BB: Spitalet shqiptare, 35% e stafit është administratë, nuk ka lidhje me mjekësinë

24

Mënyra se si administrohet sektori i shëndetësisë dhe shpenzimet që kryhen për të janë shpesh tregues i prosperitetit të një vendi. Shqipëria, përveçse ka shpenzimet më të ulëta në raport me PBB në rajon për shëndetin, ka stafe të spitaleve joefektive.

Banka Botërore, në një raport të fundit për “Rritjen ekonomike dhe prosperitetin në Ballkan”, ka gjetur se në spitalet shqiptare, 35% e stafit janë personel jo mjekësor.

Në vend të mjekëve dhe infermierëve që duhet të ofrojnë shërbimet direkte për të sëmurët, Shqipëria ka mbushur personelin e shëndetësisë me administratë që nuk ka lidhje me sektorin.

Në këtë mënyrë, Shqipëria zë vendin e parë në rajon me administratën e spitaleve që nuk kanë formim mjekësor.

Banka Botërore këshillon që vendet e Ballkanit dhe veçanërisht Shqipëria duhet të ekonomizojë më mirë shpenzimet për shtresat në nevojë të popullsisë.
Synimi më i mirë do të ishte që të uleshin shpenzimet bruto për të rritur financimet për segmentet e shoqërisë që kanë më shumë nevojë. Në vendet ku shpenzimet shtetërore janë të mëdha, reduktimet do të lehtësonin presionin ndaj llogarive fiskale dhe do të zvogëlonin borxhin.

Normat e jetëgjatësisë, vdekshmëria foshnjore dhe amtare në Ballkanin Perëndimor janë më të mira se sa në vende të tjera me të ardhura të ngjashme për banorë.

Por sëmundjet jo të transmetueshme janë një rrezik në rritje për shëndetin, duke e kompromentuar cilësinë e jetës dhe produktivitetin në këto vende.

Faktorë të tillë si pirja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit që janë sëmundje jongjitëse kanë norma të larta rritjeje në vendet e Ballkanit.

Bosnja dhe Hercegovina ka normat më të larta të pirjes së duhanit në botë, ku 9 në 10 të rritur tymosin cigare. Pothuajse të gjitha vdekjet e parakohshme në Ballkan i atribuohen sëmundjeve të mëdha jo të transmetueshme.