Intervista/ “Kongresi ose të pranojë “Zgjidhjen”, ose përgjegjësitë e përçarjes së PS-së”

341

 

Drejtuesi i lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima, i ftuar të hënën mbrëma në studion e emisionit “Fol me mua, fol me ata”, në TVSH, bashkëbisedoi me moderatorin Enkel Demi dhe gazetarët e ftuar, Poli Hoxha dhe Blendi Salaj, rreth situatës politike në vend, krizës që thellë në dialogun e munguar mes shumicës dhe opozitës si dhe për tezat e lëvizjes “Zgjidhja”. Ai i bëri thirrje lidershipit të PS-së që të pranojë tezat që shtron Zgjidhja, ose në të kundërt do ta çojë drejt përçarjes partinë dhe do të mbajë kostot për të.

Ju shkruat një letër që ia dërguat Asamblesë dhe socialistëve. Pse zgjodhët pikërisht këtë dhe nuk shkuat në Asamble?

Ishte si një detyrim për të gjithë bazën socialiste, por edhe për opinionin publik shqiptar rreth atyre problemeve që unë kam ngritur në letër. E kisha paralajmëruar që kjo Asamble do të ishte një aktivitet marketingu i qeverisë, i ministrave dhe i kryeministrit dhe ashtu edhe rezultoi në fakt, siç edhe e kishim paralajmëruar në këtë letër. Asambleja nuk bëri asnjë reflektim mbi situatën, asnjë gjykim mbi problemet e mëdha që janë sot përpara vendit. Partia Socialiste nuk diskutoi idetë, alternativat, pikëpamjet e ndryshme e kësaj rezolute, të këtij dokumenti. Është diçka që nuk duhet të ndodh. Pastaj, gjykimi i gjërave duhet të e jetë shumë realist. Ne nuk mund t’i mbulojmë problemet që janë por duhet t’i japim zgjidhje atyre. Qasja e kryeministrit që ishte një qasje që ai e imponon edhe në Asamble dhe në forumet e partisë është një qasje kamikaze, nuk është një gjykim i pjekur dhe i ftohtë mbi situatën dhe që shoqërohet pastaj me vendimet e duhura.

Ju po ngulni këmbë në mënyrë epike do të thoja, por dhe shumë demokratike që të rinovoni PS-në. Ajo letra juaj ishte një trakt që duhet shtypur dhe u duhet hedhur socialistëve dhe kryeministrit. Pyetja ime është kjo, si pretendoni ju kur thoni që nuk ka demokraci, nuk dëgjohet baza në PS, që po kjo PS mund të bëjë zgjedhje të lira?

Në vlerësimin tim zgjedhjet në Shqipëri janë zgjedhje të molepsura. Në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në Shqipëri u mboll kultura e vjedhjes së zgjedhjeve që në ‘96 nga PD. E majta nuk u distancua, por iu bashkua kësaj kulture të vjedhjes dhe trafikimit të votave dhe problemi nga mëkati i manipulimit të zgjedhjeve burojnë nga fatkeqësitë e këtij tranzicioni për popullin tonë. Kryeministri ynë thotë se do të bëjë zgjedhje pa opozitën. Kjo është ta lësh PS-në në errësirë, ta lësh pa vizion, pa gjykim dhe pa u përgatitur për situatat që po vijnë. Qeveria jonë ka përgjegjësi për zgjedhjet, sepse ka katër vjet në qeverisje dhe nuk ka bërë asnjë për të pastruar përfundimisht zgjedhjet. Socialistët e Shqiptarisë, të majtët e Shqipërisë dhe qytetarët e Shqipërisë nuk i duan zgjedhjet e manipuluara, nuk duan vjedhje votash. Kauza e zgjedhjeve të lira është një kauzë e qytetarëve të Shqipërisë dhe është një kauzë e të majtëve, e socialistëve të Shqipërisë. Fakti që sot kemi këtë situatë iron ironike kur flamurin për zgjedhje të lira dhe të ndershme e mban zoti Berisha, kjo është një gjë e keqe, është një autogol i qeverisë sonë dhe është një pozitë e pamerituar për PS-në, të shohim sot se si udhëheq PD-ja luftën për zgjedhje të lira dhe të ndershme që ka aq shumë mëkate dhe që ka kryer as shumë krime elektorale në Shqipëri. Ne duhet të bëjmë shtyrjen e zgjedhjeve, duhet të bëjmë reformë zgjedhore.

Po kërkoni pak a shumë atë që kërkon Berisha?

Kjo është kërkesa e popullit tonë, e qytetarëve të Shqipërisë dhe jo më zgjedhje të pranueshme në Shqipëri.  Këtë çështje duhet ta kenë të qartë edhe misionet e OSBE/ODHIR në Shqipëri. Populli shqiptar nuk pajtohet me standarde gjysmake dhe as me standarde të pranueshme. Kjo është një diçka që nuk duhet të vazhdojë më tutje. Ne kemi përgjegjësi të bëjmë këtë reformë zgjedhore, qeveria e majtë ka përgjegjësi të bëjë reformë zgjedhore si në të gjitha vendet evropiane, të shtyjmë zgjedhjet, të implementojmë reformën dhe t’i japë besim opozitës dhe të gjithë popullit tonë që të shkojë të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të ndahen politikanët përfundimisht nga përfitimet që vijnë nga manipulimi dhe deformimi i zgjedhjeve. Ky mendoj unë se është qëndrimi që duhet të adoptojë si vijë politike PSja dhe ky qëndrim duhet të diskutohej në Asamblenë Kombëtare të PS-së, kjo çështje duhet të diskutohet edhe në Kongresin e partisë. Duhet të dalin përgjegjësitë e plota për të gjithë këtë histori 26-vjeçare që e mban peng Shqipërinë dhe nuk e lë të ngre kokën sepse nuk i garantojmë dot zgjedhje të lira dhe të ndershme si në të gjitha vendet e tjera të civilizuara.

Cili është qëndrimi juaj lidhur me reformën në drejtësi? Në lidhje me ngrirjen që i është bërë reformës në drejtësi për shkak të bojkotit të Parlamentit?

E kam shprehur pikëpamjen time në shumë takime me qytetarët gjatë kësaj kohe që, opozita duhet t’i largohet retorikës së dhunës dhe të konfliktualiteteve në ligjërimet e veta politike dhe të vazhdojë dialogun dhe jetën parlamentare. Reforma në drejtësi është një dështim i ri dhe asgjë tjetër për mua. Unë nuk pajtohem me kulturën që; kur flitet për reformën zgjedhore, një palë flet për reformën zgjedhore dhe një tjetër për reformën në drejtësi. Kjo nuk është një qasje e sinqertë në debat. Kur flitet për reformën zgjedhore dhe për zgjedhjet e lira duhet që palët të flasin për reformë zgjedhore dhe zgjedhje të lira, dhe kur flitet për reformën në drejtësi, palët duhet të flasin për reformën në drejtësi. Është një qasje jokorrekte, joserioze që kur një palë flet për zgjedhje të lira, pala tjetër flet për reformën në drejtësi. Është një mënyrë për t’u ikur të vërtetave dhe problemeve dhe nuk është një mënyrë që duhet të funksionojë në debat. Dua të shpjegoj edhe diçka. Unë nuk sugjistionohem nga këto deklarimet e ndryshme që këto teza për zgjedhje të lira dhe të ndershme i përmend “çadra” apo Saliu. Unë e kam kauzë timen, e kam bindjen time dhe e lëvizjes politike. “Zgjidhja” që në ditën e parë e ka artikuluar shumë qartë që, reforma e të gjitha reformave është reforma zgjedhore. Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri nuk do të presim rezultatet që dëshirojmë nga asnjë reformë tjetër. Këtu fillojnë reformat.

Pse jeni optimist që do t’ia dilni mbanë në një parti ku ju kanë përjashtuar?

Lëvizja politike ‘Zgjidhja” ka lindur si një korent politik i PS-së, por në të vërtetën dhe në përmbajtjen e vet ajo është një lëvizje e bazës, është një lëvizje e rolit dhe të drejtave të tyre. Bëhet fjalë për demokracinë e brendshme në parti, bëhet fjalë për liritë e këtyre njerëzve, bëhet fjalë për mundësimin e qytetarëve dhe socialistëve të bazës për të marrë pjesë në qeverisje e vendit. Nuk është thjeshtë një lëvizje e elitës, është një lëvizje që bëhet nga poshtë. Do të duhej që kjo lëvizje të bëhej nga sipër sepse problemet që shtrohen janë probleme lehtësisht të kuptueshme, janë probleme të vetë sistemit tonë politike. Të flasësh për parti politike, të flasësh për standardet e partive politike, të flasësh për rolin e partive politike dhe për situatën e tyre në Shqipëri, këto janë gjëra me rëndësi jetike për sistemin tonë politik. Këto ju interesojnë njerëzve dhe nëse këto janë kauza të drejta unë kam besim të palëkundur. Kam shumë përvojë, kam punuar gjithë jetën time, energjia e qytetarëve do të çojë në sukses këtë lëvizje. Nuk janë me rëndësi artificat të quajnë armik apo nuk të quajnë armik në mjedisin politik. Në mjedisin e udhëheqjes është një mjedis armiqësor në PS. Ata bënë qëndrime shumë të këqija, i kanë shkarkuar nga puna të gjithë drejtuesit e kësaj lëvizjeje, që janë djem dhe vajza shumë të studiuar, shumë patriotë, shumë civil. Unë gjej rastin t’i vlerësoj, t’i falënderoj, ta ngre shumë lartë shembullin e tyre në të gjithë Shqipërinë, të cilët janë praktikisht luftëtarë lirie, nuk e bëjnë këtë gjë për ndonjë përfitim. T’i dëmtosh ekonomikisht, t’i shantazhosh, t’i kualifikosh si armiq është diçka shumë e turpshme, është një histori e errët në historinë e PS-së. Qëndrimet që ky lidership ka mbajtur ndaj veprimtarive të “Zgjidhjes” është një njollë turpi në jetën e PS-së.

Cili do të ishte një version i mirë i një mirëkuptimi ndoshta i marrëveshjes për të cilën ju do të kishit shpresë që të ndodhte? Në rast se nuk ndodh ky versioni i mirë, këta 25 mijë anëtarë gjithsesi kanë të drejtë në votime, në kutinë e fshehtë të hedhin një votë sipas lirisë së tyre. Do të kishte një orientim tjetër vote të paktën në një pjesë të tyre?

Në këtë iniciativë ka burra dhe gra të shkëlqyer, atdhetarë dhe patriotë dhe kjo është një aset i madh në duar e popullit tonë, një kapital i çmuar politik, me i çmuar ndër partitë politike të Shqipërisë. Më vjen shumë keq që një parti politike si PS të degjenerojë në këtë iniciativë. Kështu që ne kemi shtruar një platformë që e kemi përkthyer në një nismë ligjore, në një projektligj i cili ka filluar të firmoset nga qytetarët, i kemi vënë emrin projektligjit Unë zgjedh deputetin që dua”, i cili në thelbin e vetë ka dëshirën që të vendos standardet e partive politike në Shqipëri me ligj. Në bazë të këtij projektligji ne dëshirojmë që në parti çdo qytetar, çdo anëtar të zgjidhet dhe të zgjedh lirisht, që njerëzit të zgjedhin kandidatët për deputetë, për kryetar bashkish dhe për këshilla bashkiak, jo të vendosen nga lartë, jo të vendos kryetari këtu se kush do të jetë kryetar bashkie në Shkodër, në Vlorë, Sarandë. etj,. Kjo gjë nuk mund të ndodh më.

Duhet të vendosin vetë qytetarët dhe socialistët, militantët e bazës përmes primareve mikse ose të hapura. Si mundet sot në 2017 ne të pranojmë këtë kulturë, këtë standard, si mundet që të jesh kandidat për deputet nuk ka nevojë të jesh i zoti, të jesh i studiuar, nuk ka nevojë të jesh shqiptar i mirë, nuk ka nevojë të jesh familjar, nuk ka nevojë të sillesh mirë, mjafton vetëm t’i shërbesh dhe t’i pëlqesh kryetarit. Ky është nonsensi që kemi ne. Dhe çfarë kemi ndërtuar praktikisht? Ky projektligji për të cilin flas unë, për këtë model, për këtë reformë që kërkojmë, kërkon që të sanksionohet mendimi ndryshe në parti, që të mos përndiqen njerëzit që mendojnë ndryshe nga kryetari dhe që të kenë liri që t’i thonë pikëpamjet e tyre. Kemi humbur shumë shërbime, por kemi fituar lirinë, lirinë e opinioneve tona, lirinë që të protestojmë sa herë të kemi nevojë, kemi fituar lirinë që të mbrojnë interesat tona si qytetar dhe këtë liri nuk na e lejojnë ta ushtrojmë, këtë liri duhet ta praktikojmë të gjithë, të gjithë qytetarët e Shqipërisë duhet ta ushtrojnë. Pse nuk e ushtojnë dot? Sepse nuk i thonë dot mendimet në parti, nuk i thonë askund sepse të gjurmon qeveria, të gjurmojnë njerëzit e pushtetit. Ne duhet të sanksionojmë lirinë e mendimit real në partitë politike dhe mendimin ndryshe.

Edhe opsionin, edhe mocionin, edhe fraksionin që të mos quhen armiq ata që mendojnë ndryshe nga kryetari sepse kryetarët janë rrezik i madh për Shqipërinë. Nga kryetarët i vijnë gjithë këto pasoja vendit, nga ata që kanë qeverisur vendin i kanë ardhur gjithë këto pasoja dhe ky tranzicion i dhimbshëm dhe i dështuar, nuk është bërë nga qytetarët që mendojnë ndryshe nga kryetarët por është bërë nga kryetarët që nuk kontrollohen dot dhe që nuk dëgjojnë qytetarët, që nuk dëgjojnë mendimin ndryshe. Këto standarde nuk janë shpikje tona, të instalosh primaret sot nuk janë shpikje tona, nuk i kërkojmë ne, është gjitha bota kështu.

Më thoni një vend në botë ku asnjë përfaqësues nuk zgjidhet dot nga populli, asnjë përfaqësues siç është në Shqipëri, ku asnjë ligj nuk votohet dot nga populli. Shqipëria është i vetmi vend i quajtur demokratik ku populli nuk voton dot në referendume, as kombëtare, as lokale, nuk voton dot ligje, kauza, çështje, vizione, nuk voton dot asnjë përfaqësues, asnjë kandidat, për t’u zgjedhur si përfaqësues dhe ne kemi ndërtuar kështu një sistem partitokratik ku populli voton, kryetarët zgjedhin. Ku është populli? Populli nuk është askund, nuk ka asnjë rol në këtë sistem. Nëse sot ne kemi një situatë ndryshe nga gjithë të tjerët, jo se kemi korrupsion, sepse korrupsion kanë të gjithë, por nuk ndodh askund ajo që ndodh në Shqipëri. Edhe në vende të tjera ka korrupsion, në Europë, në Amerikë dhe në fqinjët tanë, por nga ana tjetër ka zhvillim, ka gjëra që shkojnë mbarë, punët bëhen me mirë, e mira fuqizohet çdo vit, nuk rritet e keqja, dhe kombet pasurohen, nuk varfërohen çdo vit siç ndodh këtu.

Ne duam të shembim këtë sistem që quhet partitokraci dhe të vendosim në këtë vend një demokraci normale. Në parti të ketë një demokraci normale dhe në shoqëri të ketë një demokraci normale. Këtë ne duam ta sanksionojmë siç duam të sanksionojmë që buxhetet në betejat elektorale të kenë tavanë, të jenë transparentë, të jenë të kontrollueshëm. Nuk mund të jetë paraja kryesore që vendos kush do të bëhet deputet, kush do të marrë pushtet. Jo, duhet të jenë idetë, sjelljet, besnikëria ndaj popullit.

Në 2013-ën kur ju u zgjodhët ligjvënës i Shqipërisë jeni zgjedhur me këtë lloj sistemi që sot e sulmoni? Pse nuk e sulmuat atëherë?

Unë kam ardhur në vitin 2013 në politikë, nuk them që nuk kam pasur njohuri për politikën. Kam pasur njohuri por sipërfaqësore në kuptimin e organizimit të brendshëm të partive. E kam përjetuar politikën si botues dhe si një njëri i angazhuar, si një njëri i interesuar. Por kur unë kam ardhur në politik, në maj të 2013 kam ardhur nga jashtë sistemit dhe gjendja që unë kam kuptuar ka qenë katastrofike ku sundonte kaosi, papërgjegjshmëri totale. Çfarë bëra unë? Në ë një situatë kur e gjejmë një popull totalisht të braktisur, agresiv, i axhituar, i revoltuar, i zemëruar deri në palcë. nuk bëje dot një takim. Këtë situatë që kam gjetur unë ishte kudo. Unë nuk ika asnjë ditë nga zona ime elektorale, dhe bëra projektin për reformimin e PS-së, një projekt që kam filluar ta implementojë qysh në datën 1 tetor të vitit 2013 dhe që e mbrojta në PS, e argumentova, e miratova atë projekt tek drejtuesit e PS-së dhe atij projekti unë i dhashë jetë në qarqet Vlorë-Gjirokastër. Kam punuar brenda mjediseve të partisë dhe kam punuar me një përkushtim të papërsëritshëm për ta ndryshuar këtë situatë.

Çfarë ndodhi mes jush dhe zotit Rama që nga një dashuri e madhe u kthye në urrejtje dhe përjashtmin tuaj nga strukturat e PS?

Goditja e mandatit tim u bë përmes urdhërimit politik të Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi një vend që kemi kaq shumë media, të gjithë e dinë që mua më është hequr mandati se nuk kam bërë asgjë. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, gazetarët e kanë në duar. E kam shpjeguar shumë herë këtë histori, kjo është një njollë turpi në historinë e PS-së. Kjo është e vërteta e kësaj çështjeje. Mua më kanë shkarkuar nga Asambleja e PS në 23 dhjetor 2016 dhe tre muaj kanë kaluar e sot nuk ka një vendim të zbardhur. Pse nuk zbardhet do të thoshit ju? Të dënosh një njeri duhet të zbardhësh një vendim, të tregosh motivacionet. Ai vendim është marrë pa raport, pa motivim dhe pa njoftim dhe nuk më është dhënë një dokument. Shpjegimi është ky, lufta ndaj meje është luftë ndaj ideve që unë mbart për reformimin e sistemit politik dhe për reformimin e PS. Nuk bëhet luftë kundër meje. Nuk ka rëndësi për mua mandati i deputetit dhe as karrigia në parti. Këto precedentë tregojnë në fakt gjendjen e vërtetë që sundojnë në partitë politike të Shqipërisë.

Këto janë teza për qytetarët e Shqipërisë dhe socialistët e Shqipërisë. Kjo luftë bëhet kundër atyre, nuk bëhet kundër meje. Nuk është për mua farë rëndësi mandati i deputetit, as anëtarësia në Asamble, nuk më ka shërbyer kurrë. Nuk e ka problem Kokëdhima pse iu shkelën këto të drejta por sepse këto precedentë tregojnë gjendjen e vërtetë që sundon në partitë politike të Shqipërisë. Kjo lloj ngarkese nuk është as mllef, as ligështim. Në çdo fjalim timin e kam deklaruar që dora ime e bashkëpunimit dhe e miqësisë qëndron e shtrirë për të gjithë drejtuesit e PS-së. E kam bërë këtë gjë me shumë modesti dhe me shumë urtësi, nuk jam inatçor, jam burrë i vendosur dhe do i çojë këto teza deri në fund, do i mbrojë deri në fund dhe nuk kam asnjë pikë dyshimi në suksesin e tyre pavarësisht mosbesimit siç thotë Enkeli që thotë këto nuk para kanë sukses në Shqipëri. Ne vazhdojmë në këtë rrugë, konstruktive dhe bashkëpunimi. Nëse do i shkojnë refuzimit deri në fund është çështje e tyre, por nuk do ketë asnjë qytetar dhe asnjë socialist në Shqipëri që do më bëjë mua me faj për për çarjen e Partisë Socialiste. Çdo qytetar i Shqipërisë nuk është asgjë tjetër veçse një formë bashkimi. Tezat që kam parashtruar unë janë atje dhe në fund fare e kam mbyllur me këtë që iu them juve. Dy opsione kemi. Ose të pranoni “Zgjidhjen” dhe këtë platformë ta diskutojmë bashkarisht që të ndiqen dhe të kemi një demokraci të shëndoshë brenda nesh, ose merrni përsipër kostot e përçarjes së Partisë Socialiste.

Në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, a ka pasur ish-kolegë që ju mbështesin?

Aty ka shumë deputetë të shkëlqyer. Unë kam njohur persona për të cilët ndihem sinqerisht krenar dhe nuk e them për formalizëm këtë gjë. Ka qenë një për përfitimet e mëdha për mua këto tre vite që isha deputet, që kam ndarë miqësi dhe përvojë me shumë shokë të përgjegjshëm, por në përgjithësi në këto mjedise, në grupet parlamentare të Partisë Socialiste dhe asamblenë e Partisë Socialiste nuk ka mjedis debati, nuk ka liri shprehje. Nuk përgatiten ato takime. Atje shkon flet kryetari dhe ministrat dhe ka mbaruar çdo gjë. Prandaj them unë që Partia Socialistë duhet të bëjë ndryshime rrënjësore me qëllim që atje të përgatiten politikat e vendit dhe të debatohen të gjitha alternativat, që kjo parti, kjo mushkëri e demokracisë t’ju mësojë qytetarëve që të zhvillojnë aktivizimin e tyre politik dhe të marrin pjesë në mirëqeverisjen e vendit.

Kokëdhima nëse zgjedhjet zhvillohen, ju keni vendosur si forume drejtuese të kësaj lëvizjeje se ku do t’i drejtoni votat dhe a do ta deklaroni këtë sugjerim?

Unë vazhdoj të besoj se ne do t’i propozojmë një listë të zgjedhur me primare brenda anëtarësisë së “Zgjidhjes”, lidershipit të Partisë Socialiste që ta përfshijë në listat e Partisë Socialiste dhe nuk kam asnjë arsye që të mos e besoj këtë gjë. Në qoftë se kjo nuk pranohet do mbledhim forumet tona dhe do martrim vendimet e duhura.

Në qoftë se jo, Koço Kokëdhima do të jetë pjesë e një liste të një partie tjetër?

S’do të ndodhë kurrë. Këto ide janë të shpërndara nga kundërshtarët e “Zgjidhjes”, nga këta njerëz për të cilët diskutuam sot këtu. Në fillim thanë se Koço do bëjë një parti tjetër, pastaj jo do krijojë një parti të tij, pastaj iu ra kjo e partisë thanë do vejë me LSI-në… I pari këtu, i dyti atje etj. Këto gjëra nuk ndodhin me mua. Unë nuk jam një person që luftoj për pushtet. Nuk më intereson, as posti i deputetit, as posti i ministrit. Nuk kam këtë qasje fare.

PDIU ka ardhur me një letër të firmosur nga Edi Rama dhe Ilir Meta. Ndërkohë, që ju e shihni aty të keqen?

Nuk e shoh fare të keqen aty. Futja e PDIU-së është shprehje e krizës së koalicionit. Nuk kishte asnjë nevojë Partia Socialiste të merrte PDIU-në. Ato janë qasje diversivë në koalicion.

Është e dukshme që ka një konflikt të vazhdueshëm brenda koalicionit. Sipas jush kush e ka bërë këtë luftë të brendshme mes PS-së dhe LSI-së?

Unë e kam thënë dhe herë tjetër që ky koalicion ka bërë edhe vepra të mira por potencialet e tij ishin dhe mbeten shumë të larta, potenciale që nuk janë përdorur për mirëqeverisjen e vendit dhe për interesat strategjike dhe zhvillimet strategjike në Shqipëri. Unë këtë gjë kam kërkuar kur them se duhet debat i shëndoshë në forumet e partive të koalicionit, në tryezën e koalicionit, në kongresin dhe asamblenë e Partisë Socialiste, ku të trajtohen hapur të gjitha problemet e përgjegjësisë së partive.

Janë bërë sjellje komplet joprofesionale me trajtimin e koalicionit

Unë shoh shumë dashuri dhe shumë dhimbje të z. Kokëdhima për Partinë Socialiste, por sa më shumë kalon koha shoh edhe shumë revoltë, një pamundësi, se ka një kontradiktë. Dihet fakti që të gjitha tezat tuaja janë realitet dhe të gjitha partitë janë të uzurpuara në një grup, të cilët uzurpimin e kanë bërë me një plan. Unë s’kam asnjë lloj besimi që ky grup mund të ikë me lëvizje të brendshme, përderisa kontrollon Asamblenë, të gjitha. Ata kontrollojnë votën tonë. Ju nuk jeni brenda. Pavarësisht se përpiqeni nuk jeni brenda Partisë Socialiste. Nuk mundeni të keni vendimmarrje nëpër forume të caktuara. Keni mbështetës, të cilët ju duan dhe ju impresionojnë. Tezat tuaja janë një program. Të gjithë këta që janë parti, kur duan të bëjnë populizëm dhe të bëhen perëndimorë kanë të gjithë tezat tuaja. Këta të vetmin presion që mund të hanë dhe që mund të shkallmohen pak nga pak do të ishte që ju të konsolidoheni si lëvizje politike.

Unë e mirëpres sugjerimin tuaj. Mendoj se ky sistem që ne kemi nuk mban më. Ka arritur pikën e fundit dhe nuk shkon më duke bërë gënjeshtra dhe mashtrime. Ikën një palë dhe hajde një palë, ikin ca gënjeshtarë dhe hajde disa të tjerë, ik ca të korruptuar, ca kusarë e kështu me radhë, kjo nuk ecën. Unë kam besim të plotë se populli është duke u ndërgjegjësuar, është duke u ngritur dhe do marrë fatet e veta në duart e tij. Unë nuk besoj, nuk kam asnjë fije besimi se mund të vijë shpëtimi nga kjo situatë e keqe që kemi nga udhëheqësit. Por unë kam besim se ndryshimi do të vijë nga njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, veçanërisht nga rinia. Nga rinia kudo që ajo ndodhet, rinia shkollore, rinia universitare, rinia e “Zgjidhjes”. Kaq shumë njerëz janë një tregues i kësaj nevoje. Nuk është një tregues se sa të mirë jemi ne. Nuk ka lidhje fare kjo. Ka lidhje me sa nevojë ka Shqipëria për të bërë këto ndryshime. Kush nuk i kupton këto vetëm bën gabime dhe prodhon kosto. Unë kam bindjen se Shqipëria do e bëjë këtë ndryshim.

Me rëndësi është që të bëjmë kapërcimet e mëdha, pa kosto të lartë, pa eksplozione sociale. Ky popull që është sot kaq i lodhur, të cilin e kanë shkelur, gënjyer mashtruar, ia kanë vrarë nervin dhe aftësinë për reagim, ky popull do të zgjohet dhe do t’i imponohet kësaj kaste politike dhe do t’i hapë rrugë këtyre proceseve se këto janë të rëndësishme. Unë i kam bërë thirrje qytetarëve të Shqipërisë, të rinjve dhe të rejave, socialistë dhe josocialistë, çfarëdo që janë, banorëve të këtij vendi që duan të marrin përgjegjësi për vendin e tyre, të vijnë të bashkohen te “Zgjidhja”. Unë nuk i tradhtoj kurrë shpresat dhe kauzat e tyre. Do luftoj deri në fund. Kështu që, si i tillë programi që unë shtroj nuk është thjesht një program ideologjik për të majtën, por është një program për të shëndoshur e reformuar pjesën natyrore të shtetit, institucionet bazë të tij, funksionet kushtetuese të shtetit tonë dhe që të kemi një progres të suksesshëm. Të jemi një vend që të pasurohemi çdo vit, jo që vend që raportojmë borxhet çdo vit. Të jemi një vend që kemi mundësi të eksportojmë, jo një vend që importojmë mish të kalbur nga Meksika, që është faqe e zezë për një vend si Shqipëria me këtë mundësi me këto toka, me këtë klimë, me këtë diell. Pse? Sepse shteti është në duar të tutkunëve dhe të korruptuarve. Sa do vazhdojë kjo histori kështu?

Kanë kaluar 4 vite nga marrëveshja e famshme e 1 prillit ku të gjithë thonë se ju keni qenë garant i saj. Tani, nuk e dimë nëse ka një marrëveshje të re apo jo. Ju e rekomandoni?

Së pari, për çështjen e koalicionit ishte një nga tezat që kam trajtuar në atë letër. Partia Socialiste që udhëheq koalicionin duhet të bëjë analizën e funksionimit të koalicionit. Ato koalicione nuk mund të bëhen vetëm për hir të interesave personale të një apo dy njerëzve. Koalicionet duhen bërë për interesat të mirëqeverisjes së vendit. Në këto 4 vite janë bërë sjellje komplet aprofesionale me trajtimin e koalicionit. Rekrutimi i PDIUsë në koalicion nuk ishte vetëm një gjë e papërshtatshme por ishte një akt alkimie politike, ishte një akt i gabuar, i panatyrshëm dhe një kosto e rëndë për pushtetin e të majtës.

Çfarë sillte PDIU kur e majta kishte 85 vota? Nuk sillte asgjë. Dhe tani, nuk e di sa e vërtetë është se nuk kam informacion akoma por tani thonë që PDIU-ja nuk do jetë më pjesë e koalicionit. Por për çfarë ishte kjo gjithë kjo trajektore? Përse duhej? Koalicioni vlerën e besimit të ndërsjellë e ka çuar drejt 0-s. Sepse ka munguar një sistem institucionesh dhe parimesh që do ta bënte këtë koalicion solid, afatgjatë dhe në përputhje me objektivat e vendit tonë për qeverisjen e mirë. Unë kam predikuar dhe predikoj të majtën e bashkuar dhe ka luksin të planifikojë reformat e mëdha, qeverisje afatgjatë, por nëse kjo e majtë e bashkuar përdoret thjesht për pushtet personal dhe jo për të mirën e qeverisjes së vendit, atëherë këtu ne nuk përfitojmë nga koalicioni dhe për këtë nuk është bërë asnjë analizë serioze. Madje, as e qeverisë që solli. Një Kongres kemi bërë që nuk prodhoi asnjë dokument, asnjë rezolutë.

Partia që qeveris vendin nuk prodhon një dokument, një vizion, një plan. Të tregojë si do jetë Shqipëria pas 5 vitesh, pas tre vitesh! Si do të jenë koalicionet, për bazën e koalicionit të majtë, për vizionin që duhet të ketë kjo e majtë e bashkuar dhe për lojalitetin që duhet ekzistojë atje brenda, për vlerat e të majtës që duhet të jetojnë dhe zhvillohen atje brenda. Nuk ka asnjë diskutim. Përkundrazi, bëjnë koalicionin, marrin pushtetin dhe pastaj fillon lufta gjueti e shtrigave, lufta pas shpine. Nuk lihen dy gurë bashkë dhe në vend që të merren gjithë energjia të përdoret për çështjet e popullit përdoret për lufta të paprincipta. Këtu çdo gjë që të thuash, qoftë një thashethem e merr vesh tërë Tirana, tërë Shqipëria, gjithë populli i di gjëra që ndodhin këtu. Kujt i fshihemi ne?

Kokëdhima: LSI i qëndroi korrekte marrëveshjes me PS-në

Si koalicion a do ishte i pranueshëm, nëse do kishim një déjà vu të këtyre marrëdhënieve brenda LSI dhe PS. A mendoni se është lodhur populli nga mënyra se si ky koalicion ka drejtuar dhe po bëhet gati ta drejtojë vendin edhe për katër vite të tjera?

Unë nuk e gjykoj Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ato kanë qëndruar korrekt në marrëveshjen me Partinë Socialiste. Ky është fakt. Kanë mbështetur përgjithësisht çdo nismë ligjore të palës sonë. Kur unë ngre pretendimet për Partinë Socialiste, i kam të bazuara në përgjegjësitë që duhet të kemi. Ne e udhëheqim koalicionin. Partia Socialiste e udhëheq koalicionin. Dhe ne duhet të krijojmë energji që marrim nga kjo shumicë dhe stabilitetin që prodhon ky bashkim në terma afatmesme dhe afatgjatë për të bërë atë lloj planifikimi të zhvillimit të Shqipërisë që nuk mund ta bëjmë dot vetëm. Së dyti, unë kam gjithmonë këtë pretendim. Konsumin e pamerituar që partia socialiste bën në qeverisje. Kur kam thënë se kemi vështirësi, domethënë unë besoj që Partia Socialiste rrezikon diçka që po ndodh, një përgjegjësi që po ndodh dhe ne duhet të marrim masa të sinqerta, të vërteta, të korrigjojmë problemet e rënda që kemi në parti për ta fuqizuar atë. Nëse e demokratizojmë ne partinë dhe aplikojmë primare mikse. E di çdo të thotë të aplikojmë primare mikse? Që gjithë djemtë dhe vajzat më të mira të Shqipërisë të kandidojnë për ta na përfaqësuar dhe të sjellin gjithë mbështetësit e tyre.

Ky është një shërbim i madh që do i bënim në fund të fundit edhe vetë partisë. Që një parti të jetë fituese, nuk i mjafton as mesazhi i goditur, as mesazhi i zgjuar, as spektakli. Nuk i mjafton as lideri karizmatik, as shumë para, i duhet pikërisht ajo demokracia e brendshme, që i jep mundësi konkurrencës së vlerave dhe që i jep mundësi të vijnë njerëzit më të mirë të këtij vendi në përfaqësimin e popullit. Unë mendoj se lëshimet e pamerituara në koalicion, abuzimet me partnerët në koalicion,etj ose në dëm të tyre, sikur ka gjëra të mira, ashtu edhe kur ka gjëra të këqija. Për këto çështje them unë nevojitet një diskutim serioz në forumet e partisë. Pse çfarë është koalicioni? Që të vëmë të bëjmë pazare dhe të sigurojnë pushtetin 5 ministra dhe një kryeministër. Për këtë e bëjmë koalicionin? Që të sigurojë vazhdimësinë kryeministri jonë?! Kur e bëjmë koalicionin, e bëjmë për nevojat e popullit shqiptar, nuk e bëjmë se si të rrinë në pushtet 10 njerëz. Dhe për këtë çështje ka nevojë të diskutojmë para popullit me transparencë të plotë, çdo çështje me rëndësi për të mirën e vendit.

Tashmë me Metën keni një marrëdhënie të mirë. Nuk keni një koment për qëndrimet e Metës tashmë që edhe marrëveshja e 1 prillit skadoi?

Unë mendoj që në një mënyrë të caktuar i dhashë përgjigje kësaj pyetje. I kam miq edhe Metën, edhe Ramën, në jetën personale sigurisht. Çdo nivel besimi gjithmonë e kam përdorur vetëm pozitivisht për t’i përmirësuar punët. Por kjo është jashtë politikës.

 /Shekulli/