Fjala e z. Ilir Meta në Komision

530

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta në mbledhjen e konstituimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrative dhe Territoriale

 meta -fjala jone

I nderuar zoti bashkëkryetar

Të nderuar anëtarë të komisionit për reformën administrative dhe territoriale

Në këtë takim të parë pas miratimit të Kuvendit të vendimit për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën administrative dhe territoriale në Republikën e Shqipërisë dua të shpreh bindjen besoj të përbashkët edhe të kolegëve që mungojnë për momentin se domosdoshmëria e realizimit të reformës administrative-territoriale është e jashtëzakonshme, aq sa mund të them me bindje të plotë se kësaj reforme i ka kaluar koha me kohë. Pra në rast se ka një standard mjaft të prapambetur, mjaft të vjetëruar krejtësisht në kundërshtim edhe me standardet europiane që synojmë është pikërisht ai i ndarjes administrative dhe territoriale të vendit, sepse vendi ka ende ndarjen administrative dhe territoriale të vitit ’92, ndërkohë që lëvizja demografike është e jashtëzakonshme për më shumë se dy dekada, ashtu sikurse kemi 385 njësi vendore, bashki dhe komuna. Një fragmentim i jashtëzakonshëm i cili ka bërë të mundur dështimin e funksionimit të më shumë se gjysmës së këtyre njësive vendore të cilat nuk ofrojnë pothuajse asnjë shërbim për komunitetin dhe që nuk sigurojnë dot gati as 1% të të ardhurave të tyre. Për të mos folur për pamundësinë për të bërë planifikim strategjik për zhvillimin e komunës, për të mos folur për mungesën e kapaciteteve njerëzore dhe natyrisht për keqmenaxhimin e shumë resurseve financiare.

Unë dua të theksoj edhe njëherë tjetër vullnetin e plotë të mazhorancës për ta bërë këtë reformë së bashku me opozitën, e cila është shprehur në të kaluarën për realizimin e kësaj reforme, pavarësisht se nuk i ka pasur votat për ta bërë këtë gjë. Ndryshimi është se mazhoranca e sotme edhe pse i ka votat kërkon me insistim bashkëpunimin e opozitës, sepse ka nevojë për mendimet e saj, për idetë e saj, por edhe sepse besojmë se kjo është një reform në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Mjafton të përmend vetëm një fakt të thjeshtë, që vetëm nga kostoja administrative që do të kursehet nga realizimi i kësaj reforme, buxheti i shtetit do të ketë mundësi të fitojë të paktën 80 milionë dollarë përgjatë një mandati të pushtetit vendor, përveç shumë e shumë resurseve dhe mundësive të tjera që jo vetëm do të shpëtohen, por edhe do të vihen në lëvizje në dobi të komunitetit, përmes politikave më afatgjata, më strategjike dhe më të mirëmenduara. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, prandaj ne kërkojmë me insistim që opozita të marrë të gjithë përgjegjësitë e saj. Ndaj edhe që kur është ideuar krijimi i këtij komisioni, është ideuar për të qenë një komision ku palët të kenë të drejta plotësisht të barabarta pavarësisht nga raportet e përfaqësimit në Kuvend. 8 anëtarë nga mazhoranca, 8 anëtarë nga opozita. Bashkëkryetar nga mazhoranca, bashkëkryetar nga opozita.

Është një reformë, e cila është kërkuar dhe kërkohet edhe nga komuniteti ndërkombëtar, i cili jo vetëm ka ofruar ekspertizë mjaft të kualifikuar, por njëkohësisht edhe po e financon këtë ekspertizë përmes projekteve konkrete dhe do të mbështesë realizimin e kësaj reforme deri në fund. Gjithëpërshirja dhe transparenca janë të rëndësishme. Është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme që edhe opozita të marrë përgjegjësitë e saj në emër të të gjithë këtyre elementëve pozitivë që do të sjellë realizimi i kësaj reforme, por padyshim është shumë e rëndësishme që kjo reformë të mos mbetet vetëm në kuadrin parlamentar apo politik. Hapja e saj edhe përmes angazhimit të vetë komisionit tuaj me shoqërinë civile, me shoqatat e kryetarëve të bashkive dhe të komunave, me mediat, me grupet e ndryshme të interesit, me komunitetet anembanë vendit, absolutisht do t’i japë të gjithë legjitimitetin e duhur kësaj reforme, por njëkohësisht edhe do të mbledhë mendimet më të mira që do të reflektohen në draftin përfundimtar. Nga mazhoranca në krye të këtij komisioni është një personalitet i njohur i politikës, i qeverisjes qendrore, por edhe i pushtetit vendor, siç është zoti Fino. Njëkohësisht edhe të gjithë anëtarët e tjerë janë me mjaft eksperiencë dhe mjaft të përgjegjshëm për të dhënë kontributin e tyre maksimal për përmbushjen me sukses të kësaj reforme. Duke shprehur besimin se edhe opozitës nuk i mungojnë kualitetet e duhura për të kontribuar me të njëjtin angazhim dhe cilësi në mbarëvajtjen e këtij komisioni dhe duke uruar që sa më shpejt ata të reflektojnë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre do të doja ta hapja këtë takim duke ftuar edhe bashkëkryetarin e këtij komisoni nga ana e mazhorancës z. Bashkim Fino që të japë disa nga idetë e tij.

Duke ju uruar sukses dhe duke shprehur bindjen që realizimi i kësaj reforme do të sigurojë ojo vetëm shërbime shumë më të mira për qytetarët tanë nga pushteti vendor, por edhe do të vërë në lëvizje shumë potenciale ekonomike, natyrore, financiare në sajë të kësaj reforme në interes të zhvillimit të vendit dhe të zhvillimit të njësive vendore, shpreh njëkohësisht edhe dëshirën tonë që opozita sa më shpejt të marrë përgjegjësitë e saj. Por që nga ky moment ndërkohë ka filluar puna e këtij komisioni në respekt të vendimit që ka marrë Kuvendi i Shqipërisë. Faleminderit edhe medias, e cila do të jetë besoj e pranishme në çdo hap, në çdo debat, në çdo vendim, në çdo draft-propozim që do të bëhet nga ky komision, por edhe nga të gjithë aktorët jashtë këtij komisioni që do të përfshihen në realizimin e kësaj reforme madhore për të ardhmen e vendit tonë.