Deputeti Toçi: Pa regjistrim, realizimi i votimit të emigrantëve në vendet ku jetojnë është i pamundur

Emigracioni Kryesore

fatmir toci-vota e emigranteve

Deputeti i Partisë Socialiste z. Fatmir Toçi, lidhur me të drejtën e votimit të emigrantëve është shprehur për gazetën elektronike të emigrantëve shqiptarë në Greqi (www.focusnews.al), si më poshtë:

“Emigrantët, kudo që nevoja dhe fati i ka hedhur, në të shumtën e herës pa dëshirën e tyre, janë pjesë integrale e kombit dhe shtetit të tyre dhe e kanë të drejtë kushtetuese që të marrin pjesë në jetën politike, shoqërore, ekonomike, kulturore etj, si të gjithë shtetasit e tjerë që jetojnë, punojnë e studiojnë brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Është e vërtetë që kjo e drejtë asnjëherë nuk u është mohuar atyre, por është po aq e vërtetë se asnjëherë në këtë çerek shekulli nuk u realizua infrastruktura e nevojshme zgjedhore që do të mundësonte procesin e votimit për emigrantët në vendet ku ata ndodhen në emigrim.

Është e vërtetë që kjo nuk ka qenë e lehtë për t’u realizuar, pasi edhe vetë fenomeni i emigracionit shqiptar, për shkak të gjendjes dhe rrethanave politike të pastabilizuara në Shqipëri përgjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë i paorganizuar, spontan, i pasigurtë dhe me kosto e dhimbje të madhe për shqiptarët duke sjellë, si pasojë, vështirësi të mëdha për kontrollin dhe evidentimin me saktësi të tyre në vendet e qëndrimit. Por më evidente mbeten përpjekjet e pakta nga ana e shtetit shqiptar përgjatë kësaj periudhe për ta marrë seriozisht dhe realizuar një proces të tillë, i cili, me siguri, do ta rriste ndjeshëm numrin e votuesve në zgjedhjet vendore apo ato të përgjithëshme, duke i dhënë mundësi çdo shtetasi për të shprehur vullnetin e tij për mënyrën dhe forcën qeverisëse, por duke i dhënë edhe një bazë legjimiteti më të fortë fituesve të këtyre zgjedhjeve.

Në të gjitha rastet është preferuar thirrja për të marrë pjesë në votime në qendrat e ngritura në Shqipëri, duke ua lënë forcave politike apo individëve të interesuar e të përfshirë në proces për të mundësuar udhëtimin e tyre, por duke u krijuar një kosto reale për mundin dhe  kohën që do t’u kushtonte ky proces, nga i cili ata, realisht, kanë përfituar shumë pak, po ta krahasojmë edhe me kujdesin që tregojnë qeveritë e vendeve të tjera për emigrantët e tyre nëpër botë. Me gjithë sensibilizimin që ka sjellë politika, dëshira dhe ndërgjegjësimi i pjesës më të madhe të emigrantëve, vetëm një pjesë e vogël ka mundur të marrë pjesë në procesin e votimit në Shqipëri; dhe numri i tyre ka ardhur vazhdimisht duke u zvogëluar, duke ndikuar ndjeshëm në fenomenin shqiptar të pjesmarrjes së ulët në votime, në jo më shumë se 50 % të votuesve.

Ajo që e kanë bërë pothuaj të gjitha forcat politike në periudhat parazgjedhore është premtimi se edhe emigrantëve, kudo që të ndodhën, do t’u krijohej mundësia që të shprehnin vullnetin e tyre nëpërmjet zgjedhjeve në vendet ku ata jetojnë duke respektuar ligjet dhe rregullat shteteve respektive. Deri më sot, të gjithë e dinë, ky premtim nuk është realizuar, por edhe nuk janë bërë as përpjekjet për ta filluar si proces.

Edhe për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 duket i vështirë realizimi i votimit në vendet ku emigrantët jetojnë, edhe pse përpjekjet nuk kanë reshtur dhe akoma shihet si mundësi realizimi i kësaj kërkese të përhershme të emigrantëve. Qeveria e dalë nga zgjedhjet e para tre vjetëve e ka në programin e saj politik realizimin e këtij procesi, si e drejtë legjitime e shqiptarëve jashtë Atdheut. Por strukturat e ngritura në dikasterin përkatës, grupet e punës me në krye një zëvëndësministër të Punëve të Brëndshme, ambasadat shqiptare nëpër botë etj. janë ndeshur me një problem serioz për të zgjidhur, siç është perpilimi i Regjisterit Themeltar të Emigrantëve që do të shërbejë si dokumenti bazë për hartimin e listave të zgjedhësve. Pa këtë Regjistër realizimi i votimit të emigrantëve në vendet ku jetojnë është i pamundur.

Gjithësesi, le të shpresojmë. Deri në ditën e votimit janë akoma edhe 8 muaj”, përfundon deputeti Fatmir Toçi.