Ambasadori Italian : Shqipëria shfrytëzon burimet natyrore dhe koston e punës, por jo kapitalin

Intervistë

Flet z. Alberto Cutillo, ambasadori i ri italian në Shqipëri

Vendet e Ballkanit Perëndimor formojnë një rajon shumë të identifikueshëm, por që ndërkohë nuk kanë të zhvilluara marrëdhëniet ekonomike dhe në disa raste ato politike, në madhësinë që duhet të ishin

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor të Tristes, që do të zhvillohet më 12 korrik, pritet të miratohet një plan veprimi që në vitet e ardhshme do të mundësojë që të reduktohen një sërë barrierash, çka do të nxiste marrëdhëniet ekonomike mes vendeve të Ballkanit.

Z. Alberto Cutillo, ambasadori i ri italian në Shqipëri, në një intervistë të posaçme për “Monitor” flet për pritshmëritë e samitit dhe për marrëdhëniet ekonomike e tregtare mes Shqipërisë dhe Italisë. Z. Cutillo e vë theksin në nevojën që Shqipëria të orientojë zhvillimin përtej sektorëve tradicionalë, si shfrytëzimi i lëndëve të para e kostos së lirë të fuqisë punëtore dhe të kapë ritmin e Europës në dixhitalizimin e ekonomisë dhe formimin e brezit të ri me njohuritë e nevojshme të teknologjisë së informacionit.

Cili është roli kryesor i Procesit të Ballkanit Perëndimor?

Procesi i Ballkanit Perëndimor ka dy objektiva kryesore. Objektivi i parë është që të jetë bashkëshoqërues i procesit të integrimit në Bashkimin Europian të vendeve që aspirojnë të hyjnë në BE. Ajo nuk zëvendëson mekanizmat institucionalë të BE-së, si negociatat për anëtarësim, por krijon një kuadër të posaçëm për këto vende, për t’i shoqëruar në këtë proces.

Dimensioni tjetër lidhet me zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo, duke u nisur nga një fakt shumë i dukshëm, por edhe i harruar, që këto vende formojnë një rajon shumë të identifikueshëm, por që ndërkohë nuk kanë të zhvilluara marrëdhëniet ekonomike dhe në disa raste ato politike, në madhësinë që duhet të ishin. P.sh., Serbia dhe Shqipëria, ndonëse janë vende, që nga ana ekonomike kanë shumë elemente plotësuese, kanë një shkëmbim të ulët mes tyre. Kjo i dedikohet një sërë faktorëve si historikë, politikë, por mbi të gjitha praktikë, si problemet me infrastrukturën, që vështirësojnë lidhjen, apo diferencat në legjislacionin tregtar. Të gjitha këto mund të tejkalohen, ose reduktohen edhe në sajë të procesit të Ballkanit Perëndimor.

Edhe në këtë rast nuk bëhet fjalë që t’u ofrohet këtyre vendeve një alternativë ndaj procesit të integrimit, por që të zhvillohet paralelisht me këtë proces, një përforcim i marrëdhënieve rajonale.
Ndaj janë dy objektiva shumë të rëndësishme dhe që shkojnë në harmoni me njëra-tjetrën.

Si e vlerësoni idenë për një treg të përbashkët ballkanik?

Në kuadër të objektivit të dytë që sapo e përshkrova më lart, një aspekt që mund t’u japë nxitjeve marrëdhënieve ekonomike është ai i një tregu të përbashkët ekonomik. Termi treg i përbashkët nuk është i saktë teknikisht, por koncepti pas tij është mjaft i qartë: Si të lehtësojmë raportet, mbi të gjitha të natyrës tregtare, mes vendeve.

Ne besojmë se po punohet mirë në këtë drejtim dhe se në Trieste mund të miratohet një plan veprimi që në vitet e ardhshme do të mundësojë që të reduktohen një sërë barrierash që sot e bëjnë këtë treg kaq të fragmentuar dhe të lehtësohen modalitetet dhe të reduktohen kostot e të bërit biznes mes vendeve të Ballkanit. Këtu kemi shumë besim te kontributi që vetë sipërmarrjet e këtyre vendeve, sidomos ato shqiptare, do të japin për të identifikuar se cilat janë masat më të rëndësishme, si p.sh., masa të tipit rregullator, p.sh., të kesh rregulla të njëjta, ose shumë të ngjashme, si normat sanitare ose ambientale. Fakti që Komisioni Europian do të jetë subjekti që mbikëqyr këto masa, është një garanci që ato do të jenë të vlefshme edhe për hyrjen e këtyre vendeve në Bashkimin Europian, sepse do të ishin të orientuara drejt normativave të BE-së (Acquis Communitaire).

Forumi i Triestes parashikon një sesion të veçantë për Forumin e Biznesit. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky forum, për sa u përket sipërmarrjeve shqiptare dhe atyre italiane?

Forumi i Biznesit, në kuadër të Samitit në Trieste, organizuar nën patronazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik – dhe nën kujdesin e Agjencisë ICE dhe Confindustria – do të ofrojë mundësi për një shkëmbim konkret të njohurive dhe përvojës mes institucioneve dhe operatorëve ekonomikë, si dhe për të nxitur bashkëpunimin ekonomik ndërmjet kompanive italiane dhe atyre të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Forumi do të zhvillohet gjatë gjithë ditës së 12 korrikut dhe do të përbëhet nga një seancë fillestare institucionale, katër Panele sektoriale (instrumentet financiare, energjia dhe mjedisi, infrastruktura, novacioni) dhe do të ketë një seancë përfundimtare institucionale, me praninë e ministrit të Zhvillimit Ekonomik Carlo Calenda, gjatë së cilës do të paraqiten rezultatet e punës së kryer në 4 tavolina.
Pasdite, aktivitetet do të vazhdojnë me një orar të ngjeshur takimesh B2G e B2B ndërmjet operatorëve italianë dhe atyre të gjashtë vendeve të Ballkanit, ku nga informacionet më të fundit, duhet të marrin pjesë më shumë se 500 kompani.

Prandaj ne shpresojmë se kjo nismë do të jetë një platformë e dobishme me dy qëllime: (I) rritjen e njohurive mbi projekte të mëdha dhe të instrumenteve financiare në rajon, që vihen në dispozicion nga institucionet e BE-së dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe rajonale për kompanitë e rajonit në “fushat kryesore të zhvillimit ekonomik” (II) ndihmon për të zbatuar në praktikë shkëmbimin e njohurive paraprake për sinergji ekonomike / komerciale, që do të jetë në qendër të takimeve B2B gjatë pasdites.

Ambasadori italian 787Gjatë prezantimit në Shqipëri thatë se vendi ynë nuk paraqitet me asnjë projekt. Cili është komenti juaj?

Procedura për paraqitjen dhe dhënien e të ashtuquajturave grante të investimeve për projektet në vendet individuale të rajonit, si pjesë e platformës të Kuadrit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor, ndjek kriteret e paracaktuara dhe objektive dhe për këtë arsye, unë nuk mund të hyj në vlerësime individuale. Unë mund të konfirmoj vetëm shpresën, se në Samitin e ardhshëm do të përzgjidhen projekte për Shqipërinë.

Interkonektiviteti është një nga projektet kyçe në samit. Çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim?

Ndërlidhja në nivelin fizik ka qenë deri tani në qendër të Ballkanit Perëndimor, pra ndërtimi i rrugëve, hekurudhave, rrjeteve elektrike që lidhin vendet. Projekti më i rëndësishëm që kemi tani në zhvillim është TAP, që është një lidhje fizike, që do t’i mundësojë Shqipërisë që të arrijë në zemër të sistemit të sigurisë energjetike europiane. Kjo është e rëndësishme, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe strategjike e politike. Por, të rëndësishme janë edhe ndërlidhjet jofizike. Këtu bëhet fjalë për krijimin e lidhjeve telematike, por edhe rrjeteve njerëzore. Këtë besoj se Ballkani Perëndimor e ka vënë në qendër që në fillim, p.sh., me krijimin në Tiranë të Qendrës për të Rinj të Ballkanit Perëndimor, sepse nuk ka asgjë më efikase sesa të kesh të rinj që udhëtojnë nga një vend në tjetrin dhe kanë një shtëpi në të gjitha vendet e rajonit dhe mund të transmetojnë vlera, kulturë nga një shtet në tjetrin, kjo ka një ndikim jo vetëm tek ekonomia, por edhe tek shoqëria në total.

Si do t’i vlerësoni marrëdhëniet ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë?

Italia është partneri i parë ekonomik i Shqipërisë. Mbi të gjitha në fushën tregtare, ky raport është shumë i ngushtë. Gjysma e eksporteve shqiptare shkojnë në Shqipëri. Ne jemi të kënaqur me këtë raport që e shikon Italinë në një pozicion të privilegjuar. Por, si gjithmonë, duhet të jemi ambiciozë dhe të kërkojmë të bëjmë më shumë. Unë besoj se Shqipëria nuk ka shfrytëzuar ende plotësisht potencialin e saj ekonomik. Për momentin, Shqipëria shfrytëzon mbi të gjitha disa burime natyrore, avantazhin krahasues të kostos së punës dhe taksa më të ulëta se mesatarja europiane, por nuk ka shfrytëzuar ende plotësisht kapitalin human dhe avantazhin logjistik, si pozicionin strategjik, që mund ta vërë potencialisht në qendër të një tregu më të madh të Ballkanit perëndimor.

Shpresoj dhe jam gati të kontribuoj që Shqipëria dhe Italia të konsolidojnë bashkëpunimin ekonomik për të shfrytëzuar këto aspekte të tjera. Për ta bërë këtë duhen reforma të rëndësishme, ku po citoj vetëm një, atë të arsimit profesional. Është e rëndësishme që tregu shqiptar i punës të mbështetet te të rinjtë, që të mos jenë vetëm të motivuar, të aftë, të prirë të mësojnë gjuhët e huaja, që është një avantazh shumë i rëndësishëm, por edhe të formuar për të marrë përsipër aktivitete teknike të karakterit të rëndësishëm, si teknikë informatike, përveç zanateve të tjera si kuzhinierë, marangozë. Janë një sërë zanatesh që kërkojnë përgatitje teknologjike dhe që përbëjnë pjesën më të madhe të tregut të punës europian. Për këtë arsye, edhe Shqipëria duhet të rikuperojë vonesën dhe duke pasur parasysh popullsinë e re dhe shumë aktive, që ka ky vend, i zotëron të gjitha mundësitë për t’u bërë një pikë e fortë e ekonomisë shqiptare. Në këtë pikë mendoj se raportet ekonomike mes Shqipërisë dhe Italisë mund të njohin një fazë të mëtejshme zhvillimi.

 

Mesazhi

Unë besoj se Shqipëria nuk ka shfrytëzuar ende plotësisht potencialin e saj ekonomik. Për momentin, Shqipëria shfrytëzon mbi të gjitha disa burime natyrore, avantazhin krahasues të kostos së punës dhe taksa më të ulëta se mesatarja europiane, por nuk ka shfrytëzuar ende plotësisht kapitalin human dhe avantazhin logjistik, si pozicionin strategjik, që mund ta vërë potencialisht në qendër të një tregu më të madh të Ballkanit perëndimor.

 

Pra Shqipëria duhet të investojë më shumë në teknologji?

Duhet të investojë në arsim dhe formim dhe kjo duhet të jetë më shumë e orientuar nga teknologjia. Për këtë Shqipëria duhet të mbështetet në të gjithë partnerët kryesorë europianë, Gjermania, Austria, Zvicra, SHBA, sepse jemi të gjithë dakord që kjo është e ardhmja e Shqipërisë, të rrisim aftësinë e të rinjve shqiptarë. Tashmë duhet transformuar ky mirëkuptim ekonomik që është i përkryer, në një plan politik më të vendosur dhe më ambicioz dhe kjo është sfida e Shqipërisë.

Ambasadori italian 2 - 787Në teknologji, cilët janë sektorët që ka më shumë interes për të ardhmen?

Janë shumë. Mendoj se në përgjithësi shoqëria, në Europë dhe në të gjithë botën, është gjithnjë e më shumë një shoqëri që i besohet informatikës. Këto janë elemente që po hyjnë në çdo profesion. Edhe një marangoz do të duhet të ketë internet për të gjetur klientë. Është e nevojshme që ky sektor, i ashtuquajtur dixhital të bëhet edhe në Shqipëri një sektor që do të orientojë rritjen. Për këtë duhen investime, që në fillim do të jenë edhe të konsiderueshme, dhe së pari duhet të jenë publike, që duhet të bëhen nga autoritetet.

Por, e përsëris se nuk jeni vetëm. Institucionet ndërkombëtare e asistojnë Shqipërinë për këtë. Shtetet janë gati të kontribuojnë dhe më pas bashkëpunimi me privatin mund të mundësojë financimin e një pjese të kësaj infrastrukture, sepse në fund të fundit, synimi i kësaj është në perspektivën e krijimit të mirëqenies.

Në cilët sektorë ka interes për të investuar në Shqipëri nga sipërmarrjet italiane?

Italia prej kohësh ka një rol mbizotërues në realitetin ekonomik të Shqipërisë. Prej vitesh, Italia ka qenë partneri kryesor tregtar me një vlerë të këmbimeve, që në vitin 2016 i ka tejkaluar 2 miliardë euro (+ 3% në krahasim me vitin 2015). Duhet thënë se fushat kryesore që kërkojnë vëmendje nga Italia kanë qenë historikisht: (I) shërbimet (II) tekstile dhe këpucë; (III) makineri dhe pajisje; (IV) produktet bujqësore ushqimore; (V) energji dhe minerale; (VI) produkte kimike dhe plastike; (VII) materiale ndërtimi dhe metale.

Në vitet e fundit, megjithatë, edhe ne jemi duke parë një interes në rritje të kompanive italiane ndaj sektorit të turizmit dhe në sektorin e eficiencës së energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm për mjedisin, veçanërisht në lidhje me mbledhjen, ruajtjen dhe deponimin e mbeturinave. Ne po flasim për sektorët strategjikë për të ardhmen e Shqipërisë, mbi të cilat ka një vëmendje të fortë edhe në nivel europian.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2016, Italia ishte investitori i gjashtë më i madh në Shqipëri (41 mln euro). Si e shpjegoni këtë nivel relativisht të ulët të investimeve nga një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë?

Shpjegimi i këtyre të dhënave, sipas mendimit tim, mund të kërkohet nga njëra anë në natyrën e pranisë italiane në Shqipëri, dhe në anën tjetër, nga lloji specifik që kanë, në një treg shumë të globalizuar, disa investime të mëdha.

Për sa i përket pikës së parë, pavarësisht se Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë dhe në vendin e parë për numrin e kompanive në vend, prania italiane është në pjesën më të madhe në sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, shpesh me drejtim familjar dhe historikisht i vendosur pa pasur nevojë për investime të mëdha në aspektin financiar. Në të njëjtën kohë, një shpjegim i mundshëm për këtë qëndron në natyrën e investimeve të caktuara të mëdha, sidomos në sektorët strategjikë, siç janë lëndët djegëse dhe burime të tjera të energjisë. Këto investime në fakt shpesh bëhen nga konsorciumet e kompanive të mëdha të cilat, edhe pse të regjistruar në një vend të vetëm, përfshijnë një angazhim të përbashkët financiar, dhe origjina e tyre është shpesh e vështirë për t’u zbuluar nga institucionet publike dhe private që punojnë në këto statistika.

Intervistoi: Ornela Liperi