Deklaratë e Unionit të gazetarëve Shqiptarë

Korrupsion Kryesore

unioni ne focus-44Tiranë –  Kriza ekonomike dhe financiare në media si dhe informaliteti po shumëfishojnë poshtërimin e gazetarëve në vend. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë publikon letrën që një grup i madh punonjësish dhe gazetarësh të Televizionit Agon Channel i drejtojne kryetarit të UGSH, në të cilën kërkohet solidaritet për vënien në lëvizje të institucioneve dhe autoriteteve ligjore të vendit për padrejtësinë që lihet në fuqi prej muajit maj të vitit 2015 në këtë media.
Në letrën e punonjësve të Agon Channel, theksohet se prej muajit maj të vitit 2015 punonjësit nuk janë paguar. Ata janë të shqetësuar dhe të fyer nga situata e krijuar. Edhe pse pronari i televizionit Francesco Beccetti gjëndet në probleme gjyqësore, punonjësit dhe gazetarët e kësaj medieje kanë vijuar normalisht punën dhe ruajtjen e transmetimeve televizive.

Në letrën e tyre drejtuar UGSH, punonjësit shtojnë se edhe pse administratës së televizionit vijueshmerisht i kërkohen shpjegime për këtë situate, e cila po rëndohet dita-ditës, ende nuk ka një përgjigje zyrtare. Punonjesit i jane drejtuar edhe Ministrisë së Financave për t’u informuar se ç’farë rruge duhet ndjekur, pas kalimit në sekuestro preventive të televizionit, por reagimi ka ardhur përmes Agjensisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, sipas të cilit nuk mund të bëhet asnjë veprim.
Përballë kësaj situate punonjësit kërkojnë solidarizimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptare si publikimin e këtij problemi që po zgjat prej tri muajsh për dhjetra gazetarë, ekspertë dhe punonjës të kësaj medieje.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i drejtohet Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës zotit Adriatik Llalla që duke respektuar legjislacionin e vendit, procesi i sekuestros dhe i hetimit të mos penalizojë indirekt gazetarët dhe punonjësit e televizionit Agon Channel, por në bazë të Kodit të Punës dhe legjislacionit përkatës të mundësojë shpërblimin financiar të punonjësve për punën dhe mundin e kryer në përditshmëri. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon nga ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, zoti Blendi Klosi të venë në lëvizje Inspektoratin e Punës dhe institucionet e tjera për zhbllokimin e financave për gazetarët dhe punonjësit e kësaj medieje.
Në pritje të reagimit zyrtar dhe zgjidhjes pa vonesë të kësaj situate, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë paralajmëron përshkallëzimin e reagimeve dhe qëndrimeve tona sociale.
Ditën e hënë, datë 27/07/2015 drejtuesit e UGSH do të dalin në një konferencë për shtyp për denoncimin e situatës dhe paraqitjen e të dhënave të fundit rreth realitetit të krizës financiare dhe informalitetit në mediat e vendit.

UGSH denoncon rishtazi se kriza e rënduar financiare dhe informaliteti i shtuar në media, po shumëfishojnë poshtërimin e gazetarëve dhe punonjësve në mediat shqiptare.

Zyra e Shtypit
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Tirane me 24.07.2015