Itali: Ndryshime radikale në ligjin për emigracionin, miratohet Dekreti Salvini

Emigracioni Rajoni

Qeveria italiane ka miratuar sot Dekretin Salvini, që ndryshon tërësisht legjislacionin në sistemin e emigracionit dhe nënshtetësisë.

Ministri i Brendshëm Mateo Salvini u zotua se legjislacioni do të godasë krimin e organizuar, mafien, dhe emigracionin klandestin. “Nuk dhunojmë asnjë të drejtë themelore: nëse hyn në shtëpinë time për të kryer trafik, të kthejmë andej nga ke ardhur”, tha Salvini në konferencën e sotme për mediat. “Nëse ke marrë një dënim të formës së prerë, është e udhës të të heqim shtetësinë”, shtoi ai.

Dekreti Salvini përmban 15 nene të ndarë në 5 kapituj, ku neni i parë dhe më i debatuari heq të drejtën e azilit për motive humanitare.Leje qëndrimi të veçantë do të ketë vetëm për viktimat e dhunës në familje, viktima të shfrytëzimit në punë, dhe njerëz që vijnë nga vende me fatkeqësi natyrore apo kanë nevojë urgjente për mjekim.

Emigrantët që kanë vepra penale nuk do të kenë më të drejtën për azil politik, si dhe do të rishikohet e drejta e nënshtetësisë për ata që kanë probleme me drejtësinë.

Burimi: Shekulli