Fushata më e shëmtuar e pluralizmit!

Opinion

Nga Blendi Fevziu

Si mund ta quaj këtë fushatë dhe sa konsideratë mund të kem për të, pyeta veten dje në darkë, kur fushata e 25 Qershorit u mbyll. Fati e ka sjellë  të ndjek çdo fushatë zgjedhjesh kombëtare që prej 31 Marsit, 1991. Në këto 26 vjet, kjo është fushata e 11-të që përcjell si gazetar (pa llogaritur zgjedhjet lokale). Është e gjashta fushatë në 20 vitet e emisionit ‘Opinion’ që e kam përcjellë nga studioja live çdo natë. Sot mund të them një gjë, me bindje të plotë: ishte një fushatë e mërzitshme, një fushatë bosh dhe padyshim më e keqja që unë njoh në këto 26 vjet.

Si do ta klasifikoja këtë fushatë, pyeta vetën sërish dhe gjeta vetëm një përgjigje: pa pasion, pa emocion dhe tejet teatrale. Një teatër i madh ku mungonte një gjë që në fushatat shqiptare nuk ka munguar kurrë: shpirti i sfidës.

Ishte një fushatë shumë larg asaj të 3 Korrikut 2005, që ka qenë padyshim më e mira në Shqipëri këto 27 vjet. Një fushatë e mbushur me besim, bindje, frymëzim dhe padyshim kredo morale. Një fushatë ku Berisha, Nano e Meta, prodhuan një ndër spektaklet më të jashtëzakonshëm politike të këtij vendi dhe ku secili, besonte me shpirt në atë që deklaronte. Ishte një fushatë që sfida direkte e mazhoritarit e bëri edhe më të mprehtë dhe që vështirë se do rikthehet sërish me atë emocion në Shqipëri. Një fushatë ku u përballën ide, programe, por ku nuk mungoi edhe ajo që gjendet kaq rrallë në Shqipëri, ndjesa publike.

Ishte një fushatë që nuk kishte entuziazmin dhe naivitetin e asaj të 1991 dhe 1992. Nuk kishte shpresën që ngjallnin ato të dyja dhe dashurinë e besimin mes liderëve politikë dhe votuesve të tyre. Për arsye specifike, ato dy fushata nuk përsëriten më, dhe për mua, mbeten margaritaret e pluralizmit dhe garës politike në Shqipëri.

Nuk ishte një fushatë si ajo e 1996, e tensionuar, por e mbushur me besimin e palëve që në garë ishin më mirë dhe më bindës se kundërshtari. E dominuar nga besimi për fitore dhe me një garë reale, garë plot pasion.

Nuk ishte një fushatë si ajo e 1997, me rreziqe, plumba, dhunë e vrasje, por me vendosmërinë e politikanëve për të komunikuar me zgjedhësit e tyre dhe për t’ju garantuar atyre një të ardhme më të mirë. Një të ardhme përmes votës. Edhe ajo ishte një fushatë e vërtetë, edhe pse tejet e vështirë.

Nuk ishte një fushatë si ajo e 2009, një përballje brilante e dy shkollave, asaj të Berishës tradicional dhe plot pasion e bilanc, me atë të Ramës që premtonte një politikë të re. Një fushatë po ashtu mbresëlënëse qoftë edhe në ballafaqimet publike.

Nuk ishte një fushatë as si ajo e 2013, kur Rama e Meta ja arritën të ngjallin shpresën për ndryshim dhe kur Berisha, me shifrat në disfavor, qëndroi në fushëbetejë deri sekondën e fundit, me bindjen që vetëm vota mund ta largonte prej andej.

Nuk ishte as si dy fushatat e referendumeve të kushtetutave, më 1994 dhe 1998, mbushur me tension dhe dëshirë për të sfiduar tjetrin. Jo! Ishte një fushatë as e shëmtuar dhe as e bukur. Ishte një fushatë e mërzitshme. Mund të thoja me shumë lehtësi: ishte më e keqe se ajo e 2001 që unë e konsideroja më të shëmtuarën deri sot.

Ishte një fushatë ku asnjë nga liderët nuk ngjante i vërtetë. Rama me teatrin e tij që pengesë për vendin kishte qenë LSI dhe me fabulën e timonit; Meta me kontestimin e qeverisjes 4 vjeçare ku kishte qenë pjesë ndërkohë që vijon të qëndrojë në qeveri; Basha me Republikën e Re, që më shumë e ka përdorur si grafikë të bukur banderolash se sa e ka shtjelluar si aksion politik.

Ishte një fushatë ku Rama dhe Meta nuk dhanë llogari për qeverisjen dhe ku Basha nuk ja doli të hapë debat për programin dhe premtimet e tij. E gjithë vëmendja u përqëndrua tek batutat mes Ramës e Metës. Ato që do kujtoten nga kjo fushatë janë poturet e Ramës, 2 gishtat me trëndafil, kazani, tepsia, pantallonat prej doku të Bashës apo sporti me selfie “alla Rama”, deklarata e Metës se vendimet e LSI i merr Petrit Vasili dhe padyshim më e famshmja, timoni që Rama e kërkoi kaq shumë nëpër Shqipëri, por që makinës nuk di t’i japë.

Ishte një fushatë për t’u harruar dhe padyshim që do të harrohet shpejt…