Greqia : Gjermania na detyrohet 279 miliardë euro për dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore

Rajoni

gjermania ne AkropolAthinë  –  Greqia del me një shifër konkrete: Gjermania na detyrohet 279 mld euro. Gjatë takimit me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Berlin në muajin mars, Kryeministri grek, Alexis Tsipras, për dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore, tha se “kërkesa e Greqisë nuk është materiale, por duhet të trajtohet si një çështje morale për të tejkaluar përgjithmonë nazizmin”. Është i vetmi kryeministër që pati kurajon t’i kërkojë gjermanisë dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore. Por një muaj më vonë autoritetet greke dalin me një shifër konkrete, ku bëhet fjalë për një shumë prej rreth 279 miliardë euro dëme të shkaktuara nga nazistët gjatë pushtimit të Greqisë. Shifra u bë publike nga zv.ministri grek i Financave, Dmitris Mardas, gjatë raportimit përpara një komisioni të posaçëm parlamentar të ngritur për të gjetur përgjegjësitë mbi krizën e borxheve ku është zhytur Athina.

“Sipas përllogaritjeve tona, borxhet që lidhen me pushtimin gjerman shkojnë në 278.7 miliardë euro”, tha Mardas. Në vitin 1960 Gjermania i ka paguar Greqisë 115 milionë marka si dëmshpërblim, një pjesë e vogël e pretendimeve të Athinës, që thotë se kjo shumë nuk mbulon dëmtimet e shkaktuara në infrastrukturë, krimet e luftës dhe interesin me të cilën u morën me forcë disa kredi nga Banka Qendrore greke. Megjithatë, për Berlinin kjo çështje është një kapitull i mbyllur që në vitin 1990, para se Gjermania të bashkohej.  Pretendimet greke kanë dalë më në pah me ardhjen në pushtet të radikalëve të majtë të Syriza-s dhe kërkesës i mëshohet edhe më shumë në një periudhë kur Athina po shlyen më vështirësi borxhin e madh që ka zhytur ekonominë vendase në një krizë të thellë. Por është një e drejtë që një popull të kërkojë dëmshpërblimet bazuar në ligjet ndërkombëtare, pasi mbetet i vetmi vend që ende nuk i ka marrë këto dëmshpërblime…