Greqi, miratohet rritja e taksave

485

Parlamenti grek ka aprovuar një seri rritjesh taksash në përpjekje për të rritur të ardhurat, në linjë me angazhimet e Athinës ndaj kreditorëve ndërkombëtarë.

 

Masat, të miratuara gjatë natës, përfshijnë një kuotë të re maksimale taksash prej 42 për qind për grekët që fitojnë mbi 42 mijë euro në vit. Kuotat janë rritur gjithashtu për korporatat dhe taksa bazë tani përfshin edhe fermerët me të ardhura të ulëta, bëjnë të ditur mediat e huaja.

Greqia është ndihmuar nga hua madhore të lëshuara nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar që prej majit të vitit 2010.

Qeveria konservatore insiston se masat e reja, që planifikohet të arrijnë në 2.3 miliardë euro këtë vit, janë të drejta. “Ne nuk jemi në favor të taksave, por në situatën aktuale ne duhet të nxjerrim vendin nga kjo rrugë pa krye”, ka deklaruar zëvendësministri i Financave, Jorgos Mavraganis. Ndryshimet janë pjesë e një pakete gjithëpërfshirëse të miratuar në nëntor për t’i mundësuar Greqisë kualifikimin për ndihma të tjera financiare. Por opozita thotë se rritja e taksave do të vërë në vështirësi grekët e zakonshëm. Koalicioni i qendrës radikale të majtë thotë se masat anti-krizë kanë shkatërruar klasën e mesme të vendit.  Shkurtimet e mëdha të shpenzimeve dhe humbja e vendeve të punës kanë shkaktuar protesta në mbarë Greqinë në vitet e fundit.