Është pa kthim politika e Shqipërisë

683

meta ne profil

Prononcimi për media i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta.

Do të dëshiroja të thoja që opozita të merrte pjesë në seancën e nesërme plenare, jo thjesht për t’u rikthyer në Parlament, por edhe për të plotësuar përfaqësimin që i takon në dy Komisionet Hetimore që Kuvendi ka vendosur të ngrihen me kërkesën e saj.

Me këtë rast dua të theksoj angazhimin e grupeve parlamentare të mazhorancës për të vendosur emrat që do të përfaqësojnë në përputhje me rregulloren, mazhorancën në këto dy komisione.

Kjo do të ishte pozitive edhe në kuadër të një klime të re politike në Kuvendin e Shqipërisë dhe të një bashkëpunimi të dobishëm në interes të reformave që kërkon zhvillimi i vendit dhe procesi i integrimit evropian.

 Pyetje nga gazetarët

 Meta, dje ka pasur një debat në Komisionin e Ligjeve lidhur me dekretet e Presidentit të Republikës, ndërkohë që të gjitha dekretet që mbërrijnë në Kuvend rrëzohen nga mazhoranca. A do të gjendet një zgjidhje apo do të vazhdohet akoma me këtë situatë?

Besoj se debatet janë gjithnjë të dobishme, por në rastin konkret do t’i ftoja të gjithë të kuptojnë rëndësinë e procesit dhe të mos ndikohen emocionalisht, pasi ky proces përzgjedhës të kandidatëve për anëtar të Gjykatës së Lartë, në përputhje edhe me vetë kërkesën e ligjit, ka nevojë edhe për vendosjen e kritereve shtesë si rezultat i një konsultimi që duhet të realizohet midis Presidentit dhe Kryetarëve të Grupeve Parlamentare dhe që më pas është mbështetur edhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Shpresoj që ky konsultim për vendosjen e këtyre kritereve shtesë të realizohet sa më shpejt për të ecur më tej me përzgjedhjen e kandidatëve gjithnjë bazuar mbi kriteret.

Kam dy pyetje, e para gjatë kësaj kohe politika shqiptare është përfshirë në deklarata dhe replika kundrejt deklaratave të politikanëve të Serbisë pas asaj që ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Ndërkohë që kanë qenë më të pakta deklaratat apo prononcimet e juaja. A ka kjo të bëjë me një raport më të mirë tuajin me politikanët serbë apo i keni konsideruar të mjaftueshme reagimet e institucioneve shqiptare?

E dyta, ka pasur gjithashtu një opinion të ndarë nëse pas deklaratave të drejtuesve të shtetit serb, duhet apo jo të zhvillohej vizita e Kryeministrit Rama në Serbi. Në opinionin tuaj, a duhet që Kryeministri Rama të vijojë me axhendën e tij në Beograd?

Jam shumë dakord me vlerësimet e drejtuesit të klubit sportiv Partizani i Beogradit lidhur me ndeshjen dhe me evitimin e konflikteve nëpërmjet futbollit, të cilat më pas kthehen edhe në konflikte politike. Por nuk doja ta bëja këtë për diversion, pasi kemi pasur edhe shumë qëndrime të tjera realiste nga Serbia, përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile, personalitete të sportit, që kanë mbajtur qëndrime objektive. Nuk dëshiroj të kthehem tek ndeshja, pasi kjo është një çështje që u takon më së shumti institucioneve sportive për ta ndjekur. Ajo që është më me rëndësi është pikërisht, të punojmë për një të ardhme, e cila ndihmon edhe Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe Serbinë dhe serbët dhe të gjithë popujt e Ballkanit për të fituar të ardhmen e përbashkët evropiane.

Është pa kthim politika e Shqipërisë për bashkëpunimin rajonal në funksion të përshpejtimit dhe të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe unë në këtë funksion e vlerësoj edhe konsekuencën e Kryeministrit Rama për të vijuar me axhendën e tij të shpallur prej kohësh. Tregon vullnetin e mirë dhe vizionin për t’i kontribuar paqes dhe zhvillimit në rajon dhe për ta paraqitur rajonin ndryshe, ashtu siç duhet të jetë, në raport me Bashkimin Europian dhe me të gjithë botën perëndimore.

Nëse opozita nuk pranon që të kthehet në Parlament, për të plotësuar numrin komisioneve hetimore çfarë do të bëjë mazhoranca, do të vazhdojë punën për ngritjen e komisioneve hetimore?

Dhe e dyta ka të bëjë me Bankën e Shqipërisë, në çfarë pike janë përgatitjet e Kuvendit për të plotësuar vendet në Këshill dhe a mund të kemi një emër apo kandidaturë të diskutuar për postin e Guvernatorit mes jush dhe z. Rama?

Për çështjen e Guvernatorit të ardhshëm kam shprehur besimin dhe e rikonfirmoj se është çështje që duhet të zgjidhet sa më shpejt dhe me një mënyrë sa më konsensuale dhe besoj se një konsensus midis Presidentit dhe Kryeministrit e të qeverisë do të ishte mjaft i dobishëm për të dhënë zgjidhjen e duhur. Dhe shumë shpejt, lidhur me detyrimet që ka Kuvendi për të plotësuar vakancat në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, patjetër që Kuvendi do ta plotësojë këtë detyrim duke filluar nga këto ditë përmes edhe një vendimi për procedura paraprake për mënyrën e përzgjedhjes me transparencë të plotë të të gjithë aplikantëve, të cilët plotësojnë kushtet e ligjit. Është një vendim, Kuvendi nuk është i detyruar nga ligji, por është në vullnetin e Kuvendit për ta miratuar, besoj gjatë seancës së nesërme, në mënyrë që ky të jetë një proces në mënyrë ekstreme, pozitive në këtë rast, transparent për të gjithë publikun dhe për të gjithë aplikantët.

Po për komisionet që ata nuk pranojnë të vijnë?

Sigurisht është detyra jonë që të tregojmë vullnetin tonë. Vendimi i Kuvendit për dy komisionet hetimore do të mbetet në fuqi, për aq kohë sa opozita nuk është tërhequr publikisht nga ngritja e këtyre komisioneve. Pastaj, se kur plotësojnë këto vende, kjo është një çështje që varet në vullnetin e tyre.

Ju i ngritët Komisionet Hetimore, gjithashtu edhe i bëni thirrje publike opozitës, por opozita ka deklaruar se duhet marrëveshje politike me garanci ndërkombëtare. Si e vlerësoni ju këtë?

Mendoj se opozita ka të drejtë të bëjë kërkesa nga më të ndryshmet dhe ka të drejtë ti shtojë ato ditë pas dite, por besoj që vendimi i marrë nga Kuvendi tregon maksimumin e përgjegjshmërisë për të krijuar të gjitha hapësirat që ajo të përmbushë funksionet e saj. Në këtë sistem të demokracisë, të cilin e kemi zgjedhur vete dhe të cilit duhet ti dalim vetë për zot në kuptimin e marrjeve të përgjegjësive. Në rast se presim që të na marrë dikush për dore, për të zbatuar ato rregulla, norma demokratike që i kemi sanksionuar dhe i pranojmë të gjithë, mendoj se është e tepërt, kur të tjerët kanë edhe probleme të tjera.

Meta lidhur me çështjen e përgjimeve, emri juaj është përfolur se ka rënë në rrjetën e SHISH. A keni ju një koment për këtë dhe nëse vërtetë jeni përgjuar ashtu si edhe zyrtarë të tjerë, a do të kërkoni ju shkarkimin e Visho Ajazi Lika?

Jam prononcuar dhe më parë për këtë çështje. Mbetemi në pritje të rezultateve përfundimtare të Komisionit Hetimor Parlamentar pa asnjë paragjykim, jo vetëm kaq, por pa asnjë hatërmbetje. Faleminderit.

meta ne focus