Hetimi i Prokurorisë, Peza: Po hetohem si gazetar, jo si deputet

Korrupsion Kryesore

Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza ka reaguar pas informacionit të publikuar sot në media mbi një vendim të prokurorisë për të vendosur nën sekuestro aksionet e bashkëshortes së tij në një bankë të nivelit të dytë si pjesë e hetimit për pasurinë e tij.

Peza ka sqaruar se, “hetimi i Prokurorisë së Përgjithshme është duke u zhvilluar jo kundrejt deputetit Alfred Peza, por për gazetarin Alfred Peza”.

“Pse? Sepse është duke u hetuar vetëm pasuria për periudhën kur unë kam punuar si gazetar. Tashmë edhe nga organi i Prokurorisë është provuar katërcipërisht se ka ZERO lekë shtim të pasurisë time, përveç rrogës së deputetit, nga momenti i shpalljes publike së kandidaturës sime dhe deri më sot. Kjo duhet kuptuar mirë! Sepse kemi të bëjmë me një fakt të pakundërshtueshëm, tashmë i njohur zyrtarisht edhe nga organi i Prokurorisë. Që do të thotë se unë po hetohem si gazetar dhe jo si deputet. Kjo do të thotë se Prokuroria e Përgjithshmenuk ka asnjë problem me politikanin dhe deputetin Alfred Peza. Në këto kushte për herë të parë, – në dijeninë time-, organi i Prokurorisë është duke hetuar sesi e ka vënë pasurinë një gazetar në Shqipëri. Kjo është e paprecedentë”, është shprehur deputeti Peza./ATSH/