BB: Programet e partive politike për ulje taksash janë demagogji

646

Drejtoresha e BB: Qeveria shqiptare të shlyejë pagesat e prapambetura ndaj biznesit. Qeveria që do vijë pas zgjedhjeve të 23 qershorit nuk do të ketë mundësi të bëjë ulje të mëtejshme taksash, dhe për më tepër të gjitha premtimet janë bërë në kohë zgjedhjesh. Ky ka qenë opinioni i Bankës Botërore për Shqipërinë, dje gjatë një konference për shtyp, ku ishte e pranishme edhe drejtoresha e re e BB-së Ellen Goldstein, dhe përfaqësuesja për Shqipërinë Ksenya Lvovsky.

Ulja e taksave

Ellen-Goldstein-drejtoreshë-e-Bankës-BotëroreSipas argumentimeve të përfaqësuesve të BB-së, mundësia për të ulur taksat duket e pakët për shkak të detyrimeve të pashlyera të qeverisë ndaj biznesit, rritjes së nivelit të borxhit apo situatës së krijuar në sektorin energjetik. “Cilado qeveri që të formohet pas zgjedhjeve të qershorit në Shqipëri do të përballet me detyrën për të përmirësuar situatën e financave publike, për të përmirësuar efikasitetin e administrimit të të ardhurave tatimore. Megjithatë ne besojmë se cilado që të jetë qeveria që do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve nuk do të ketë shumë hapësirë për të ulur tatimet dhe taksat. Madje kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shumë vende të tjera në rajon,” u shpreh Ksenyia Lvovsky, drejtoresha e BB për Shqipërinë.

Detyrimet ndaj biznesit

Duke qëndruar tek tema e taksave dhe detyrimeve të pashlyera, drejtoresha e re e Bankës Botërore njëherësh koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein, i kërkoi qeverisë shqiptare që të shlyejë pagesat e prapambetura ndaj biznesit, si një hap të parë pozitiv. “Duhet t’u dërgojmë investitorëve sinjalin duhur”, u shpreh ajo. Për sa i përket borxhit publik, Goldsten, e cila ka kryer një vizitë katërditore në Tiranë, pohoi se në Shqipëri ai është i lartë dhe konfirmoi se ekziston një standard global për të pasur një borxh publik prej 40%.

Borxhi publik                 

“Nuk ka ndonjë shifër magjike se sa duhet të jetë borxhi publik. Më e mira është që ai të ulet”, tha Goldstein. Ndërkohë, drejtuesit e Bankës kanë konfirmuar se garancia e Bankës Botërore për CEZ-in nuk është prekur ende. Në një bisedë që zhvilloi me gazetarët, Goldstein tha se, kriza evropiane dhe globale ka ndikuar në tkurrjen e rritjes ekonomike në vend. Pas përfaqësuesit të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Juglindore, Indermit Gill, që i tërhoqi vëmendjen qeverisë për borxhin e lartë dhe heqjen e rregullit për tavanin borxhit, edhe Goldstein tha se vendi ka një çrregullim fiskal. Sipas Goldstein, qeveria duhet të gjejë ekuilibrin mes lehtësive për biznesin dhe shërbimeve për qytetarin, pasi ulja e taksave prek të ardhurat në buxhet, dhe si pasojë do të ndikojë edhe në uljen e shërbimeve të ndryshme.