BE: 90% e emigrantëve paguajnë kriminelët dhe trafikantët për të kaluar kufirin

Emigracioni Foto e Ditës Kryesore

Evropa, në dy vitet e fundit priti rreth 1 milion emigrantë.

Në dy vitet e fundit Evropa ka përjetuar lëvizjen më të madhe masive të njerëzve që nga Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se 1 milion refugjatë dhe emigrantë arritën në Bashkimin Evropian, shumica e të cilëve u përpoqën t’i shpëtonin luftës dhe terrorit në Siri dhe vende të tjera të trazuara.

BE ka rënë dakord mbi një sërë masash për të trajtuar krizën. Këto përfshijnë përpjekjet për të adresuar shkaqet themelore të krizës, si dhe një rritje të konsiderueshme në ndihmë për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë humanitare, brenda dhe jashtë BE-së.

BE ka një detyrim ligjor dhe moral për të mbrojtur ata që janë në nevojë. Shtetet Anëtare janë përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesave për azil dhe për vendosjen se kush do të jetë i mbrojtur.

Por të gjithë ata që vijnë në Evropë nuk kanë nevojë për mbrojtje. Shumë njerëz po largohen nga vendi i tyre në një përpjekje për të përmirësuar jetën e tyre. Këta njerëz shpesh përmenden si emigrantë ekonomik dhe nëse aplikimi i tyre për azil nuk pranohet, qeveritë kombëtare kanë detyrimin t’i dërgojnë ata në vendin e tyre të origjinës ose në një vend tjetër të sigurt nga i cili kanë kaluar.

Mijëra njerëz kanë humbur jetën në det duke u përpjekur për të arritur në BE. Pothuajse 90% e refugjatëve dhe emigrantëve kanë paguar kriminelët e organizuar dhe trafikantët për të kaluar kufirin. Prandaj ata quhen emigrantë “të parregullt” – domethënë ata nuk kanë hyrë ligjërisht në BE.

Në total, BE-ja ka ndarë më shumë se 10 miliardë euro nga buxheti i saj për të trajtuar krizën e refugjatëve në vitin 2015 dhe 2016. Shumica e njerëzve që vijnë në BE kanë nevoja themelore si uji i pastër, ushqimi dhe strehimi. BE financon projekte për të adresuar nevojat më urgjente humanitare të 50.000 refugjatëve dhe emigrantëve të pritur në Greqi që nga maji i vitit 2016.

BE siguron gjithashtu ndihmë humanitare për refugjatët dhe emigrantët në vende jashtë BE-së, si Turqia, Libani, Jordania dhe Iraku. Turqia pret deri tani numrin më të madh të refugjatëve, gjithsej rreth 3 milion, nga të cilët 2.5 milionë janë sirianë. Në mbështetje të refugjatëve në Turqi, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj i sigurojnë 6 miliardë euro nëpërmjet një mekanizmi të veçantë për periudhën 2016-2018. BE ka rritur kapacitetin e saj për të kryer operacione kërkimi dhe shpëtimi në Mesdhe dhe për të luftuar rrjetet kriminale. Duke shumëzuar resurset në dispozicion, ai ndihmoi në shpëtimin e më shumë se 250. 000 jetë në vitin 2015.

Shtetet Anëtare të BE ranë dakord në qershor 2016 për të krijuar një roje të re evropiane kufitare dhe roje bregdetare për të forcuar menaxhimin dhe sigurinë e kufijve të përbashkët të jashtëm të BE. Zyra Europiane e Policisë ka ngritur një Qendër të re Evropiane kundër Migracionit të Paligjshëm për të mbështetur Shtetet Anëtare të BE-së në çmontimin e rrjeteve kriminale të përfshira në kontrabandën e organizuar të migrantëve.