Euro në pikiatë; Zbret poshtë 133 lekëve

Ekonomi

Euro ka zbritur nën nivelin e 133 lekëve, duke shënuar rekord të ulët që nga muaji gusht. Monedha e përbashkët është këmbyer sot përkundrejt lekut në nivelin e 132.8 lekëve sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Nën ndikimin e efekteve sezonale, monedha e përbashkët hyri që prej fillimit të dhjetorit në trendin rënës, edhe pse më një ritëm më të ulët të zhvlerësimit krahasuar me një vit më parë. Sipas ekspertëve efektet sezonale, fluksi i emigrantëve dhe shpenzimet për festa, kanë nisur më herët këtë vit.

Megjithatë, euro u zhvlerësua me thuajse 0.2 lekë  sot në tregun vendas, duke reflektuar zhvillimet politike në Europë. Rezultati i zgjedhjeve të djeshme në Spanjë, nxori fitues separatistët katalanas, prej të cilëve do të vendoset e ardhmja e Spanjës dhe e krahinës së saj veriore. Fitorja e tyre bëri që sot monedha e përbashkët europiane të reflektojë besim të ulët ndër investitorët në tregjet ndërkombëtare.

Sipas ekspertëve, pavarësisht ecurisë në tregun ndërkombëtar, deri në përfundimin e festave euro do të vijojë e dobët. Monedha e përbashkët, nëse do të ndjekë ecurinë historike të saj, do të fillojë të rikuperojë pozitat në fillim të janarit.

Dollari në tregjet në tregjet ndërkombëtare fitoi terren ndaj euros. Monedha e gjelbër po kalon një periudhë të dobët në tregjet ndërkombëtare. Dobësia e dollarit është reflektuar edhe në vend, ku prej fillimit të vitit deri më sot është nënçmuar me më shumë se 17 lekë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari sot ka pasur një rritje shumë të lehtë  (pa mundur të kapë 0.1 lekë) në tregun vendas, duke u këmbyer me 112.12 lekë./monitor.al/