Eurobarometri: Situata ekonomike dhe papunësia në Shqipëri janë përkeqësuar

206

Papunësia, situata ekonomike dhe kosto e lartë e jetesës janë shqetësimet kryesore të shqiptarëve sipas rezultateve të Eurobarometrit të pranverës për Bashkimin Europian dhe vendet kandidate,  rezultatet e të cilit janë publikuar në qershor nga BE.

Të anketuarit janë pyetur se cilat janë shqetësimet kryesore me të cilat përballet vendi dhe një pyetje e veçantë se cilat janë problemet me të cilat ata përballen personalisht.

Lidhur me shqetësimet, me të cilat përballet vendi, 36% e të anketuarve shqiptarë kanë pohuar se çështja kryesore është situata ekonomike, përkundrejt 15% që është përgjigja për të njëjtën pyetje për mesataren e Bashkimit Europian. Papunësia është shqetësimi i dytë,  që është cilësuar i tillë nga 34% të të anketuarve. Për Bashkimin Europian papunësia përbën problee për 25% të të anketuarve. Shqetësimi i tretë shëndeti dhe siguria sociale me 22% të të anketuarve (23% mesatarja e BE). Inflacioni (rritja e çmimeve) është cilësuar si faktor nga 20% e të anketuarve shqiptarë. Në pyetjet që lidhet direkt me çështjet kryesore me të cilat ata përballen për momentin, 40% janë përgjigjur që shqetësimi më i madh i tyre është rritja e çmimeve/inflacioni dhe kosto e jeteës. Edhe kjo përqindje është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, prej 29%. E dyta është shëndeti dhe siguria sociale (21%, kundrejt 18% të BE) dhe e treta situata financiare e familjarëve tuaj, (20%, kundrejt 14% të BE).