Ish studenti i dhjetorit Ardi Stefa largohet nga LIBRA

Kryesore Opinion

Ish studenti i dhjetorit Ardi Stefa nëpërmjet postimit të tij në facebook njofton largimin nga Partia e Blushit. Është zhgënjimi që ka ndikuar në largimin e tij. Partia LIBRA humbi një nga njerëzit më të mire, më të devotshëm, humbi një intelektual dhe një aktivist, humbi atë që nuk duhej të humbiste.

Ja postimi i tij në facebook

Të dashur miq!

Nga mbrëmë nuk jam më pjesë e LIBRA-s. Nuk jam më pjesë e partisë, për të cilën mendova dhe besova tek një parti që vrau Frikën e përqafoi Lirinë…

Që përbuzi Frikën…

Që Lirinë nuk e shihte thjesht tek një iPhone 7, Samsung Galaxy s7 apo makinë e fundit.

Që pëlqente Lirinë reale.

Besova te një parti që nuk do të na linte të sorrollateshim nga Frika te Liria e, përsëri te Frika…

Tek një parti që do të kishte moral dhe emancipim qytetar e europian, të paktën në këto zgjedhje.

Por sot, të gjitha ato shpresa dhe ëndrra që ushqeva rezultojnë pjesë e Mashtrimit të Madh dhe të një ambicieje që duke përdorur gjuhën e bukur sjell frymën e partive të vjetëruara që sulmon.

Morali dhe parimet po zbehen dhe po krijohet një parti identike me ekzistueset.

Kam me dhjetëra, qindra miq të mi te LIBRA, të cilët i besojnë një ideali, atij ideali të cilit i besoja edhe unë. Këta i respektoj. Frymën që po mbillet e kultivohet tek LIBRA absolutisht JO!

Miq!

Vendimi ishte shumë i lehtë për t’u marrë!

Sepse unë vazhdoj të ngelem romantiku e idealisti i pandreqshëm.

Sepse unë nuk dua të bëhem ombrella e askujt e as t’i bëj hije kurrkujt!

Integriteti, morali, personaliteti dhe dinjiteti im qëndrojnë shumë më lart se ambiciet politike të çdokujt.

E kam treguar veten!

E kam treguar veten që “më shumë se partinë dua Shqipërinë”!

E kam treguar veten që kam qenë gjithmonë në vijën e parë kur në 1990 isha firmëtar i themelimit të Partisë Demokratike në Shqipëri dhe themelues i degës së Vlorës.

E kam treguar kurajon time politike e qytetare në Grevën e Urisë, si pjesëmarrës aktiv dhe jo si i fotografuar “pas pilafit”.

E kam treguar kurajon time politike e qytetare në vitin 1997, kur i ktheva dekoratën ish-presidentit Berisha. Dhe, më besoni, në atë kohë duhej vërtet guxim ta ktheje Medaljen e Trimërisë. Atë medalje që ma kishin dhënë dhënë si shenjë të njohjes së kontributeve të mia, kontribute që me dhimbje konstatoja se u flijuan (nga shumë prej atyre që sot mbeten dashnorë dhe adhurues të partive të tyre).

E tregova kurajon time qytetare, atdhetare e politike, kur iu bashkova të vetmes gazetë në gjuhën shqipe në Athinë për mbi 15 vjet.

Asnjëherë nuk isha i kulisave, i prapaskenave. Isha i drejtpërdrejtë dhe kjo më penalizoi gjithmonë.

Dhe asnjëherë nuk kërkova asgjë. Qëndrova i heshtur. Si shumica e atyre që e duan vërtet Shqipërinë dhe jo partinë.

Por Shqipëria, fatkeqësisht, NUK BËHET!

Nuk bëhet, sepse i përkas një mase të pafundme njerëzish që përbëjnë atë që rëndom quhet “shumica e heshtur”, të asaj mase që prisja se te LIBRA do të merrte zë dhe do ta ngrinte zërin zërin. Kjo shumicë e heshtur (siç shkruan edhe miku im Robert Goro) ka si kredo mentalitetin që në vegjëli na e kishin mësuar me një fjalë të urtë, “kalliri që ka bukë e mban kokën ulur”. Me modestinë tonë, ne e kemi ulur kokën, ndërsa mbi kryet tona livadhisin kallinjtë e pabukë; ata që duket sikur përfaqësojnë shumicën, por në të vërtetë nuk janë veçse një minorancë e papërfillshme. Thjesht, janë vetëm ata që shfaqen e duken gjithandej: në zyra ministrore e partiake, në tribuna mbledhjesh të mërzitshme, në ekrane televizionesh e faqe gazetash… E duke u riprodhuar në progresion gjeometrik ngjan sikur janë shumica.

Por fatkeqësisht këta janë shumica. Janë shumica që ushqehen nga falsiteti, mediokriteti dhe ambicia e atyre që janë në krye dhe imponojnë frymën e partive të vjetëruara, pasi nga brumatriçet e tyre kanë dalë.

Dhe kjo është fatkeqësia e politikës shqiptare dhe e të ardhmes së Shqipërisë.

Personalisht, pavarësisht se shkruaj, ndiej e veproj si romantik i pandreqshëm, mendoj si realist. Dhe realistët, zakonisht janë cinikë.

Do të doja që moralin, sidomos në politikë ta ndaja në dy lloje.

Në moralin e bindjes (besimit) dhe moralin e përgjegjësisë. Bartësi i moralit të besimit udhëhiqet nga disa bindje e vlera, të cilat i ndjek besnikërisht dhe pa shmangie, pa u interesuar për pasojat e ndryshme.

I dyti, bartësi i moralit të përgjegjësisë, është ai, i cili vepron duke përllogaritur pasojat e veprimeve të veta, duke njohur faktin se mban përgjegjësi për to, duke ditur faktin se mund të ftohet të japë llogari për ato ç’ka bëri.

Atëherë shtroj pyetjen: A ka moral politika?

Padyshim që po. Ka moral, ka edhe etikë.

Të dashur miq, dhe ju nuk jeni të paktë, të paktën këtu në Vlorë.

Më vjen keq që konsumova fytyrën time, reputacionin tim, kohën time për diçka që është e destinuar të dështojë, pasi do të hyjë në ingranazhin e partisë nga doli.

Ju kërkoj edhe juve ndjesë që besuat tek mua.

Tani ju kërkoj të rishikoni qëndrimin tuaj, në përputhje me vendimin që unë kam marrë.

Retorika të josh për momentin, të ekzalton, por shumë shpejt retorika ia lë vendin veprimeve dhe veprimet zbulojnë natyrën, karakterin e vërtetë dhe synimet e folësve.

Prandaj vendimi im është i parevokueshëm për t’u larguar nga LIBRA.

Vendimi im është vendimi im. Do të doja të isha i gabuar, por kam frikë se nuk jam, pasi ende besoj tek morali, ideali, pastërtia, ndershmëria.

Ju falenderoj për durimin që patët për të më lexuar dhe ju kërkoj ndjesë që ju bëra pjesë të iluzionit tim.

Nga sot i përkushtohem jetës akademike, nxënësve e studentëve të mi.

Do të doja t’ju thosha që kjo Shqipëri bëhet, por jo NUK BËHET!