FSHF, BASHKËPUNIM ME MINISTRINË E DREJTËSISË PËR RASTIN MORINA

Sporti

Në kuadër të përpjekjeve institucionale të FSHF për të mos lejuar ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi, Federata Shqiptare e Futbollit ka vijuar bashkëpunimin me autoritetet shtetërore.

Konkretisht, pas kërkesës për bashkëpunim, FSHF i ka vënë në dispozicion Ministrisë së Drejtësisë praktikën e ndeshjes Serbi – Shqipëri, për të cilën Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) Lozanë, ka vendosur mbi incidentet e lidhura me sigurinë, apo më saktë mungesës së sajë në Beograd. Nga argumentet e këtij vendimi, rezulton se incidenti i dronit, përbën një “gje të gjykuar” nga drejtësia sportive, kjo pasi CAS e ka klasifikuar si një shkelje e natyrës administrative dhe jo penale. 

FSHF ka informuar ministrinë se mbetet në kontakt me përfaqësuesin ligjor të z.Morina në Dubrovnik duke lehtësuar per te, materiale që mund të nevojiten për procesin eventualisht. Përfaqësuesi ligjor na ka njohur përveç se me materialet e mbrojtjes, edhe me faktin se z. Morina ka aplikuar për azil në Kroaci, një procedurë kjo që drejtohet nga Ministria e Brendshme e vendit Dalmat.  Një përfaqësues i Federatës e ka takuar “Ballistin” në ambjentet e paraburgimit në Dubrovnik, ku ndonëse gëzonte shëndet të mire dhe i garantoheshin të drejtat themelore nga autoritetet kroate, nuk mund të fshihej shqetësimi i tij për një ekstradim të mundshëm në Serbi ku shëndeti dhe jeta e tij do të ishin në rrezik. Me besimin se këto informacione do t`i shërbejnë sadopak autoriteteve për zgjidhjen me sukses të çështjes, FSHF mbetet në dispozicion për cdo kontribut dhe bashkëpunim.