Basha : Rama më gënjeu në 18 Maj dhe ka nostalgji për Çadrën

Politika

Për herë të parë, Lulzim Basha pranon se marrëveshja me Edi Ramën ishte një dështim i Partisë Demokratike, që nuk e frenoi dot deformimin e votës në 25 Qershor.

Deklaratën e ka bërë gjatë takimeve me demokratët e Vorës, Kombinatit, Kasharit, Dajtit e Farkës.

Ndonëse 18 Maji legjitimoi kauzën tonë të drejtë para çdo shqiptari dhe para komunitetit ndërkombëtar, nuk arriti as ta frenojë dhe as ta shkatërrojë mekanizmin që ishte vënë në lëvizje. Këtë e dini fare mirë ju. E dinë gjithë demokratët, e dinë gjithë qytetarët. E di unë, e di i madh dhe i vogël se me çfarë u përballëm që javën e parë pas kësaj marrëveshje politike. Me një kundërshtar politik që tashmë kishte minuar tërësisht terrenin elektoral, me shpërndarjen masive të parave të pista të drogës dhe përqindjen e tenderave dhe koncensioneve korruptivë, për të detyruar qytetarët të tjetërsojnë vullnetin e tyre apo duke mbledhur kartat e identitetit. Me angazhimin e plotë të makinës shtetërore në favor të partive të pushtetit dhe natyrisht si gjithmonë shoqëruar nga bandat dhe narkotrafikantët. Në këtë terren u zhvilluan fushata dhe zgjedhjet e 25 Qershorit”, tha Basha.

Por ndërsa pranoi dështimin në marrëveshjen me Edi Ramën, Basha i është rikthyer ditëve të protestës në Çadër.

Përkulem me respektin më të thellë, me mirënjohje time të përjetshme për sakrificën tuaj në Çadrën e Lirisë për 90 ditë e 90 netë me radhë, e cila u dha shqiptarëve jo vetëm kauzë e drejtë për zgjedhje të lira por edhe shpresën për një të nesërme ndryshe. Një raport tjetër midis qeverisë dhe qytetarit. Dhe ky është pikërisht programi i Partisë Demokratike. Ky është programi ynë, një qeveri për qytetarët. Ne e dinim se çfarë gatuhej nga qeveria që erdhi në pushtet me ndihmën e krimit. Droga që mbuloi Shqipërinë ishte dhe është një projekt politik i Partisë Socialiste dhe Edi Ramës” u shpreh Basha./lapsi.al