Intervista/ “Ta zgjidhim krizën me dialog dhe me mjete politike”

242

Nga Llambi Kallço

Drejtuesi i lëvizjes ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, propozoi gjatë një interviste në TV “Adria Net” në Durrës që drejtuesit e partive shqiptare të mblidhen në Bruksel dhe në bashkëpunim me zyrtarët e BE-së të diskutojnë për reformën zgjedhore dhe datën e re të zgjedhjeve parlamentare. Kokëdhima u shpreh se populli shqiptar meriton zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe jo të pranueshme siç thonë raportet e OSBE/ODIHR-it. Ai kërkoi marrje përgjegjësie nga kryeministri dhe ata që duan të bëjnë zgjedhjet parlamentare më 18 qershor pa opozitën, duke u shprehur se “Vetëm të marrët mund të mendojnë se do bëhen zgjedhje në këtë vend pa opozitë”. Kokëdhima u shpreh i sigurt se zgjedhjet do të shtyhen dhe se reforma zgjedhore do të bëhet dhe shprehu pikëllimin për gjendjen e rëndë ku e ka futur PS-në dhe elektoratin e saj lidershipi i drejtuar nga Rama.

Z.Kokëdhima. Do të ndalemi tek zhvillimi më i fundit, tek ajo lëvizje politike që bëri LSI që e shikon të domosdoshme prezencën e Opozitës në parlament. Cili është këndvështrimi juaj zoti Kokëdhima lidhur me këtë zhvillim të ri politik, i cili mund të sjellë edhe zhvillime të tjera të papritura?

Unë kam folur për Lëvizjen Socialiste për Integrim, përpara se sa të deklarohej vetë LSI-ja. Unë jam deklaruar dy herë, para se ata të LSI-së të deklaronin zyrtarisht qëndrimin e tyre, jo se kisha ndonjë informacion, as se isha pjesë e ndonjë diskutimi konspirativ, por se bazohesha në logjikën e politikës dhe në logjikën e ftohtë në të cilën duhet të analizojmë zhvillimet e vendit. E kam deklaruar se LSI-ja nuk mund të futet në zgjedhje pa opozitën. Po e deklaroj sot përsëri këtu. Është marrëzi të mendosh se mund  të bëhen zgjedhje pa opozitën. Nuk do të bëhen zgjedhje pa opozitën në Shqipëri. Nëse lidershipi i PS-së dhe qeveria mendojnë që të ngulin këmbë dhe të insistojnë për të bërë zgjedhje pa opozitën, kjo është një kosto shumë e madhe për vendin, për shoqërinë dhe për PS-në, që ka përgjegjësinë e qeverisjes dhe të koalicionit. Pa opozitën nuk shkohet në zgjedhje, është njësoj sikur ta çosh vendin në katastrofë, në përplasje të mëdha sociale, në destabilizim, drejt izolimit nga investimet dhe drejt rrënimit, dhe këto nuk mund të ndodhin. Kështu që LSI-ja, në dijeninë time dhe në vlerësimin tim me aq njohuri sa kam për këtë parti nuk mund të marri përsipër kosto të tilla, por as nuk mund të jetë e papërgjegjshme që t’i bashkohet një rrugë të tillë që është rrugë e minuar, nuk është rrugë paqësore.

Zoti Kokëdhima, në këtë realitet që jemi, cila është, sipas jush, zgjidhja ideale për të kaluar këtë krizë politike?

Emisioni juaj quhet “Udhëkryq”, nëse nuk e kam gabim. Në një fjalim kam deklaruar se populli shqiptar në këtë tranzicion të gjatë, të dhimbshëm dhe të vështirë, vazhdon të ndihet akoma në udhëkryq. Dhe kjo është një nga arsyet  pse e kemi iniciuar lëvizjen “Zgjidhja” për të ndihmuar daljen nga ky tranzicion dhe instalimin e një demokracie të vërtetë funksionale kushtetuese në Shqipëri. Përsa i përket çështjes së krizës aktuale më vjen shumë keq që PS-ja nuk është në pozitën që duhet të ishte. Dhe kjo ndodh sepse lidershipi i saj ka konflikt interesi. Lidershipi i saj dhe kryesia e Partisë Socialiste dominohen nga një grusht ministrash dhe nga kryeministri, për të cilët nuk kam asnjë ngarkesë negative, sepse i çmoj si miq.

Por dëshiroj të them mendimin tim të vërtetë që i shërben dhe atyre në terma afatgjatë, pavarësisht se si mund ta kuptojnë ata dhe interesat e ngushta pragmatiste të tyre, se nuk janë në gjendje të shikojnë situatën, të shikojnë larg dhe të marrin vendimet që janë në interes të Shqipërisë. Partia Socialiste do të  duhet të ishte shprehëse, zëdhënëse dhe përfaqësuese e aspiratave të socialistëve të bazës dhe qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë. Kush i do zgjedhjet e lira? Kush digjet për zgjedhjet e lira? Saliu dhe Partia demokratike?  Jo! As lidershipi i Partisë Socialiste? Jo!. Sepse është e vërteta e këtyre 20 vjetëve që tregon se të dy këto palë, të dy këto ekipe udhëheqëse kanë bërë krime elektorale, janë përfshirë në vjedhje, manipulime dhe trafikim votash në Shqipëri.

Kjo nuk është akuzë, nuk dua as të akuzohet njeri, por është thjeshtë raportim. Unë flas këtu me dijet që kam për të vërtetat e jetës. Nuk i interesojnë banorëve të kësaj toke, manipulimet e zgjedhjeve. Nuk i duan socialistët zgjedhjet e pandershme, nuk i duan demokratët e thjeshtë zgjedhjet e pandershme. Nga zgjedhjet e manipuluara, të deformuara, trafikuara dhe pa standarde, përfitojnë vetëm 50 vetë, një grusht njerëzish dhe humb i gjithë populli.

 Si mund të dalim nga kjo situatë?

Pa asnjë modesti, me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe me vizion, “ Zgjidhja” dhe unë jemi deklaruar të parët në Shqipëri, që kur është themeluar “Zgjidhja”, se iniciativën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri duhet ta marr në duar PS-ja, koalicioni dhe qeveria. Këta nuk  e morën në duart e tyre, sepse u sollën si qeveria e Saliut në të shkuarën.

Pra kanë përsëritur të njëjtat gabime, z.Kokëdhima?

Kanë të njëjtat sjellje. Kur janë në opozitë flasin si shërbëtorë, kur vijnë në pushtet sillen si sundimtarë. Kur vijnë në pushtet nuk ju interesojnë më standardet dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë. Zgjedhjet e lira e të ndershme nuk janë as për Saliun, as për PD-në, nuk janë as për lidershipin e PS etj ,etj. Janë për qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, qofshin ata  socialistë, demokratë, LSI-stë. Qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë fitojnë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe të drejta. Të gjithë humbin nga zgjedhjet e deformuara.

Ju jeni për qeveri teknike z.Kokëdhima?

Unë jam që të gjithë shqiptarët ta kuptojnë,  si i kanë mashtruar gjithë jetën e tyre.  26 vjet mashtrime konsumon populli nga këto elita politike që nuk përtërihen, që janë po të njëjtët, të pavdekshëm, janë si hajlandera. Ja aty do të rrinë 50-100 vjet nëse nuk do të ndërrohen. Pse? Sepse ky vend nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë që ne kemi nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse ky është themeli i shteti dhe demokracisë.

Cili është vizioni juaj për ta zgjidhur këtë ngërç?

Padyshim që kriza që kemi aktualisht do të sjellë një zhvillim. Problemi është a do sjellë gjënë e duhur? A do sjellë standardet e plota për zgjedhjet? Apo do të sjellë prapë zgjedhje të pranueshme?. Më acarojnë deklaratat e reporterëve të OSBE/ODIHR-it në çdo palë zgjedhje kur thonë se janë zgjedhje të pranueshme. Populli shqiptar nuk do dhe nuk meriton zgjedhje të pranueshme, nuk meriton standarde gjysmake për zgjedhjet, nuk meriton standarde inferiore dhe kalimtare.

Populli shqiptar meriton zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme si çdo vend i civilizuar në Europë, në SHBA dhe në botë. I ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë, veçanërisht militantët e PS-së dhe PD-së, që të ndjekin me vigjilencë gjithë këto ngjarje që po ndodhin, gjithë këtë krizë që po zhvillohet dhe të kërkojnë që nga kjo krizë të merret produkti i duhur, të zgjidhet përfundimisht problemi i zgjedhje me standarde si në të gjitha vendet e civilizuara.

Meta-Kokëdhima, tjetër takim për zgjidhjen e krizës politike

Drejtuesi i lëvizjes ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, u takua sërish dje me kreun e Kuvendit dhe njëherësh kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Gjatë takimit 30 minutësh, të dytin brenda pak ditësh, u bisedua për aktualitetin politik dhe për rrugët e kapërcimit të krizës politike që po kalon vendi. Të dy bashkëbiseduesit theksuan sërish nevojën e dialogut mes palëve politike si dhe përsëritën qëndrimet e tyre se nuk mund të ketë zgjedhje parlamentare pa opozitën. Drejtuesi i lëvizjes Zgjidhja, ashtu si dhe në javët e kaluara, është duke zhvilluar takime intensive me të gjithë drejtuesit e partive politike në vend në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e krizës politike ku është futur vendi pas nisjes së protestës së opozitës më 18 shkurt dhe këmbënguljes së qeverisë për të shkuar në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit edhe pa opozitën.

Kokëdhima: Zgjedhjet do të shtyhen, reforma zgjedhore do të bëhet

Si e vlerësoni qëndrimin e ndërkombëtarëve  në momentin aktual, në kushtet e kësaj krize?

Kur flasim për ndërkombëtarët ne kemi parasysh diplomacinë dhe institucionet e Bashkimit Europian, në radhë të parë, pastaj kemi parasysh SHBA-të si partner prioritar strategjik i Shqipërisë dhe në radhë të tretë kemi gjithë mjedisin tjetër ndërkombëtar. Por këto dy të parat janë thelbësore në kuptimin e ndikimit politik, në politikën zyrtare të Shqipërisë.

Politika jonë duhet të jetë në gjendje ta sensibilizojë Bashkimin Europian që  të luajë rolin e duhur përpara se këtu të ndizet flaka. Sepse kemi shumë përvoja nga këto 26 vite dhe ne nuk duhet të presim që kur të ndizet zjarri në Tiranë dhe në Shqipëri, ata të vijnë me zjarrfikësit dhe me kapacitetet tyre dhe të shuajnë zjarret këtu. Shqipëria i ka të gjitha kushtet që t’i zgjidhë problemet e veta me burimet e saj. Dhe unë do të propozoja që sot partitë politike që janë të interesuara për zgjedhjet në Shqipëri të krijojnë një delegacion dhe të shkojnë në institucionet e Bashkimit Europian, në Bruksel dhe të diskutojnë Reformën Zgjedhore, datën e re të zgjedhjeve. Duhet të ndërgjegjësojnë edhe Brukselin që situata që kemi në Shqipëri është me shumë rreziqe dhe nuk mund të zgjidhet me rekomandimet e ambasadorëve, me deklarimet me shumë kuptime, ose me ato deklarimet me arra në gojë, derisa këtu të ndizet zjarri. Situata dhe vendi po shkojnë drejt destabilizimit.

Kush nuk ka mendje të kuptojë, sy që të shikojë dhe nuk ka logjikë që të kuptojë nuk mund ta vërë re këtë që them unë. Kur unë shoh sot akoma që ka shtetarë që thonë  se do të bëjnë zgjedhje pa opozitën më rrënqethet mishi. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Nuk do të bëhen zgjedhje në Shqipëri pa opozitën. Vetëm të marrët mund të mendojnë se do bëhen zgjedhje në këtë vend pa opozitë. Opozita është gjysma e popullit shqiptar dhe ajo gjysma e popullit shqiptar nuk përjashtohet dot nga askush. Qeveria mund të ikë, por kjo gjysma e popullit nuk mund të ikë. Kjo gjysma e popullit ka të drejta të patjetërsueshme. Kauza e zgjedhjeve të lira është kauzë e popullit, e qytetarëve dhe e të majtëve. Është një gafë e rëndë e qeverisë së PS-së që e ka lëshuar kauzën e zgjedhje të lira ta mbajnë në duar Berisha dhe PD-ja, që janë dy mëkatarët më të mëdhenj përsa i përket zgjedhjeve në Shqipëri. Krimet më të rënda elektorale i ka bërë Partia Demokratike në këto 20 e ca vite  në Shqipëri.

Partia Socialiste, lidershipi i saj, nuk u distancua nga kjo kulturë e vjedhjes dhe e manipulimit të votës, iu bashkua asaj kulture dhe erdhi në një pikë që të dy palët vjedhin, manipulojnë dhe trafikojnë vota dhe nuk e lënë Shqipërinë që të ngrejë kokë. Janë të lumtur në këtë tokë vetëm ai grushti i qeveritarëve  të majtë dhe të djathtë, të dy palët janë të lumtur. Ndërsa për popullin kjo tokë është kthyer në ferr dhe problemi është a do kemi prapë zgjedhje të pranueshme apo do kemi zgjedhje me standarde të lira dhe të ndershme, përfundimisht të pranueshme dhe të pakontestueshme nga shqiptarët këtej e tutje. Këtë pikë shtoj unë.

Por, që zgjedhjet do shtyhen, që reforma zgjedhore do bëhet, kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi. Kjo do ndodhë kështu si them unë. Dhe që qeveria e majtë do të bjerë, kjo nuk ka asnjë dyshim. Edi Rama është përgjegjës përpara Partinë Socialiste, sepse për interesin e tij personal, për karrigen e tij personale, është duke e larguar PS-në dhe të majtën nga qeverisja dhe nga e drejta e tyre legjitime për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

“Ta shpëtojmë PS-në nga fati i PASOK-ut, ku po e shtyjnë qeveritarët e papërgjegjshëm”

Analiza e ish-deputetit të PS-së për gjendjen e rëndë ku ndodhet e majta në Shqipëri. Përgjegjësia që ka lidershipi i sotëm i PS-së për rrethimin që i është bërë të majtës dhe parashikimi për ditët e vështira që do të vijnë

Ditën e dielë ju keni bërë një letër të hapur që ia keni drejtuar Asamblesë Kombëtare të PS-së. Ndërkohë që keni thënë se do t’i ofroni një listë të njerëzve të dalë pas votimeve me primare në lëvizjen Zgjidhja dhe nëse nuk i pranon, lidershipi i PS-së do të mbajë koston e përçarjes. A mendoni se është pikërisht reagimi i PS-së, i Edi Ramës ndaj kësaj kërkese që keni bërë, ai që mund të përcaktojë përfundimisht dhe lidhjen e lëvizjes suaj brenda Partisë Socialiste?

Po të shikojmë me kujdes qasjen e LSI-së, është korrekte, është një qasje shumë korrekte. Nuk mund ta çojë vendin në luftë Ilir Meta dhe LSI. Po të shohim qasjen e PDIU-së, është qasje atdhetare, është korrekte, është me mendje të ftohtë, është racionale, shumë produktive, ndihmuese për zgjidhjen e krizës dhe është e vlerësueshme. Shiko se ç’ndodh! Partia Socialiste po izolohet. Po si mund të izolohet PS-ja? Në vitin 1991 dhe 1992, janë socialistët e Shqipërisë që bënë zgjedhje ideale, zgjedhje që askush nuk ka mundur t’i kontestojë. Në 1994 dhe 1996, Saliu e mbolli kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërsa socialistët i bënë zgjedhjet perfekte, askush nuk e njihte vjedhjen e zgjedhjeve në këtë vend. PS-ja është vënë në izolim nga të gjithë faktorët politikë, sepse kryeministri dhe qeveria nuk bënë për katër vjet reformën zgjedhore, nuk bënë asgjë për të pastruar përfundimisht zgjedhjet.

Sot në rrugën kur PS-në dhe qeverinë e saj po e rrethojnë gjithnjë e më shumë gjithë këta faktorë të mëdhenj presioni. Nuk do jetë e largët dita kur ndërkombëtarët ta braktisin dhe izolojnë Partinë Socialiste dhe qeverinë tonë dhe ta detyrojnë të pranojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të pranojë reformën zgjedhore, standardet minimale që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, shtyrjen e zgjedhjeve dhe qeverinë teknike. Çfarë i kam propozuar unë Edi Ramës? Mos e ço Partinë Socialiste dhe shumicën e majtë në pozitën që të dorëzojë qeverinë. Mos ia hiq PS-së dhe shumicës së majtë kredibilitetin për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme se nuk e meritojnë. Mos i bëj mëkatet e kësaj qeverisjeje, mos i kthe në një inferioritet të tillë për PS-në këto situata. Unë i propozova Kongresit dhe Asamblesë së Partisë Socialiste , madje Kongresit të Jashtëzakonshëm se nuk kemi ne arsye që të shkojmë në një qeveri teknike. Ne duhet të pranojmë kërkesat e drejta të opozitës, të çdo shqiptari nga do që vijnë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për standardet.

Ne duhet të pranojmë kanabizimin kriminal të Shqipërisë. Duhet të pranojmë faktin që gjithë kjo fuqi  financiare ilegale do ta afektojë parlamentin, qeverinë, mediat, drejtësinë dhe zgjedhjet. Duhet të pranojmë shqetësimet e drejta të opozitës dhe duhet t’u japim zgjidhje atyre. Pra ne duhet të jemi flamurtarët e Reformës Zgjedhore me standardet më të mira që i japin fund tranzicionit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe të bëjmë  një qeveri të majtë, të shumicës së majtë që t’i shërbejë besimit dhe t’i japë besimin e duhur opozitës dhe gjithë faktorëve të interesuar për zgjedhjet. Çfarë po ndodh dhe çfarë do të ndodhë pas pak ditësh dhe javësh? Partia Socialiste dhe lidershipi i saj do të provojnë presionin e brendshëm dhe të jashtëm dhe do t’i dorëzojnë këto kushte që them unë.

Atëherë do ta vendosin PS-në, socialistët, trashëgiminë më të mirë socialpolitike të këtij vendi, në pozitën e tanishme që të na marrin zvarrë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ata që kanë bërë shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe i kanë mbjellë gjithë ato kultura deformuese dhe manipuluese në këtë vend. Ja pse i kam thënë qeverisë, mos e ço Partinë Socialiste në katastrofë. Imagjino të ndodhë ky vizion që kam shpjeguar unë qysh në 1 shkurt, pa filluar demonstratat e opozitës. Imagjino si do të jetë kjo verë për Partinë Socialiste.

Do të jetë rraskapitëse kur ne jemi nën presionin e akuzave për drogën, sepse janë implikuar zyrtarët e shtetit, pa lejen e Partisë Socialiste, pa miratimin e saj, pa dëshirën e saj dhe pa përfitim për Partinë Socialiste, sepse këta zotërinj kanë qeverisur pa e pyetur bazën socialiste, pa i pyetur forumet e saj, pa marrë konsultim me këto forume, pa vendimmarrje kolegjiale dhe kanë bërë gjithë ato histori të diskutueshme sot gjithandej në opinionin publik shqiptar. Për këto arsye them unë që lidershipi i Partisë Socialiste e ka detyrim të madh të ulet modestisht, mos bëjë të fortin se do të dalë absolutisht i humbur nga kjo histori. Nuk është problemi se humbasin dy, pesë, shtatë njerëz. Problemi është se humbasin njerëzit e pamerituar, humbet nderi i Partisë Socialiste, humbet nderi jo i Partisë Socialiste së udhëheqjes, por ai i Partisë Socialiste të bazës, i socialistëve të thjeshtë që janë njerëz që nuk e meritojnë.

Më bën përshtypje fakti që ju jeni i interesuar që edhe në këtë situatë kaq delikate ta reformoni Partinë Socialiste. Pse nuk gjetët ju një zgjidhje tjetër si për shembull Berluskoni  apo Grillo në Itali që ju të krijoni një forcë dhe nëpërmjet kësaj force t’i realizoni këto programe dhe këto ide?

Unë jam tradicional si formim, jam mendjehapur dhe  njeri i lirë pa paragjykime, u dua të mirën gjithë njerëzve, nuk e nxjerr dot gjakun e familjes sime nga themelet e këtij shteti dhe lirisë së këtij vendi. Jam i majtë nga familja ime. Familja ime ka derdhur gjak, ka dëshmorë, ka heronj, ka pasur një çetë nga fisi im në luftën nacional-çlirimtare. Ne kemi fituar nga reforma agrare në vitin ’46. Njerëzit e mi kanë qenë të lidhur me të majtën gjithë jetën. Unë vetë jam edukuar me bindjet e majta dhe kam bindje dhe kulturë të majtë. Gjithë jetën time, veprimtaria ime është e tillë. Unë e dua të majtën, Partinë Socialiste, jo partinë e udhëheqjes. Nuk kam asnjë dashuri idilike unë për partitë, por e çmoj këtë trashëgimi dhe e përdor këtë trashëgimi në interes të popullit tonë  dhe në interes të zhvillimit të vendit. Nuk e ndërroj këtë gjë. Dhe dua ta shpëtojmë Partinë Socialiste nga shpërbërja dhe nga fati i PASOK-ut, drejt të cilit këta qeveritarë të papërgjegjshëm po e shtyjnë çdo ditë. E shtyjnë drejt shpërbërjes, shkoqjes dhe falimentimit këtë parti. Dhe unë nuk dua që të ndodhë kjo gjë. Prandaj e kam bërë dhe do e bëj deri në fund luftën time, sepse mendoj se Partia Socialiste është një aset i madh politik në duart e popullit tonë.

Z. Kokëdhima desha të ndalem në një moment që ju e cekët, por m’u duk pak i ekzagjëruar. Imagjinoni, thatë ju, që mund të ndodhin dhe ngjarje të tilla saqë Shqipërisë t’i vihet zjarri. Më falni, por nuk mendoj se mund të përsëritet sërish’97-a. Nuk mendoj se situata është aq e agravuar sa mund të ndodhi diçka e tillë.

Një farë zjarri i është vënë Shqipërisë, por nuk është zjarr i dukshëm. Është nga ato zjarret që e japin efektin në trupin e ekonomisë së vendit. Përshembull, unë  jam klient në një hotel në Tiranë. Është një hotel fantastik, një investim,70 e sa milionë euro dhe që kanë një staf shumë të përgatitur, që ofrojnë të gjitha shërbimet me standarde ndërkombëtare. Gjatë gjithë këtij viti, 12 klientë në ditë kanë ata. Që i bie kanë gjithë atë staf, gjithë ato shërbime, që duhet të mbyllen dhe të shkojnë në falimentim.

Pra, një indikator që po jepen shenjat e para të pasigurisë apo të problemeve të tjera?

Po. Që ekonomia që këtu është në përpëlitje dhe është duke dhënë shpirt. Kjo është ideja. Mes Tiranës të ndodhin fenomene si këto që them unë janë shenja shumë të rëndësishme për situatën ekonomike të vendit. Janë tregues shumë të rëndësishëm. Dhe për thithjen e investimeve edhe për historitë e tjera. Tani, kur do i thërrasim mendjes, kur të kemi eksplozion social, kur të kemi përleshje nëpër rrugë, si duam të shkojmë, duhet ta çojmë popullin atje në Kavajë të përleshet?! Duhet të humbim jetë njerëzore që të kuptojnë këta, se politika është për të shmangur çdo lloj konflikti të tillë dhe çështje të tilla duhen zgjidhur me mjete politike dhe  diplomatike dhe s’mund të zgjidhen me përplasje njerëzore, me humbje jete dhe me shkatërrime. Dhe prandaj, edhe sot dëshiroj të them bindjen time nga gjithë përvoja e jetës sime, që arsyeja e ftohtë duhet të sundojë  në situata të tilla.

Të legalizohen ndërtimet e para vitit 2013

Ndalemi pak te programi i lëvizjes suaj. Unë e kam parë programin, por le të ndalemi pak te pjesa e qytetarëve, ajo që është edhe më e prekshme dhe më e ndjeshme. Ndalemi pak në çështjen e legalizimeve, prishjeve, por që janë shumë problematike te njerëzit. Këto çështje janë ai kanceri që ka shoqëria shqiptare. Janë bërë burim konfliktesh.

Prishjet dhe legalizimet janë një tezë e projektit tonë politik. Janë një tezë e prodhuar nga ngjarjet e jetës. Unë kam përjetuar ngjarje shumë të vështira, por shumë të vështira, emocione shumë të vështira që lidhen me drama të rënda të njerëzve, të cilët iu prishen pasuritë, shtëpitë dhe bizneset, iu shpronësohen trojet, ndërtesat, për interesa të ashtuquajtura publike dhe iu shpronësohen me çmime qesharake dhe statusi i tyre, nga një status më i mirë përpara operacioneve të tilla, rezulton një status më i keq, një njeri me strehë rezulton i pastrehë, një njeri me shumë pasuri rezulton me pak, ose hiç pasuri. Të gjitha ndërtimet e paligjshme që janë bërë para vitit 2013, fundi i 2013-s, kur ne, qeveria e majtë, e shumicës së majtë ka vendosur tërësisht kontrollin mbi territorin, i cili është vënë në dyshim tani, por po e quaj që është siç ishte, të gjitha këto ndërtime duhen legalizuar, të gjitha pa përjashtim. Është krim ndaj familjeve të caktuara mos legalizimi i ndonjë ndërtimi të bërë përpara 2013-ës.