Kërcënimi nga asteroidet

286

Të gjithëve na kanë mrekulluar imazhet e filmit Armagedon me aktorin Bruce Willis dhe Ben Affleck në misionin e tyre për të shpëtuar botën nga një asteroid shkatërrues. Por mesa duket ai prodhim kinematografik nuk është thjesht imagjinatë. Planeti ynë është vazhdimisht i kërcënuar nga asteroidët e përmasave të ndryshme, të cilët shpesh kryqëzohen me orbitën tonë. Shpesh një rrezik i padukshëm, por që qëndron konstant mbi kokat tona dhe potencialisht gati për të goditur në çdo kohë. Objektet që shëtisin në një distancë shumë të afërt me orbitën tokësore quhen NEO (Near Earth Objects) ose në shqip: objekte shumë afër tokës. Këto trupa mund të jenë asteroidë ose kometa. Që një objekt i tillë të konsiderohet rrezik serioz për tokën duhet që së paku ai të afrohet 7 kilometra me planetin tonë. Të identifikuar të kësaj kategorie janë rreth 560 trupa qiellore, numri i të cilëve, sipas vrojtuesve, po vjen duke u rritur.Pavarësisht përmasave të trupave të afërt qiellorë, përplasja e tyre me planetin tonë në një shpejtësi të lartë do të shkaktonte kratere me efekte shkatërruese. Megjithatë objekti më shkatërrues që mendohet të ketë prekur tokën është ai i 65 milionë vjetëve më parë që zhduku dinosaurët mbi tokë. Studimet e fundit tregojnë se objekte qiellore të këtyre përmasave që na kërcënojnë jetën mbi tokë janë rreth 100 mijë. Dëmtimet e përllogaritura që mund të shkaktojë secili prej tyre mund të jenë zhdukja e një qyteti të tërë. Përshembull, një trup qiellor me diametër prej 100 metrash do të ishte në gjendje të zhdukte një qytet në përmasat e Milanos ose Romës nëse do të përplasej me Tokën. Është vlerësuar që të paktën dy herë në 100 vjet Toka ndeshet me një objekt të këtyre përmasave në hapësirë. Por, kërcënim mbetet nëse këto asteroide mund të kryqëzohen me orbitën e saj. Megjithatë, atmosfera e Tokës ka një mbrojtje nga këto trupa. Ata të cilët hyjnë në atmosferë duke kaluar përmes saj, arrijnë një temperaturë aq të lartë sa shpërbëhen derisa mbërrijnë në sipërfaqe. Por rreziku më i madh që pritet të kërcënojë Tokën, të paktën sipas parashikimeve të fundit, mban emrin Apophis. Një asteroid, i cili pritet t’i afrohet Tokës në prill të vitit 2029 me një distancë prej vetëm 30 kilometrash. Një afrim i tillë do të mund të shihet edhe me sy të lirë.