nga kjo drejtësi raciste kanë qenë të fajshëm. Në fakt Alket Rizai sot përbën rolin e viktimës në mes Greqisë dhe Shqipërisë, rolin që askush nuk do ta dëshironte të ishte në vendin e tij. Të dëgjonte fjalët e nënës së tij Donika, e cila ka deklaruar për mediat se i biri i saj është i pafajshëm, se është krenare për të, por duke i kërkuar të birit që ta çojë deri në fund atë që po bën. E ëma e tij tha se i biri është akuzuar me të padrejtë dhe se është mbajtur peng për 13 vjet nga shteti grek, ndërsa Alket Rizai para arrestimit gjatë bisedës me gazetarët grekë ka folur dhe ka protestuar për sistemin e drejtësisë, si dhe dënimin e tij që e cilëson të padrejtë.

Emigracioni shqiptar në Greqi tregoi karakterin e çdo emigrant shqiptar, tregoi indiferentizmin e shtetit shqiptar në mbrojtje te shtetasve të tij, po mbi të gjitha tregoi fytyrën e vërtetë të një shteti racist ndaj komunitetit shqiptar, tregoi realitetin e sotëm se sa e vështirë është të jesh sot emigrant në Greqi. Ka ardhur koha që shteti shqiptar duhet të analizojë dhe të filloj hetimet lidhur me dënimet e shtetasve të tij në Greqi, një e drejtë kjo që s’mund ta mohojë dot më asnjë njeri.

Shpëtim Zinxhiria