Gruevski: Nuk jap dorëheqje

Rajoni

gruefski i vogelKryeministri Nikolla Gruevski edhe sot iu shmang komentimit të incizimeve të publikuara nga opozita, ku përveç ministrave dhe bashkëpunëtorëve të tij, protagonist është edhe ai vetë. Pyetjes së vetme, të cilën Gruevski nuk hezitoi t’i përgjigjej, ishte ajo lidhur me dorëheqjen e mundshme.
Zoti Gruevski, SHGM-ja kërkoi dorëheqjen tuaj dhe të krerëve të DSK-së dhe MPB-së. A do jepni dorëheqje?
“Jo!”, përgjigjet shkurt Nikolla Gruevski, kryeministër.
I pyetur se si është e mundur që shërbim i huaj sekret të hyjë në sistemin e sigurisë të shtetit, Gruevski u tregua fjalëpak,  duke thënë se kësaj pyetjeje iu përgjigj pak ditë më parë në konferencën për mediat.
“Disa nga postet, institucionet më të rëndësishme kanë përfunduar në duar të shërbimeve të huaja. A është vënë në pyetje çështja e sigurisë së shtetit me këtë rast? Lidhur me këtë u përgjigja gjatë konferencës për shtyp të mërkurën. Aty u përgjigja ndaj të gjitha pyetjeve të gazetarëve deri në fund, përfshi edhe këtë pyetje”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Zoti Gruevski, në incizimet e publikuara duket qartë se ekzistojnë shkelje të normave Kushtetuese dhe Ligjore. Si e komentoni këtë?
“Kjo do të vërtetohet gjatë procedurave gjyqësore! Për momentin nuk do të shtoj asgjë jashtë asaj që kam thënë gjatë konferencës.
Si i komentoni rekomandimet e Houitit për burgosjen e Zaevit. A do të burgoset Zaevi?
“Nuk kam koment!”, u përgjigj Gruevski.
Ndonëse Gruevski pranoi të jepte deklaratë për mediat, shumicën e kohës ai qëndroi indiferent ndaj çështjeve të ngritura nga opozita, ndaj komentimit të autenticitetit të bisedave apo të afërsisë së pushtetit me gjyqësorin, mediat etj. Komentet sot, u bënë gjatë përurimit të një salle sporti në fshatin Lubanci, ku përveç një pjese të përbërjes qeveritare, i pranishëm ishte edhe Johan Tarçullovski.

Ferikan Iljazi

Alsat-M