“Kërkohet” një gjeneral për të drejtuar!

608

Në dokumentet kryesore të miratuara në Kuvend, siç janë Strategjia e Sigurisë Kombëtare (SSK), Strategjia Ushtarake (SU), dokumente këto të konsultuara me rekomandimet e Dokumentit të Rishikimit të Mbrojtjes, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcaktohet qartë roli i funksionit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

 

Azem PARLLAKU  /   Drejtimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në nivelin politiko- strategjik ushtrohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, të specifikuara me ligj të veçantë.

Komandim-kontrolli në nivelin ushtarako-strategjik ushtrohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, po kështu Komandim-kontrolli operacional, në kohë paqeje, realizohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa në kohë lufte nga Komandanti i Forcave të Armatosura.

 

Aktualisht në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë proçesi i Komandim-kontrollit ushtarako-strategjik dhe atij operacional, nuk kryhet në përputhje me dokumentet kryesore të fushës së Mbrojtjes, pasi që prej nëntorit të vitit të kaluar, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka refuzuar propozimin e Kryeministrit Edi Rama që gjeneral-majorit Jeronim Bazo t’i besohet edhe një mandat i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Nishani u justifikua duke thënë se, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjatë 3 viteve të mandatit të tij të parë nuk i ka raportuar asnjëherë Presidentit, i cili është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nuk i ka dërguar atij asnjë informacion dhe nuk ka zhvilluar asnjë konsultim për dokumentat, planet apo strukturat e Forcave të Armatosura. Në fakt Nishanit, si Komandant i Përgjithshëm, ligjërisht në tryezën e tij të punës i mbërrijnë informacionet nëpërmjet komunikatave operacionale nga fusha e mbrojtjes. Ky informacion formulohet nga ekspertë të Qendrës Operacionale në Shtabin e Përgjithshëm.

Duke e nënshkruar këtë informacion, Bazo e quan se e ka kryer detyrën për t’i raportuar Presidentit si Komandant i Përgjithshëm. Çfarë përmbajtje kanë informacionet shabllone të Qendrës Operacionale, e di fort mirë Nishani si ish-ushtarak.

Teksa, Shefit të Shtabit i kishte mbaruar mandati, ironikisht edhe Kryeministri i’a shprehu atij në një takim aty nga mesi i nëntorit të kaluar, duke e thumbuar se ai nuk e zotëronte situatën, aq më keq, kur dhe bëhet fjalë për çështje të operacionalitetit të strukturave ushtarake. Është e mjaftueshme “ironia”, për të kuptuar çfarë vlerësimi ka Kryeministri për fushën e përgjegjësisë që duhet të ketë gjenerali i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa Shqipëria është anëtare në NATO.

Sigurisht që, “ironi” të tilla ka dhe do të ketë, përderisa zverdhja e spaletës ushtarake kalon nga selia e Partisë. Është Partia ajo që rekruton edhe ushtarin profesionist, i cili betohet në emër të Partisë. Në harkun kohor të 11 muajve, Kodheli u vendua në krye të fushatës për rekrutimin e ushtarit profesionist, çuditërisht fushata u zhvillua vetëm në njësitë administrative, bastione të së majtës, teksa zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes, e raportoi zellshëm axhendën e “Nënëmadhes”.

Një arsye tjetër për refuzimin e emërimit të Jeronim Bazos, ishte se ai i ka nxjerrë jashtë përdorimit të Forcave të Armatosura shumë prona të ushtrisë, pa marrë më parë miratimin e Komandantit të Përgjithshëm, Presidentit Bujar Nishani, detyrim ky që është sanksionuar edhe nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Në fakt është Presidenti ai, që e miraton planin e dislokimit dhe përhapjes së Forcave të Armatosura. Dhe jo më larg, në fillimvitin 2015, ky plan u rishqyrtua dhe u miratua nga Nishani. Ajo çfarë Nishani nuk e ka kuptuar atëkohë, ishte shkrirja e disa strukturave efiçente kryesisht atyre të mbështetjes së operacioneve, e ngritja e disa të tjerave që ende deri sot, nuk e kanë të formuluar misionin dhe fushën e përgjegjësisë.

Shefi i Shtabi i Përgjithshëm është ai që duhet të drejtojë strukturën organizative më e lartë ushtarake në Forcat e Armatosura, strukturë e cila planifikon, dhe zhvillon komandim-kontrollin strategjik të Forcave të Armatosura, me komponentin tokësor, detar e ajror, si dhe strukturat e tjera mbështetëse, të afta për të plotësuar misionin e tyre kushtetues. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i cili është përgjegjës përpara Presidenti të Republikës, Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes për komandimin e Forcave te Armatosura, që prej nëntorit 2016-ës, nuk “ekziston”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i cili, drejton përgatitjen dhe gatishmerinë luftarake të Forcave të Armatosura, siguron plotësimin me personel ushtarak përmes stafit të integruar të mbrojtjes dhe Qendrës së Personel Rekrutimit si dhe merr drejtimin dhe organizimin e veprimeve ushtarake dhe joushtarake, që prej nëntorit 2016-ës, nuk “ekziston”.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i cili vepron si shtab i bashkuar i Forcave Tokësore, Detare, Ajrore dhe përgjigjet për përgatitjen dhe stërvitjen e përbashkët të të tre komponentëve për të gjitha detyrat e tyre, aktualisht nuk e ka drejtuesin e tij.

Funksioni që duhet të udhëheqë detyrat që kanë të bëjnë me përballimin e  kërcënimeve, rreziqeve, që prekin sigurinë në vend, programimin e mbrojtjes në mbështetje të misioneve, operacioneve, trajnimit, stërvitjes, mbështetjen logjistike, hartimin e kërkesave për zhvillimin dhe pajisjen e tri shërbimeve të Forcave të Armatosura, etj, aktualisht është bosh.

Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë të cilat, sigurojnë pavarësinë e vendit, si dhe mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin e tij kushtetues në Republikën e Shqipërisë,  ruajajtëse të pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit, në bashkëveprim me forcat aleate, mbrojtëse dhe mbështetëse të popullsisë në kohë paqeje, krize e lufte, kontribuese për mbrojtjen kolektive, në kuadër të nenit 5, të Traktatit të Uashingtonit, u duhet roli i padiskutueshëm i funksionit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.