Berluskoni: Përveç zgjedhjeve, dua të fitoj dhe Champions League

480

Silvio Berluskoni befason me deklaratat e tij në prag të zgjedhjeve parlamentare në Itali, ku ai kryeson polin e qendrës së djathtë, ndërkohë që mban lidhje të vazhdueshme me skuadrën e Milanit, që pak ditë më parë mundi Barcelonën e madhe 2-0, duke ngjallur entuziazëm në futbollin italian. Madje Berluskoni ka rritur pretendimet pas kësaj fitoreje të madhe. Fitorja me Barcelonën ka karikuar jo pak ambientin kuqezi, duke nisur që nga presidenti Berluskoni, i cili, edhe pse nuk komplimentohet me Alegrin, feston fitoren e Milanit. “Kemi fituar, madje pa shumë përpjekje, kundër skuadrës më të fortë në botë, – theksoi ai. – Champions-in apo fitoren e zgjedhjeve? i dua të dyja, madje nuk kënaqem as me vendin e tretë në Serinë A”. Pikërisht, për garën e titullit kampion ai përqendrohet te Baloteli: “Është gjeni dhe një kampion i ri në moshë”. Presidenti i Milanit mbush me gëzim dhe nuk i vë limite një skuadre, e cila, edhe pse nisi si aspak favorite, përkundrazi e nënvlerësuar, nisi të vraponte deri në momentet e fundit të shfaqjes në “San Siro”, kundër Mesit dhe shokëve të tij. “Mund të fitojmë Champions-in. Kë do të zgjidhja në kampionat mes Juventus dhe Napoli? Zgjedh Milan. Mund të shkojmë shumë më lart sesa vendi i tretë, – deklaron Berluskoni. – Skuadra, pas javëve të para, u konsiderua si e shpërfytyruar dhe disa hidhnin hipotezën e luftës për mbijetesë. Ishte një ironi ndaj rinovimit të kërkuar prej meje. Kjo ndodh sepse shtypi sportiv nuk është aspak objektiv, ashtu si dhe ai politik”. Njeriu i duhur për ngritjen në kampionat? Baloteli. “Është një gjeni dhe ka të gjitha kualitetet për të qenë një kampion i ri si El Sharaui, De Skilio dhe të tjerët. Mbi këtë bazë po ndërtojmë Milanin e 10 viteve të ardhshme”.
Në vitet me “3”, Milani ose Juventus në finale

Ka gjëra që shumë njerëz nuk i shpjegojnë dot, ndërkohë që matematicienët do ta quanin një probabilitet shumë i vështirë, një rastësi që gjithsesi ndodh. Por ka dhe çështje fati në histori të tilla. Dhe pikërisht historia ka treguar se duke nisur që nga viti 1963, Milan ose Juventus kanë qenë në çdo finale të Champions League, e cila është luajtur në çdo vit që ka mbaruar me 3. Kuqezinjtë fituan Champions League-n në vitin 1963 në finale ndaj Benfikës, ndërsa Juventus ka qenë dy herë në finale, përkatësisht në vitin 1973 dhe 1983, të cilat i ka humbur të dyja. Në vitin 1993, Milan ishte sërish në finale ku u mposht nga francezët e Marsejë, ndërsa në vitin 2003, të dyja skuadrat italiane u përballën në ndeshjen finale të fituar me penallti nga kuqezinjtë. Tashmë që është viti 2013, shumë supersticiozë besojnë të paktën njëra nga të dyja skuadrat do të jetë në finalen e Champions League-s.
Finalet e Champions League:
1963 Milan 2-1 Benfica
1973 Ajaks 1-0 Juventus
1983 Hamburg 1-0 Juventus
1993 Marsejë 1-0 Milan
2003 Milan 0-0 Juventus (Milan fitoi me penallti) Adriatik BALLA