Berisha: Do hapim 250 mijë vende të reja pune, PS-ja mashtron

553

berisha-qeveri-flettE kthyer tashmë në kryefjalë të ditës për kryeministrin Berisha, për të, gjatë 4 viteve të ardhshme do të ketë rritje të punësimit. Ky premtim është dhënë në inaugurimin e segmentit rrugor Gramsh-Kodovjat.

“Rruga që ne ndërtojmë është një shans dhe një potencial i madh për punësim, sepse ajo hap tregun dhe bën që prodhimet tuaja të shiten me koston më të ulët të transportit.

Gjatë këtyre viteve ne kemi ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë me të cilat kanë punuar jo më pak se 58 mijë forca pune. E tërë përpjekja jonë është të krijojmë sa më shumë vende pune”, deklaroi Berisha.Kryeministri ka garantuar se gjithçka është e mundshme, e realizueshme dhe aspak e ngjashme me alternativën e PS-së për punësimin.

“Alternativa tjetër është gënjeshtër dhe vetëm gënjeshtër. Ne premtojmë se në 4 vitet që vijnë do të ketë edhe 250 mijë vende të reja pune. Këtë premtim e kemi shumë real, shumë konkret. Vetëm 4 vitet që shkuan, Qeveria pajisi me grande 42 mijë familje shqiptare, por nëse ne kemi bërë kaq, krijuam dhjetëra mijëra vende pune, katër herë më shumë ka investuar sektori privat në ferma”, tha Berisha.