Koço Kokëdhima: Stop koncesionit të ri të analizave shëndetësore

Kryesore Politika

Themeluesi dhe drejtuesi i lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima, ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë. Kokëdhima thekson se Rama i ka dhuruar në mënyrë antiligjore miqve të tij një koncesion 100 milionë dollarë për analizat mjekësore të njerëzve më të varfër të këtij vendi. Më tej drejtuesi i “Zgjidhjes” shprehet se kryeministri kaloi caqet e paturpësisë dhe talljes me popullin në momentin që kërcënoi me burg çdo qytetar që shkon në manifestimet e opozitës.

Kokëdhima thekson se Rama i ka dhuruar në mënyrë antiligjore miqve të tij një koncesion 100 milionë dollarë për analizat mjekësore të njerëzve më të varfër të këtij vendi.

Më tej drejtuesi i “Zgjidhjes” shprehet se kryeministri kaloi caqet e paturpësisë dhe talljes me popullin në momentin që kërcënoi me burg çdo qytetar që shkon në manifestimet e opozitës.

Reagimi i plotë

Kryeministri i kaloi edhe një herë caqet e paturpësisë dhe të talljes me popullin tonë. Në momentin kur ai kërcënon me burg çdo qytetar që shkon në manifestimet e opozitës, Rama, pa pikën e turpit dhe në mënyrë antiligjore u dhuron miqve të tij një koncesion 100 milionë dollarë për analizat mjekësore të njerëzve më të varfër të këtij vendi. Unë e denoncoj me rreptësinë më të madhe këtë maskaradë që konsiston të nxjerrësh dhjamë nga shtresat më në nevojë që s’kanë se ku t’i bëjnë analizat veçse në shtet. Edhe në spitale tona shtetërore, aty ku laboratorët e analizave që do mbyllen punësojnë personel mjekësor në shërbim të popullit, kryeministri gjeti mënyrën më të keqe për të bërë para për grupet private të biznesit. Nuk janë vetëm 100 milionë dollarë të popullit që fluturojnë, por janë po ashtu dhe me dhjetëra e qindra gra e burra që punojnë në këta laboratorë publikë që do hidhen në rrugë. Jetët e tyre vlejnë shumë më shumë se fitimet e miqve të Edi Ramës.

ZGJIDHJA i thotë stop këtij mercenari të interesave private. Kjo nuk është e majta për të cilën duam të luftojmë dhe për të cilën unë militoj prej vitesh. Kjo nuk është Partia Socialiste që e ndihmova me gjithë forcën e idealeve të mia që të vinte në pushtet në 2013 për t’u vënë në shërbim të njerëzve dhe jo të organizatave fitimprurëse. Kjo është plaçkitje e vendit. Nuk kam tjetër fjalë për të karakterizuar koncesionin e ri të dhënë dje, 100 milionë dollarë për analizat jetike shëndetësore të njerëzve. I gjithë buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë nuk i kalon 30 milionë dollarë. Dhe Rama me një të rënë të lapsit i jep mbi trefishin e kësaj shumë vetëm një kompanie private që e ka kapitalin 100 mijë lekë. Në katër vjet mandat, vetëm në fushën e shëndetësisë ky është koncesioni i katërt shumë milionë dollarësh pas atyre të “check up”-it, të hemodializës dhe sterilizimit të pajisjeve mjekësore.

Tani Edi Ramës i ka mbetur që të japë me koncesion vetëm komisionet e qendrave të votimit. Këto koncesione po i pijnë gjakun këtij vendi! Përfitoj nga rasti për t’i siguruar personelet e laboratorëve publikë të analizave mjekësore se lëvizja ZGJIDHJA është dhe do të mbetet totalisht në krah të tyre dhe në mbrojtje të laboratorëve që janë dhe do të mbeten pronë e popullit shqiptar. Këta laboratorë do të duhej t’i merrnin ato 100 milionë dollarë që kryeministri do t’ua japë miqve të tij. Me këto para duhej të modernizoheshin dhe mirëadministroheshin laboratorët e shtetit. Por kjo qeveri e mbushur me tutkunë nuk është në gjendje dhe nuk di të zhvillojë dhe menaxhojë pronën publike.