E ardhmja: Shishtaveci, Novosej dhe Topojani, një pol turistik dhe zhvillimi ekonomik

Opinion

Nga Azem Parllaku /

Perspektiva e ardhshme përmes turizmit malor është një prej mundësive të zhvillimit të zonës që përfshin njësitë administrative Shishtavec dhe Topojan në Kukës. Edhe pse deri më sot nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë, projektet të cilat mund të hidhen në zbatim, do të kenë për qëllim, rritjen e mundësive të punësimit përmes turizmit në këtë rajon ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke zhvilluar dhe promovuar turizmin malor.

Gjatë gjithë hisorisë së zhvillimit, zona në fjalë ka pasur si veprimtari ekonomike kryesore bujqësinë dhe blegtorinë, ushtrimi i të cilave lidhet ngushtë me kushtet natyrore të zonës, veçanërisht me praninë e pllajave dhe të kullotave. Krahas këtyre dy aktiviteteve, i rëndësishëm ka qenë edhe artizanati, si nevojë për plotësimin e kërkesave të banorëve të zonës për veshje dhe orendi të tjera shtëpiake.Si pjesë e identitetit ekonomik turizmi i cili, ndonëse ende jo shumë i njohur për banorët, do t’i japë zonës një tjetër impuls zhvillimi, duke përfaqësuar një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik të saj, bazuar në ruajtjen dhe përdorimin e vlerave të veçanta të kulturës, natyrës, biodiversitetit dhe të traditës lokale të jetesës së komunitetit, dhe veprimtarive të tij bazë ekonomike si bujqësia, blegtoria dhe ekonomia pyjore.

Aktualisht qëndrimi i banorëve në lidhje me turizmin ndikohet nga mungesa e njohjes së përfitimeve që mund të rrjedhin prej tij, duke qenë se përfaqëson një veprimtari të futur rishtazi në gamën e aktiviteve ekonomike në zonë, si dhe nga njëfarë frenimi psikologjik si rrjedhojë e mungesës së traditës dhe përvojës në këtë veprimtari. Që të jemi realistë, bëhet fjalë për banorë që jetojnë në kushte të vështira, ku infrastruktura bazë, rrugë, energji, infrastruktura arsimore e shëndetësore janë të këqija dhe pa diskutim ka një shkallë të lartë mosbesimi për perspektivën afatshkurtër, ç’ka ka sjellë largime masive të të rinjve drejt vendeve të Perëndimit.

Vendosja e turizmit në krye të skenarit të zhvillimit nuk do rezultonte aspak si një zgjidhje artificiale për zhvillimin e zonës, duke qenë se territori zotëron burimet e duhura natyrore dhe humane që favorizojnë këtë veprimtari ekonomike. Një strukturë e tillë e ekonomisë së territorit, ku krahas veprimtarive tradicionale përfshihet edhe një veprimtari më moderne, që tërheq vizitorë dhe thith investime, do të mund të nxisë nga ana tjetër edhe atë që njihet si “konkurrenca mes territoreve”, një prej shtysave kryesore të zhvillimit të zonave, falë ekzistencës së këtij avantazhi krahasues.

Kështu, gradualisht, me zgjidhjen e disa problemeve të karakterit infrastrukturor, me provomivin e turizmit dhe me përshtatjen e familjeve për ta pranuar gjerësisht rëndësinë dhe vlerën e tij, kjo veprimtari do të mund të inkuadrohet më së miri në profilin ekonomik të zonës, duke i dhënë asaj një tjetër dimension identitar, atë turistik. Është pikërisht turizmi i cili do të mund të shërbejë si çelësi apo impulsi i duhur drejt sigurimit të një zhvillimi endogjen të zonës, duke mundësuar shfrytëzimin efikas të resurseve të zonës dhe duke vënë në lëvizje kapitalin human të saj drejt nismave sipërmarrëse. Zhvillimi i veprimtarisë turistike do të mund të ndikojë pozitivisht në drejtim të frenimit të largimit të popullsisë dhe veçanërisht të moshave të reja, të cilat, duke qenë pak të prirura të angazhohen në sektorin bujqësor, do të mund të orientohen drejt sektorit të turizmit, i cili është më i pranueshëm për këtë kategori moshore.

Përvoja ka treguar se nëpërmjet turizmit, rritet dëshira e të rinjve për të mësuar gjuhë të huaja, për të krijuar profilin e tyre të guidës turistike dhe të bujtinave apo shërbime të tjera në turizëm. Në tërësi, mund të thuhet se turizmi do të mund të garantojë një progresi social-ekonomik të vazhdueshëm, në përputhje të plotë me vokacionin e territorit. Përcaktimi i turizmit si “motorri” i ekonomisë së zonës do t’a shndërrojë zonën në një pol turistik dhe zhvillimi ekonomik në tërësi, duke shërbyer si një model edhe për territore të tjera.

Çfarë mund të ofrohet konkretisht?! Në tërësi majat e maleve dhe kullotat më të mëdha alpine në vend, ofrojnë mbi të gjitha hiking (ecje në mal-shtegtim), por në mjaft pjesë të territorit ofrohet edhe mountains biking (ecje me biçikleta malore). Shtigjet bashkojnë parqet kombëtare të tre shteteve atë të Sharrit me Parkun Natyror Korab-Koritnik.

Rajoni ofron pasuri nga më të rëndësishmet të biodiversitetit dhe atraksionit turistik. Gjatë viteve të fundit me investime të vetë banorëve kryesisht në Shishtavec dhe në Novosej, është registruar shtimi i turistëve, gjë që ka sjellë dhe motivimin e banorëve. Fillimi është shumë i vështirë, veçanërisht skepticizmi për numrin e turistëve, por duke shkëmbyer edhe përvoja me zonat e tjera të Shqipërisë, veçanërisht atë të Alpeve shqiptare, në vitet në vijim do të shtohet numri dhe kapacitetet e njësive akomoduese si dhe shërbimet e tjera turistike.

Bashkëpunimi midis grupeve të interesit dhe ndërtimi i standardeve të përbashkëta minimale, lidhur me guidat turistike, sinjalistikën turistike, mikpritjen në bujtinat dhe stanet është çelësi i duhur për të arritur suksesin. Element tjetër shumë i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi ndërinstitucional i strukturave qeveritare dhe pushteteve vendore të Shqipërisë dhe Kosovës, ku mund të veçohet mirëkuptimi i strukturave të Policive Kufitare, që të lehtësojnë procedurat e kalimit kufitar të turistëve. Turizmi agro-kulturor është padyshim i pari në degët e turizmit potencial në zonë.

Përparësia absolute, që ka ky lloj turizmi, lidhet me ushqimet origjinale, që mund të ofrohen për turistët, duke filluar nga produktet shtazore, djathi, qumështi, mishi, tek ato bimore, si frutat e pyllit, etj. Bujtinat janë e ardhmja e zhvillimit të këtij turizmi. Ndonëse nuk ka ndonjë projekt të mirëfilltë, shumë banorë të zonës po ndërtojnë shtëpi të reja, lehtësisht për të funksionuar, si bujtina për turistët vendas dhe të huaj. Turizmi i aventurës, me alpinizmin, ngjitjen në mal. Përmendur edhe më lart, ecjet në mal dhe ecja me biçikleta malore e bën ngjitjen malore një nga format më atraktive të turizmit në zonë.

Ky lloj turizmi, që ka si target kryesisht të rinjtë, është një turizëm, që mund të zhvillohet si një biznes familjar në hotele të vogla dhe në bujtina. Turizmi mjekësor rrjeshtohet gjithashtu si një turizëm me potencial të jashtëzakonshëm. Sasia e madhe e ujrave, lëndinave, pyllit të mështeknës dhe pyllit halor e bëjnë një nga vendet më të lakmueshme në botë për turizmin mjekësor. Qendrat e trajtimin mjekësor dytësor mungojnë totalisht në Shqipëri dhe janë shumë të lakmueshme për gjithë Europën.

Ky lloj turizmi kërkon investime më të mëdha sesa dy të parat, investime, që mund të vijnë nga jashtë zonës, por vendet e shumta të punës për personelin ndihmës dhe shitja e produkteve të ndryshme ushqimore janë një leverdi e madhe për banorët vendas. Turizmit elitar i ofrohen mundësi zhvillimi potenciale më shumë se askund në Shqipëri. Pllajat pa fund janë fusha të gatshme golfi, të cilave po t’u shtosh pamjet piktoreske të maleve rreth e rrotull dhe ato të burimeve ujore, kanë kushtet për resorte madhështore, si rrallëkund në Europë. Ky lloj turizmi mund të zhvillohet vetëm nga kompani të mëdha.

Ardhja e operatorëve të këtyre përmasave nuk lidhet vetëm me kushtet që ofrohen në zonë, por është një cështje e thithjes së investimeve të huaja direkte nga ana e qeverive shqiptare. Mundësitë potenciale për resorte të mëdha turistike e bëjnë Shishtavecin, Novosejn, Borjen e Topojanin një nga zonat më të rëndësishme të vendit, si burim të ardhurash për ekonominë kombëtare. Ky material u konsultua me; Hekuran Vladi-Lura, ekspert i ekonomisë Lumnir Basha, studiues i natyrës