Ballkani, si pjesë e ndjeshme e barkut të Europës

1188

Azem Parllaku  /  Ballkani nuk është më shumë se një gadishull i botës mesdhetare, një përzierje kulinare etnish dhe besimesh fetare, një mozaik popujsh që i janë kundërvënë njëri-tjetrit gjatë shekujve, një grup shtetesh ku ka pakica irredentiste, që u shfrytëzuan dhe u mbështetën nga Fuqitë Evropiane u bënë shkaku i Luftës së Parë Botërore, për tu ndezur më ashpër gjatë Luftës së Dytë. Më pas për gati pesëdhjetë vjet, me përjashtim të Greqisë në shtetet e tjera të gadishullit të quajtur Ballkan, u vendos rendi që vinte nga Moska. Urë apo udhëkryq midis Evropës dhe Azisë, fuçi baruti apo fushë dyluftimi, të gjitha këto janë të vërteta, e nuk e shterojnë larminë e hatashme të viseve dhe të njerëzve të këtij gadishulli, ku janë përjetuar makthet e pushtimit nga pesë perandoritë: presiane, romake, bizantine, otomane, dhe ruse.

Deri në vitin 1815 harta e Ballkanit ishte ende njëngjyrëshe, njollat me ngjyra të ndryshme, që u shtrinë mbi gadishull gjatë shekullit XIX, ilustronin fitoren e nacionalizmave dhe tërheqjen e njeriut të sëmurë të Evropës. Modeli i shteteve të reja ishte ai i kujdestarëve të tyre, koha më vonë provoi që, kopjet përfunduan në karikatura. Irredentizmat territoriale degjeneruan në konflikte me armë, ndërsa klientelizmi, korrupsioni, vrasjet politike, grushtet e shtetit, nuk mund ti bindnin kujdestarët, ndaj Rusia, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, luajtën lojën e shahut duke lëvizur gurët e tyre që quheshin Serbi, Greqi, Bullgari, Shqipëri, etj. Konflikti i parë botëror çoi në zhdukjen e perandorive osmane por edhe të asaj ruse, që kishin ndërhyrë shpesh në Ballkan. Ishte ora e demokracisë së Uillsonit, por shpejt ra ora e fashizmave dhe diktaturat mbretërore në Ballkan përpiqeshin herë haptas, herë tërthorazi të siguronin favoret, madje mbrojtjen ose të Duçes, ose të Fyhrerit, ndërsa vaniteti i të parit dhe oreksi i shfrenuar i të dytit e zvarritën përsëri gadishullin në katastrofën botërore, ku rekuizimet, shpërnguljet, dhe ekzekutimet në masë ishin ndodhi të zakonshme. Popujt e shtypur të Ballkanit të inkurajuar nga anglo-saksonët dhe të stimuluar nga partitë komuniste që ishin të lidhura Moskën, organizuan lëvizjet e rezistencës. Ushtria e Kuqe mbërriti në Bukuresht, Sofje e në Beograd, ndërsa shqiptarët e çliruan vetë Tiranën, ndërkohë në Athinë zbarkuan ushtarët britanikë. Gadishulli u kthye përsëri njëngjyrësh nga pikëpamja politike, sociale dhe ideologjike, përjashtim bënte vetëm Greqia, ku u vendosën bazat ushtarake amerikane.

Me fundin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e Murit të Berlinit, ngjarje të jashtëzakonshme historike, shpresëdhënëse dhe me ndikim mbarëbotëror, Ballkani ironikisht u mbërthye në spiralen e dhunës. Europa e pasviteve të 90-ta të shekullit të kaluar, njohu një përshpejtim të integrimit të saj të brendshëm dhe të jashtëm, e sigurisht mbreslënës për ish-vendet komuniste, të cilat u bënë partnerë me Perëndimin, ku të gjitha u anëtarësuan në OSBE, depozituan kërkesa për anëtarësim në NATO dhe BE, proçes ky që ende vazhdon. Në kundërshtim me këtë panoramë bashkëpunuese dhe integrimi, Ballkani përjetoi katër luftëra si rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Një dekadë pas rënies së Murit të Berlinit, Ballkani iu paraqit Perëndimit si një sfidë e madhe strategjike, në të cilën u përfshi dhe NATO. Për shkak të armiqësive të vjetra, mosmarrëveshjeve etnike, fetare e kulturore, mungesës së traditave demokratike brenda shteteve dhe ne nivel rajonal, si dhe mungesës së tradites paqesore ne bashkepunimin dypalesh e shumepalesh, në fund të shekullit të kaluar, u regjistruan me dhjetra mijëra të vrarë, u prodhuan një numër jo i vogël krizash humanitare, ndërkohë që incidentet dhe provokimet ndërmjet shteteve dhe grupeve të individëve të ndryshëm pothuaj janë të përditësuara. Në thelb marrëveshjet e tilla si ajo e Dejtonit per Bosnje-Hercegovinen, ajo e Ohrit per Maqedonine, Rezoluta 1244 per Kosoven, etj, nuk janë implementuar sa e si duhet për shkaqe nga më të ndryshmet, e të ditura botërisht. Kjo klimë e mosimplementimit të marrëveshjeve të cituara, ka nxitur jo pak dialog dhe tryeza të ndërmjëtësuara, konkluzionet e të cilave i nënshtrohen ekspertizës së institucioneve ndërkombëtare, ku këto të fundit i kanë të tepruara qasjet burokratike, teksa duhet theksuar se ndikohen dhe nga lobe të interesave të caktuara.

Aktualisht, vendet e Ballkanit Perëndimor vuajnë mosdakortësitë brenda sistemeve të politikës dhe qeverisjes, partitë në pushtet dhe qeverisjet anatemohen si të korruptuara dhe dhe që e ushtrojnë të drejtën e pushtetit me metoda jodemokratike. Krizat më të ngutshme në rajon, si përpjekja e regjimit maqedonas për të rindezur polarizimin etnik për të shmangur kalimin e pushtet, disfunksioni strukturor i Bosnje-Hercegovinës dhe çintegrimi i mundshëm dhe rishfaqja e përçarjeve mes Serbisë dhe Kosovës, të gjitha mbajnë potencionalin e dhunës. Elitat politike në Ballkan flasin për vlerat europiane, por pa i reflektuar në veprime.

Kështu për shembull:

Në Shqipëri me vështirësi u arrit konsensusi parlamentar për reformën e rëndësishme dhe me interes publik, siç është ajo Drejtësisë, implementimi i të cilës ka efekt të jashtëzakonshëm në lidhje me klimën e mirëbesimit të brendshëm dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndërsa priten të zhvillohen zgjedhjet parlamentare të qershorit, vendi është zhytur në krizë të thellë politike. Opozita prej më shumë se 41 ditësh nëpërmjet protestës kërkon qeverisje më të mirë dhe garantimin e zgjedhjeve të radhës si të lira e të besueshme. Shqipëria, e cila nga Raporti i Bashkimit Europian publikuar si një udhërrëfyes për Europolin dhe policitë e tjera të Unionit, ku vlerësohen se aktivitetet e paligjshme, renditet si e para në Europë për prodhim kanabisi dhe shitjen e tij në tregjet e paligjshme europiane. Shqipëria është renditur e katërta, pas Sirisë, Afganistanit dhe Irakut sa i përket numrit të azilkërkuesve të regjistruar si refugjatë në vendet e Bashkimit Europian. Shqipëria, demokratike sot e gjen veten në udhëkryq. Demokracia në Shqipëri vlerësohet shumë më ulët se në shumicën e ish-vendeve të bllokut sovjetik dhe republikave jugosllave. Shqipëria, që renditet mes vendeve më të varfra në rajon  dhe mundësi të kufizuara ekonomike. Shqipëria, ku korrupsioni, paligjshmëria e përhershme dhe dështimi për të forcuar shtetin ligjor, përbëjnë një kërcënim serioz për vetë ekzistencën e demokracisë.

Në Serbi, Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i qeverisë së Millosheviqit në 1999, gjatë luftës në Kosovë, është kryeministër që para dy vitesh dhe shanset janë që ai të jetë kreu i ardhshëm i shtetit pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Vuçiq përgjatë drejtimit të tij, herë duket europianist, e herë i dashuruar me Moskën. Në Serbi pothuaj i gjithë spektri politik promovon ambiciet për një dominim serb të Ballkanit, e këtë përpiqet ta bëjë duke u afruar shumë me Rusinë, teksa përpiqet të ruajë mardhënie jo të ftohta me Brukselin. Zyrtarisht, Vuçiq ditët e fundit vizitoi Moskën, ku u tha se qëllimi i vizitës ishte për të folur për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Vitin e kaluar, Rusia i dhuroi Serbisë gjashtë avionë “MiG 29” dhe dorëzimi i tyre ishte një nga temat e takimit. Vuçiq ka qenë i zënë duke përdorur lidhjet me udhëheqësit botërorë në fushatën e tij presidenciale. Ai është mburrur me marrëdhëniet e tij me presidentin rus, një figurë popullore në Serbi, kur ai i tha transmetuesit kombëtar të Serbisë, RTS, se ai e kishte takuar Putin “më shumë se të gjithë kandidatët e tjerë bashkë”. Vizita ndodhë pak ditë para zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit në Serbi.

Në Maqedoni, acarimi i përplasjeve politike, mund të dalë jashtë kontrollit, duke i rritur më tej tensionet etnike në një Ballkan aspak të stabilizuar. Pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2016, kriza avancoi me grindjen për koalicion kur BDI-ja vendosi që të mos bashkëpunonte më tej me VMRO-DPMNE-në dhe u përshkallëzua nga refuzimi i Gjorgje Ivanovit për t’ia dorëzuar mandatin LSDM-së, me arsyetim se kërkesat e shqiptarëve do ta “shkatërrojnë” vendin. Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka akuzuar Tiranën dhe Prishtinën, për mënyrën sesi është miratuar platforma e përfaqësuesve shqiptarë të politikbërjes në shtetin të cilin ai konsiderohet si qytetari i parë. Publikimi i përgjimeve të zyrtarëve maqedonas dhe qeverisja prej oligarku e ish-kryeministrit Gruevski ka bërë që në Maqedoni të ketë një dallim esencial midis komuniteteve, ku ai i shqiptarëve edhe pse është popull shtetformues, është lënë dukshëm pas dore, më keq ende partitë-klube të shqiptarëve manipulohen lehtësisht si nga Gruevski, ashtu dhe Zaevi.

Në Malin e Zi, Millo Gjukanoviq është në pushtet që prej 21 vjetësh, herë kryeministër, e herë president. Partia e tij, frikshëm gëzon pushtet të padiskutueshëm dhe kështu u rikonfirmua edhe  pas zgjedhjeve të vjeshtës së shkuar . “Millo nuk ka rënë, e kur do të bie nuk dihet”. Ky është një citat i përshtatur nga seriali dikur shumë i njohur televiziv në Malin e Zi për “Gjeknën”, që pasqyronte në mënyrën më të mirë mentalitetin malazez. Në Mal të Zi do të vazhdojë pra sundimi i Gjukanoviqit edhe pas 25 vitesh në pushtet. Në Kosovë situata politike trazohet sa herë flitet në lidhje me, divergjencat e opozitës me qeverinë sa i përket marrëveshjeve të kësaj të fundit me Serbinë dhe Malin e Zi. Motivet e Thaçit për të themeluar ushtrinë, nuk janë mirëpritur as nga NATO, as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Thaçi akuzohet si politikani që gati krejt karrierën e ka ndërtuar duke i hedhur edhe shokët më të ngushtë në grackë. Edhe në vitin 2017 Thaçi po përpiqet që çdo veprim që e bën t’i shërbejë për të mbetur në skenën politike të Kosovës. Por fati i tij politik dhe personal nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se fati i shtetit të Kosovës. Këtë e pati kuptuar mirë Ramush Haradinaj kur dha dorëheqje nga posti i kryeministrit në momentin që e mori aktakuzën nga Tribunali i Hagës.

Në Bosnjë-Hercegovinë Marrëveshja e Daytonit ka prodhuar një konstruksion absurd shtetëror. Me një popullsi me 3,5 milionë banorë ky shtet i vogël ka luksin të ketë dy entitete dhe tri administrata. Federata boshnjako-kroate me 51 për qind e popullsisë është e ndarë në krahinën kroate të Herceg-Bosnës dhe në Bosnjën myslimane; krahas tyre ekziston Republika Srpska me pjesën tjetër të popullësisë, e cila synon bashkimin me Serbinë. Vendi ka tre presidentë dhe tri qeveri dhe180 ministra.

Pak para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe pas dy luftërave ballkanike të viteve 1912 dhe 1913 Fondacioni Carnegie publikoi një raport mbi fuçinë e barotit në Europën Juglindore. Raportin e kishte shkruar një komision ndërkombëtar nën drejtimin e senatorit francez d’Estournelles de Constant. I tronditur nga gjendja në rajon baroni me dëshirë do t’ia kishte vendosur këtë titull raportit të tij; Europa e zënë në sherre dhe veprimet e saj demoralizuese në Ballkan. “Europa duhet të bëjë më shumë, nëse dëshiron të evitojë që Ballkani të bëhet sërish fuçi baroti. Duhet të shikojë se çfarë po ngjan atje, jo t’i mbyllë sytë”, shkruante para pak ditësh e përjavshmja gjerrmane Die Zeit.