De Biazi: Franca mbetet qëllimi ynë

Sporti

 

de biazi i vogelXhani De Biazi e thotë hapur. Kualifikimi për në Evropianin “Francë 2016” është objektivi kryesor i kombëtares shqiptare dhe sipas tij, ekipi do të bëjë gjithçka për ta arritur. I ftuar në një eveniment, që organizohej në Itali, tekniku i kombëtares kuqezi ka treguar edhe modelin që duhet ndjekur për të arritur majat. Sipas tij është ai gjerman, ndërsa Italia po shumë krizën ekonomike. “Të isha trajner i një kombëtareje ka qenë gjithmonë ëndrra ime e madhe. Kur zgjodha Shqipërinë nuk u mendova dy herë edhe pse kam pasur oferta nga një tjetër ekip. Pavarësisht se Shqipëria është një kombëtare e vogël, nuk e kuptoni emocionin që na falin tifozët kur fitojmë një ndeshje. Fitorja me Portugalinë ishte një prej atyre ndeshjeve që do të mbahen mend gjatë në memorien time, por edhe të gjithë shqiptarëve”, ka thënë trajneri De Biazi. Ai ka folur gjithashtu edhe për Botërorin e Brazilit duke treguar se ishte një objektiv kryesor i kombëtares shqiptare. “Në Brazil kemi parë një botëror spektakolar me një Gjermani, që i dominonte të gjithë sepse kishte një organizim perfekt dhe ka pasur forcë për të marrë në ekip lojtarë që nuk janë gjermanë. Ata kanë projekte afatgjata që duhen kopjuar edhe nga kombëtaret e tjera. Kanë punuar shumë si në aspektin e të rinjve dhe besoj se kjo gjë ka sjellë frytet e veta”, ka treguar më tej trajneri i kombëtares Xhani De Biazi. Shqipëria gjithashtu ka arritur të marrë rezultate shumë pozitive gjatë kësaj kohe dhe De Biazi shpjegon momentin kuqezi. “Të kualifikoheshim në Evropian do të ishte jashtë pritshmërive të të gjithëve duke parë grupin e vështirë në të cilin ndodhemi. Megjithatë jemi nisur mjaft mirë dhe kemi bërë ndeshje vërtet pozitive. Më ka ngelur në mendje ndeshja me Serbinë ku ishim duke luajtur shumë mirë dhe kishim shanse reale për të fituar. Po barazonim në një ndeshje të vështirë, por pastaj të gjithë e panë atë që ndodhi. Për më tepër vendimi nga UEFA ishte i padrejtë sepse Shqipëria meritonte fitoren”, tregon De Biazi më tej. Numri një i kuqezinjve ka folur edhe për kampionatin italian. “Është duke vuajtur krizën ekonomike dhe besoj se shumë shpejt do të ringrihet. Ka shumë pak talente dhe teknikisht është më i varfër në këto momente. Nuk kam nostalgji për Italinë. Ndoshta do të rikthehem vetëm për ndonjë projekt shumë serioz. Kriza ekonomike duket se ka përfshirë edhe futbollin, prandaj duhet që futbolli të punojë shumë në këtë aspekt”, ka përfunduar trajneri i kombëtares De Biazi.