Ilir Meta: kush ka frikë nga zgjedhjet e lira ka frikë nga drejtësia

323

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka deklaruar dje se qeveria e besimit mund të krijohet edhe duke qenë Rama kryeministër. Por ai theksoi se mbi çdo çështje qëndrojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në një intervistë në “Ora News”, kreu i LSI u shpreh se Rama dhe Basha duhet të gjejnë gjuhën e dialogut, ndërsa theksoi se mbi çdo interes tjetër duhet të qëndrojë interesi i vendit dhe duhet të shmangen situatat e destabilitetit. Në intervistë gjithashtu ai u shpreh për Presidentin. Meta mohoi të ketë një kandidaturë, por theksoi se kreut i ri i shtetit duhet të zgjidhet me konsensus. Sa i përket akuzave se ai preket nga reforma në drejtësi, Meta tha se reformës i frikësohen ata që i frikësohen edhe zgjedhjeve të lira.

Pra, qeveria e besueshme siç njihet në zhargonin e përditshëm, janë këto linja nga të cilat LSI-ja nuk do lëvizë, nuk do të negociojë për to?

Për të gjithë ata që mund të jenë habitur për qëndrimin e LSI-së mund të kujtoj se që në fillim qëndrimi i LSI-së dhe qëndrimi im ka qenë për dialog me qëllim rikthimin e opozitës në Parlament, me qëllim vazhdimin e reformave sidomos asaj të drejtësisë dhe të mbylljes së reformës zgjedhore që është një kusht. Është një detyrim për zgjedhjet e ardhshme dhe për të arritur një mirëkuptim, që jep garanci që opozita të marrë pjesë plotësisht në të gjitha këto procese, të cilat janë vendimtare jo vetëm për stabilitetin e vendit, që ne nuk duhet ta diskutojmë, por janë vendimtare edhe për integrimin europian të vendit në të ardhmen. Qëndrimi i LSI-së dhe qëndrimi im personalisht ka qenë në mënyrë të vazhdueshme për dialog, për të krijuar kushtet e një mirëkuptimi, të një mirëbesimi që çon te një dialog real dhe jo fals, pra thjesht sa për t’u justifikuar që u ulëm, por nuk u morëm vesh, sepse në fund fare kemi të bëjmë me çështje që u takojnë gjithë shqiptarëve, si çështja e zgjedhjeve. Zgjedhjet nuk janë pronë as e opozitës dhe as e pozitës, përkundrazi janë një çështje e çdo qytetari shqiptar, i cili ka mundësinë pikërisht një herë në 4 vjet të vendosë, të shprehet për të ardhmen e tij dhe kërkon që vota e tij të jetë e barabartë me gjithë të tjerët…

Ju shikoni një situatë të ngjashme sociale si në ‘97?

Unë nuk dua ta shikoj këtë gjë, por jemi të detyruar ta kujtojmë që të mos shkojmë në një drejtim të paditur dhe nuk kemi asnjë arsye që të shkojmë në një drejtim të paditur në të gjitha planet edhe duke pasur parasysh që ne kemi një klasë politike tani që, pas 27 vjetësh, pavarësisht edhe nga të gjitha përgjegjësitë që mban, në fund fare ka një eksperiencë dhe në parlamentin aktual ka shumë politikanë nga të dy krahët që kanë qenë në këto vite në jetën politike të vendit: në ’96- ën, në ’97-ën, që kanë qenë periudha të tjera edhe më të vështira, si më 14 shtator të ’98-ës dhe në vazhdimësi. Nuk ka asnjë arsye që ne ta fusim Shqipërinë në një sfidë tërësisht të panevojshme nga e cila askush nuk do të fitonte. Unë besoj shumë se edhe z. Rama, besoj se edhe z. Basha, si dy aktorë kryesorë politikë në të dyja kampet, maxhorancë-opozitë, do të reflektojnë, do të ulen dhe do të marrin përgjegjësitë që u takojnë që vendi të shkojë në zgjedhjet që meriton çdo qytetar shqiptar pas një sage 27-vjeçare të zgjedhjeve me probleme dhe të akuzave dhe kundërakuzave se kush e ka fajin dhe se kush do të manipulojë apo do të cenojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Për më tepër, unë mendoj se maxhoranca jo vetëm që e ka përgjegjësinë, sepse në fund fare përgjegjësinë më të madhe për drejtimin e vendit e ka maxhoranca, e ka qeveria, e ka Kryeministri, por, njëkohësisht, edhe në planin pragmatik, nuk ka asnjë arsye të ketë shqetësim nga krijimi i garancive maksimale për opozitën, të marrë pjesë në një proces të tillë duke qenë se kjo është një maxhorancë e cila është mjaft, po themi, e gjerë dhe e cila është mjaft e qetë normalisht për një rezultat bindës dhe për një rikonfirmim bindës, ndërkohë që opozita duket se nuk ka se çfarë të humbasë dhe duhet pasur shumë kujdes me dikë që nuk ka se çfarë të humbasë, sepse nga dëshpërimi, nga injorimi, nga përjashtimi, mund të bëjë veprime, të cilat mund t’i dëmtojnë të tërë. Kështu që është, në radhë të parë, përgjegjësi e maxhorancës të tregojë vullnetin maksimal për zgjedhje të lira dhe transparente për t’i dhënë opozitës garanci maksimale dhe, sigurisht, është detyrë e çdo maxhorance për të garantuar legjitimitetin e institucioneve të vendit, por edhe legjitimitetin e pushtetit të saj në të ardhmen, sepse pa opozitën nuk ka legjitimitet një proces dhe të gjitha institucionet.

Z. Meta, ju kërkoni zgjedhje me opozitën, sepse mendoni që duhet të ketë një “Qeveri Besimi” dhe duhet të bëjmë pjesë edhe opozitën të këtij besimi, apo doni të bëheni Kryeministër dhe të shfrytëzoni krizën?

Në çdo rast unë mendoj se edhe opozita nuk ka qenë shumë e përgatitur për arsye se ende nuk kemi një përgjigje të qartë të opozitës për çështjen e dialogut. Shpresoj që sa më shpejt të ketë një strukturë të këtij dialogu, dhe të gjithë duhet të përgatiten për ndryshime. Thelbi i propozimit të LSI-së ishte ky: qeveri besimi nuk do të thotë që patjetër duhet të ikë kjo qeveri dhe të vijë një qeveri tjetër. Qeveri besimi do të thotë: nëse kjo qeveri jep garanci dhe besim për zgjedhjet duke plotësuar një pjesë të mirë të kërkesave të opozitës, kjo është një çështje…

E shikoni me Kryeministër Ramën këtë qeveri?

Patjetër! Ajo që unë kam pasur si shqetësim ka qenë se retorika e Kryeministrit në raport me këtë çështje, edhe përpara se të krijohej çadra, por edhe gjatë periudhës së çadrës, nuk ka qenë ndihmuese për një dialog, për një mirëkuptim. Secili ka mbajtur pozicionet e veta. Z. Basha ka thënë “të vijë te çadra të firmosë dorëheqjen”, pala tjetër, jo thjesht vetëm z. Rama, ka thënë “ne ua çojmë kutitë atje të votojnë më 18 qershor te çadra, se këto do të bëhen”. Pra, diçka që nuk sjell asnjë zhvillim pozitiv, asnjë pikë takimi, por thjesht vret kohën drejt një konflikti, drejt një përplasje apo akoma më thjesht, drejt një krize. Në këtë drejtim ka qenë dhe mbetet e domosdoshme që ne ta kemi këtë dialog.

A jeni dakord për shtyrjen e afatin të zgjedhjeve, mjaft që të plotësohen standardet?

Unë mendoj se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që zgjedhjet të bëhen më 18 qershor. Më e rëndësishme se data është që zgjedhjet të jenë me opozitën dhe të pranohen nga të gjithë, dhe jo vetëm kaq, të krijohet një klimë mirëbesimi. Për këtë duhet dialogu, për këtë duhet një marrëveshje dhe të mbyllim ciklin 27-vjeçar të kontestimit të zgjedhjeve.

Juve a mendoni që në qoftë se Rama hyn në zgjedhje, duke ndjekur vetëm anën ligjore, të krijoni një lloj mosbesimi në Parlament?

Unë as nuk dua ta mendoj këtë çështje dhe kur flas ndonjëherë me ndonjë koleg socialist, kjo është çështje retorike që jo do bëjmë këtë gjë, jo do bëjmë këtë. I them ndonjëherë që shiko ju jeni kaq të vendosur se mund të hyni edhe pa PS në zgjedhje d.m.th. Këtu tani nuk është çështje vendosmërie dhe kokëfortësie. Këtu në radhë të parë mendoj është çështje përgjegjshmërie dhe mençurie, dhe përgjegjshëmrie për vendin sepse zgjedhjet nuk janë tonat, zgjedhjet janë të qytetarëve shqiptarë dhe nuk është Shqipëria në funksionin tonë, jemi ne në funksion të interesit të saj, dhe qoftë edhe krenaria e jonë e momentit që mund të sfidohet nga dikush nuk është kurrë më e rëndësishme sesa qetësia e shqiptarëve, se stabiliteti dhe e ardhmja e tyre. Por, edhe nga pikëpamja pragmatike i mazhorancës që është e sigurt për një fitore, nuk ka asnjë arsye të minojë legjitimitetin e saj të ardhshëm, pra përveç se do dëmtonte stabilitetin e vendit, do dëmtonte edhe legjitimitetin e pushtetit të saj në të ardhmen dhe jo vetëm kaq. Ne flasim Kushtetutën dhe Kushtetuta pa dyshim që ka rëndësinë e saj, pavarësisht se ne e kemi bërë copëcopë Kushtetutën, për fat të keq që nga viti 2008 me ndryshimet kushtetuese edhe më pas, por Kushtetuta është e vlefshme, është e rëndësishme kur ajo vazhdon të qëndrojë mbi zgjedhje të lira dhe demokratike.

Bëjnë aluzione segmente të shtypit dhe politikës se kjo reformë pengohet nga Berisha dhe ju sepse kanë frikë se do jenë viktimë të kësaj reformë dhe do goditen prej saj?

Këtë frikë e kanë ata që i janë shmangur transparencës së kësaj reforme. Qëndrimet e mia kanë qenë më transparente se e çdo aktori vendas dhe ndërkombëtar. Qëndrimet e mira kanë qenë të njëjta me Ramën, Bashën, ndërkombëtarët dhe madje u kam thënë mos vazhdojmë takojmë njëri-tjetrin kështu dhe mos kuptojmë çdo ndodh. Kjo duhet bërë me konsensus, ndryshime kushtetuese në mënyrë të njëanshme me atë përbërje që kishte parlamenti dhe me ato probleme të dekriminalizimit do të thotë jo vetëm një konflikt dhe mos zbatim i kësaj reforme, jo vetëm bllokimi i dialogut politik, por edhe shumë pasoja të tjera për vendin. Të gjitha këto kanë qenë përpjekje për të më kompleksuar mua, gjë tërësisht absurd në mbajtën e qëndrimeve parimore.

A mendoni se një presidenti nga LSI do ta bënte klimën më të besueshme për opozitën që të merrte pjesë në zgjedhje?

Kjo nuk ka lidhje, ne na duhet një president konsensual, një figurë e pranuar. Kjo nuk ka asnjë rëndësi kush është. Duhet të gëzojë respektin e të gjithëve.