INSTAT: Kriza e eksporteve, nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit

149

Volumet e transportit të mallrave prekën vitin e kaluar nivelet më të ulëta të dekadës së fundit. Sipas Institutit të Statistikave, për vitin 2016 transporti i mallrave pësoi rënie si në rrugë detare, ashtu edhe në rrugë hekurudhore.

Për vitin e kaluar, volumi i transportit detar të mallrave ra në 3.75 milionë tonë, 2.2% më pak krahasuar me një vit më parë. Rënia e të transportit të mallrave në tregtinë e jashtme është më së shumti tregues i krizës së eksporteve të mineraleve, duke pasur parasysh që ky sektor ka peshën kryesore për sa i takon volumeve. Në vlerë, monetare, eksportet e mineraleve për vitin e kaluar ranë me 28%, ndërsa importet me 17%. Rënia e volumeve të transportit detar ka vijuar edhe në dy muajt e parë të këtij viti, çka tregon qartësisht se kriza do të vijojë edhe këtë vit. Sipas INSTAT, për dymujorin e parë, volumet e ngarkim-shkarkimit të mallrave nga portet shqiptare kanë rënë me 6.4%. Instituti i Statistikave ka publikuar dje një raport të plotë në lidhje me transportin e mallrave, referuar transportit hekurudhor dhe atij detar. Ky i fundit zë peshën kryesore tek mallrat që eksportohen jashtë, përmendim këtu mineralet që zënë peshën kryesore në këtë drejtim. Sipas INSTAT, referuar muajve të parë të vitit 2017, rezulton përsëri një rënie e transportit të mallrave nga Shqipëria jashtë, çka drejtpërdrejt do të thotë se në një farë mënyre eksportet janë në një krizë, pavarësisht se kjo nuk pranohet nga institucionet shtetërore. Ndërkohë sipas raportit të INSTAT, një rënie akoma më të thellë vitin e kaluar pësoi transporti hekurudhor i mallrave, që zbriti në 76 mijë tonë, 62% më pak krahasuar me vitin 2015. Rënia e volumeve të transportit hekurudhor lidhet kryesisht me ngadalësimin e aktivitetit të kompanisë “Kurum”, që në fillim të vitit 2016 nisi një procedurë falimenti për riorganizim, si pasojë e pamundësisë afatshkurtër për shlyerjen e borxheve të shumta. Ndonëse ka një shtirje të kufizuar, transporti hekurudhor i mallrave është i rëndësishëm për industrinë, duke qenë se ofron kosto më të ulëta krahasuar me transportin rrugor.

Arsyet e rënies !

Rënia e çmimeve në bursat ndërkombëtare për mineralet dhe naftën goditi eksportet shqiptare rëndë edhe gjatë vitit 2016. Instituti i Statistikave njoftoi se mineralet dhe lëndët djegëse dhanë ndikimin kryesor në uljen vjetore të eksporteve, të cilat në gjysmën e parë të këtij viti rezultojnë 10.7 pikë përqindje më pak sesa 6-mujorin e parë të 2015-ës. Sipas statistikave zyrtare të INSTAT-it, rënia vjetore e eksporteve prej 6,4 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -10,7 pikë përqindje. Po ashtu edhe grupi “materiale ndërtimi dhe metale” shënoi rënie me 2,9 pikë përqindje, pasuar nga grupi “lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 0,2 pikë përqindje. Ndërsa grupi “tekstile dhe këpucë” shënoi rritje vjetore prej 5,3 pikë përqindje. Po ashtu sipas INSTAT-it, edhe grupi “ushqim, pije, duhan” u rrit me 1,4 pikë përqindje, ndërsa grupi “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” ka kontribuar pozitivisht me 0,6 pikë përqindje. Në muajin qershor 2016 eksportet e mallrave arritën vlerën 23 miliarde lekë, duke u ulur me 6,4 % në krahasim me qershorin e vitit 2015 dhe rritur me 10,1 % në krahasim me majin e vitit 2016. /Agjensia e Lajmeve Sot News/