BSH: Borxhi i jashtëm i qeverisë u rrit me 10% gjatë 9-mujorit

127

Banka e Shqipërisë raportoi se qeveria mban peshën kryesore në stokun e Borxhit të Jashtëm Bruto (BJB). Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 10% dhe në fund të muajit shtator 2016 shënon 3,373 milionë euro. Më tej, Banka Qendrore sqaron se Borxhi i Qeverisë së Përgjithshme (qendrore) përbëhet nga huatë afatgjata, obligacionet dhe dëftesat. Teprica e huave afatgjata u rrit me rreth 204 milionë euro dhe ajo e obligacioneve me 103 milionë euro – për zhvillime të ndodhura kryesisht në tremujorin e katërt të vitit 2015, ndërsa gjatë nëntëmujorit të vitit 2016 rritja ka qenë më e ngadaltë. Huatë e Qeverisë së Përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 1% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori.

Në fund të muajit shtator të vitit 2016, Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë shënoi rreth 7,924 milionë euro. Gjatë tremujorit të tretë të vitit, stoku i BJB u zgjerua me rreth 44 milionë euro, ndërsa referuar së njëjtës periudhë të një viti më parë, stoku është rritur me 488 milionë euro.

Në rreth 77% të vëllimit, BJB është në trajtën e borxhit afatgjatë – kryesisht në formën e huave të zotëruara nga Qeveria e Përgjithshme. Borxhi afatshkurtër zotërohet kryesisht nga Bankat. Sektori i Qeverisë së Përgjithshme zotëron pjesën kryesore të BJB, me rreth 43% të vlerës. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Bankave (17%), Sektorëve të tjerë (16%), Autoritetit monetar (1%) dhe hua midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt (23%).

Stoku i borxhit të Autoritetit Monetar ose Bankës së Shqipërisë ra përgjatë vitit me rreth 17% si pasojë e shlyerjes së huave të garantuara nga Qeveria dhe në fund të muajit shtator 2016 shënon 62 milionë euro. Në masën më të madhe, ky borxh përbëhet nga alokimet e SDR-së (93%), ndërsa huatë afatgjata të akorduara nga FMN-ja zënë respektivisht 7%.

Në fund të periudhës, stoku i Borxhit të Jashtëm Bruto të sistemit bankar shënoi rreth 1,367 milionë euro duke u rritur me 71 milionë euro me një vit më parë. Përbërësit kryesorë të borxhit të bankave mbeten “monedhat dhe depozitat” dhe “huatë”, të cilat përfaqësojnë përkatësisht rreth 83% dhe 12% të totalit të borxhit të bankave. Stoku i borxhit të Sektorëve të Tjerë shënoi 1,301 milionë euro, në rritje gjatë vitit me 2%. Borxhit të jashtëm në formën e huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte – huave ndër kompani” arriti nivelin prej 1,821 milionë eurosh, duke u zgjeruar në harkun kohor të një viti me 95 milionë euro.

Nga pikëpamja e instrumenteve financiarë, akumulimi i stokut të borxhit të jashtëm vijon të mbetet i përqendruar në formën e “investimeve të tjera” (me 70% të stokut të borxhit), kryesisht “hua”. Ndërkohë, “Investimet direkte” – shprehur në formën e huave midis kompanive – dhe “investimet e portofolit” përfaqësojnë së bashku rreth 30% të totalit të borxhit të jashtëm. Në harkun kohor të një viti, stoku i borxhit në formën e “huasë” u rrit me 185 milionë euro dhe në fund të muajit shtator 2016 shënon 3,939 milionë euro. Në të njëjtën kohë, borxhi në formën e “monedhave dhe depozitave” shënoi rritje me 94 milionë euro dhe borxhi në formën e kredive tregtare u rrit me 19 milionë euro.

Vlera e përgjithshme e tërheqjeve ose fluksi i borxhit të ri gjatë tremujorit të tretë të vitit 2016 për të gjithë ekonominë ishte 103.4 milionë euro. Tërheqjet e borxhit të ri gjatë këtij tremujori për të dy sektorët, publik e privat, shënuan përkatësisht vlerat 60.5 dhe 42.9 milionë euro. Rreth 58% e vlerës së borxhit të tërhequr gjatë periudhës i përket Qeverisë së Përgjithshme, ndërkohë Bankat kanë marrë rreth 37% të borxhit të periudhës.

Shërbimi i borxhit (pagesat e principalit dhe të interesit) për të gjithë sektorët e ekonomisë, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2016, shënoi vlerën 75 milionë euro, dhe ka ardhur në rënie krahasimisht me periudhën paraardhëse. Nga këto, rreth 31 milionë euro u paguan nga Qeveria e Përgjithshme, 10 milionë euro nga Sektorët e Tjerë, 23 milionë euro nga Sistemi Bankar dhe 10 milionë euro nga Autoriteti Monetar. Nga vlera gjithsej e shërbimit të borxhit gjatë periudhës rreth 82% ka shkuar për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe rreth 18% ka shkuar për shlyerjen e interesave.

Bankat mbajnë peshën kryesore në shlyerjet e principalit për tremujorin e tretë të vitit 2016, me rreth 23 milionë euro ose 38% të vlerës së përgjithshme të principalit, ndërsa Qeveria e Përgjithshme mban peshën kryesore në shlyerjen e pagesave të interesit, me rreth 12 milionë euro ose 89% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia./Monitor/