Koço Kokëdhima : Lamtumirë Bajram Rexhepi, ndër të paktët politikanë me integritet të lartë

305

Sot u nda nga jeta pas një semundje të rëndë, një nga figurat politike dhe intelektuale më të spikatura të shtetit të ri të Kosovës.

Bajram Rexhepi do të mbahet mend jo vetëm si kryeministri i parë i shtetit të pavarur të Kosovës, por edhe si një qytetar me integritet të lartë, një shtetar i ndershëm dhe një mjek që ia kushtoi jetën profesionit të nderuar.

 

Ai për afro 40 vite nuk u ndal së punuari si kirurg, madje edhe në kohë lufte, ndërsa si kryeministër i parë i institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse udhëhoqi procese të rëndësishme politike, duke dhënë shembullin e njeriut, mjekut dhe politikanit të ndershëm, si pakkund në trevat shqiptare. Gjatë luftës me Serbinë më 1999-n, Rexhepi iu bashkua UÇK-së dhe kaloi tre muaj në male duke shërbyer si mjek në zonën operative të Shalës, ku kreu shumë operacione të rënda për luftëtarët e plagosur dhe banorët e sëmurë. Pas përfundimit të luftës, Rexhepi shërbeu si kryetar i këshillit bashkiak të Mitrovicës dhe kryetar i pjesës së jugut të qytetit të ndarë. Ai gjithashtu ishte dhe kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në qytetin e tij.

Më 4 mars të vitit 2002, pas tre muaj bisedimesh me ndërmjetësimin e ish-kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës, Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si kryeministrin e parë të Kosovës, ndërsa Ibrahim Rugova ishte zgjedhur president. Gjatë periudhës 2010-2014 Rexhepi ishte ministër i Brendshëm i Kosovës dhe pas kësaj ai u tërhoq nga politika duke bërë një akt që e nderoi në sytë e gjithë shqiptarëve dhe e veçoi nga kjo klasë politike që politikën e shohin vetem si biznes dhe mjet pasurimi. Ai u rikthye në qytetin e lindjes, në Mitrovicë, dhe veshi bluzën e bardhë të mjekut në shërbim të qytetarëve, një akt ky që politikanët tanë as nuk e mendojnë, por përkundrazi e tallin dhe përbuzin, duke harruar se tashmë të përbuzur janë ata. Qytetarët e Shqipërisë mund ta kenë rastisur Rexhepin në kohën kur ishte shtetar i Kosovës dhe vinte për pushime në bregdetin shqiptar, me makinën e tij të vjetër familjare, në një kohë kur politikanët shqiptarë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni nuk e fshehin dot luksin e krijuar nga postet shtetërore.

ZGJIDHJA ngushëllon familjen Rexhepi, bashkëshorten Shpresa dhe vajzën Vanesa, të afërmit dhe popullin e Kosovës për këtë humbje të madhe e të parakohshme!