Këshilltarë, refuzoni rritjen e çmimit të ujit në Tiranë

Kryesore Politika

ZGJIDHJA kundërshton me forcë planin e “Rilindjes” për të rritur në mënyrë drastike çmimin e ujit në Tiranë. Ashtu siç bënë me çmimin e biletës së transportit urban, shtimin e shumë taksave të reja e të “çuditshme”, Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë vendosur të rrisin edhe çmimin e ujit, sërish sipas praktikës së faktit të kryer.

Tarifat fikse mujore dyfishohen për të gjithë klientët familjarë dhe të tjerë. Në të njëjtën kohë familjarët, bizneset e vogla dhe të mesme dhe furrat e bukës do paguajnë një çmim 50 % më të lartë se çmimi i sotëm për çdo metër kub ujë.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës (UKT) vidhet e plaçkitet çdo ditë dhe administrohet nga një bandë kusarësh të “Rilindjes”. Kjo ndërmarrje faturon vetëm 20 % të sasisë të ujit. Pjesa tjetër janë vjedhjet dhe humbjet teknike. Bizneset dhe konsumatorët më të mëdhenj të ujit në Tiranë, klientela e Veliajt dhe e Ramës paguajnë më pak nga sa paguan një familje që ushqehet me asistencë sociale dhe më pak nga sa paguan një pensionist. Populli i varfër i Tiranës duhet të paguajë për paaftësinë, për vjedhjet dhe abuzimet e pushtetarëve, për qokat e Ramës dhe Veliajt, për tenderat e klientëve të tyre.

UKT mund të katërfishojë të ardhurat vetëm duke përmirësuar menaxhimin dhe rrjetin. Por kjo qeveri e mbushur me tutkunë nuk ndjek rrugën e llogjikshme e në favor të qytetarëve, por shfrytëzon rastin ti mbysi ata në tarifa e fatura të reja. Sa më i shtypur e i varfër të jetë populli, aq më të lumtur janë pushtetarët, aq më i sigurt e jetëgjatë ndihet pushteti i tyre.

Përpara pak ditëve, Rama nxorri Veliajn dhe deklaroi fushatën për të kursyer ujin e pijshëm dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme. Por dardha e Ramës e ka si përherë bishtin prapa; synimi ka qenë rritja drastike e çmimit të ujit.

Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet ditën e mërkurë, për të miratuar tarifat e reja të ujit të pijshëm. “Rilindja” nuk e ka shumicën.

ZGJIDHJA i bën thirrje këshilltarëve të Tiranës, që të tregojnë se janë në anën e popullit të varfër dhe ta kundërshtojnë me vendosmëri dhe me forcë planin e Ramës dhe Veliajt. Pa votat e tyre, qeveria nuk mund ta vërë dot në zbatim, këtë barrë të re dhe të rëndë për qytetarët e Tiranës.

#ZGJIDHJApërPOPULLIN