I mbijetuari kujton forcat serbe që dogjën fshatin në Kosovë

63

Një dëshmitar kosovar i masakrës në fshatin Qyshkë në maj 1999 tha në një gjykatë serbe se ai pa shtëpitë që u dogjën dhe trupat e civilëve të vrarë.

Dëshmitari Mustafa Hisvukaj tha në Gjykatën Speciale të Beogradit të enjten se si qe dëshmitar i asaj që ndodhi pas masakrës së forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës në fshatin Qyshkë në maj të vitit 1999.

Hisvukaj i tha gjykatës se më 14 maj ai u fsheh në barin e gjatë në fshat, ndërsa forcat policore serbe kaluan rastësisht aty dhe përfundimisht hynë në një shtëpi vendase.

“Ndenja atje për një orë, një orë e gjysmë, derisa të shtënat ndaluan. Pas kësaj hyra në ato dhoma dhe pashë trupa të djegur,” tha Hisvukaj.

Ai përshkroi gjetjen e tre banorëve të tjerë të vdekur në oborrin e një burri tjetër vendas, Rama Gashi, i cili u vra edhe vetë bashkë me një grup të madh njerëzish të tjerë, tha Hisvukaj.

“Djali i tij erdhi në oborrin ku isha unë dhe tha: ‘Ata më vranë babanë,’” tha ai në gjykatë, duke vënë në dukje se ai nuk i pa vetë vrasjet sepse ishte i fshehur.

Hisvukaj tha se “80 për qind” e shtëpive në Qyshkë u dogjën atë ditë, ndërsa forcat serbe konfiskuan disa automjete dhe u morën atyre të gjitha sendet me vlerë.

Një avokat mbrojtës kritikoi dëshminë e tij duke thënë se Hisvukaj po fliste për ngjarje që ai nuk i pa personalisht.

Ai tha gjithashtu se Hisvukaj binte në kundërshtim me dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë dhe me faktet e vërtetuara.

Në seancën e mëparshme në mars 2017, dy dëshmitarë shqiptarë të Kosovës rikujtuan se si u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre.

Prokuroria serbe ka akuzuar 11 ish-anëtarë të Njësisë së 177-të të Ushtrisë Jugosllave për krime lufte të kryera në fshatrat Qyshkë, Pavljan, Zahac dhe Ljubenic në pranverë të vitit 1999.

Grupi u dënua fillimisht në vitin 2014 me 106 vjet burg për vrasjen e të paktën 118 civilëve shqiptarë të Kosovës.

Por gjykata serbe e apelit e rrëzoi vendimin në vitin 2015 dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.

Që atëherë gjyqi është shoqëruar me vonesa dhe refuzimin e dëshmitarëve për të ardhur në Beograd për të dëshmuar.

Dy nga të pandehurit, Milojko Nikoliç dhe Radoslav Brnoviç,

Një nga të pandehurit e tjerë, Dejan Bulatoviç, është i sëmurë dhe çështja kundër tij është ndarë nga pjesa tjetër e grupit.

Një tjetër, Ranko Momiç, është në arrati. Kjo konsiderohet si një nga çështjet më të mëdha që ka lidhje me krimet e luftës në Kosovë ne gjykatat e Beogradit, me seanca që po zhvillohen tashmë prej gjashtë vjetësh.

Seanca e ardhshme është planifikuar për në 18 dhjetor.

Në gusht të vitit 2014, prokuroria serbe për krimet e luftës nisi gjithashtu një hetim ndaj Dragan Zivanoviç, ish-komandant i Brigadës 125 të Ushtrisë Jugosllave, për mosvperim për parandalimin e vrasjeve të shqiptarëve dhe shkatërrim të shtëpive dhe pronave në katër fshatra.

Deri më sot, aktakuza nuk është ngritur ende./BIRN/