Koço Kokëdhima: ZGJIDHJA po përgatitet për zgjedhjet vendore, te ne njerëzit më të ndershëm

Kryesore Politika

Kryetari i partisë ZGJIDHJA Koço Kokëdhima është shprehur se subjekti politik që udhëheq është duke u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ai tha se kandidatët e partisë ZGJIDHJA do të përzgjidhen përmes primareve. Kokëdhima u shpreh se ZGJIDHJA qëndron pranë qytetarëve të thjeshtë e të zakonshëm të vendit, te ata që janë më të ndershëm.

“Të dashur pjesëmarrës! Sot ne morëm disa vendime shumë të rëndësishme dhe miratuam disa rezoluta. Një rezolutë e posaçme u dedikohet ushtarakëve të vendit. Zgjidhja do të mbrojë e përfaqësojë pa rezerva interesat ligjore dhe të drejtat e ushtarakëve veteranë, në rezervë, në pension të parakohshëm, në lirim, në pension të plotë dhe në shërbim. Ushtarakët janë patriotë, njerëz që kanë bërë e bëjnë sakrifica të mëdha për atdheun, janë të gatshëm në çdo kohë të japin jetën për të, qytetarë shembullorë dhe familjarë të devotshëm. Ata janë një shtresë e pavlerësuar dhe e injoruar nga qeveritë e të dy krahëve politikë. Partitë janë përpjekur t’i përçajnë dhe t’i përdorin ushtarakët. Ne mbështesim grupin nismëtar për zhvillimin e Kuvendit Kombëtar të Shoqatës së Unifikuar të tyre dhe të gjitha kërkesat e drejta të këtij grupi interesi siç parashikohen në rezolutën që miratuam në seancën e parë të këtij forumi kombëtar.

Unë jam shumë i lumtur që sot do të shpërndajmë kartat e para të anëtarësisë së Zgjidhjes. I ftoj këtu në podium këta anëtarë. Ejani ju lutem. Zini vend pranë meje. Vëllezër dhe motra! Ne na presin sfida dhe zhvillime të mëdha. Besimi tek kauzat e lirisë është vendimtar për suksesin e luftës sonë. Zgjidhja do të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme vendore. Të gjithë kandidatët për këshilltarë dhe kryetarë të bashkive do të zgjidhen me primare mikse nga anëtarësia e partisë dhe nga qytetarët e thjeshtë të vendit. Nënkryetari i partisë sonë, Ted Nasto, ka bërë një punë shumë të mirë për ta përgatitur partinë për zgjedhjet vendore. Kjo u konkretizua edhe në rezolutat dhe vendimet që ju miratuat. Edhe votimi nga ana juaj sot i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Zgjidhjes (KQZZ) është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne. Kryetarja e këtij komisioni, Samidie Brija, është një juriste e zonja dhe një veprimtare e shquar politike. Ajo është kryetarja e parë e Zgjidhjes për Bashkinë e Tiranës. KQZZ do organizojë e drejtojë primaret e mbyllura për zgjedhjet në parti dhe primaret mikse për hartimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet vendore dhe ato legjislative.

Komisioni i Garancive Statutore të Zgjidhjes (KGSZ) që ju zgjodhët sot është një zhvillim i shënuar në jetën e partisë tonë. Ky komision është i ngarkuar që të ruajë besimin e lartë të anëtarëve të Zgjidhjes te kultura, misioni, kauzat dhe vizioni i partisë tonë. Kjo gjykatë duhet të mbrojë të drejtat e anëtarësisë së thjeshtë dhe militantëve të bazës nga kryetari dhe nga drejtuesit e lartë të partisë. Kryetari i KGSZ-së, Erdi Kuka dhe anëtarët e këtij komisioni janë juristë dhe veprimtarë të shkëlqyer të Zgjidhjes. Zgjidhja do jetë gjithmonë një parti politike moderne, në shërbim të popullit dhe të forcimit të shtetit tonë. Do t’i luftojmë partitë e oligarkisë së korrupsionit, do t’i mundim dhe do t’i largojmë nga pushteti partitë e kryetarëve. Dëshiroj t’u vë në dukje se Zgjidhja kërkon nga gjithë anëtarësia e saj të ketë dhe të zhvillojë kulturën e marrjes së përgjegjësisë.

Ne presim dhe kërkojmë që anëtarët e Zgjidhjes të përfshihen me ambicie dhe kurajo në garat që do zhvillojmë përmes primareve mikse për t’u zgjedhur kandidatë për këshilltarë dhe kryetarë bashkie. Ne ftojmë të gjithë qytetarët e devotshëm që luftojnë për një Shqipëri më të mirë, që të bashkohen me Zgjidhjen, me programin e saj dhe të konkurrojnë për të drejtuar pushtetin e ardhshëm vendor. Kriteret dhe periudhën e regjistrimit si dhe informacionet e tjera që ju nevojiten, i lexoni ju lutem në website-n e Zgjidhjes, ëëë.zgjidhja.al. E shtuna e sotme e parë pas fitores së bujshme të Rilindjes dhe për korrikun e nxehtë të vitit 2017 dukej si dita më e papërshtatshme për këtë forum, sipas mendimit të disa shokëve tanë. Por nuk rezultoi kështu. Mos u trembni nga pushteti abuziv. Ne jemi në tokën tonë. Jemi në shtëpinë tonë! Fuqia është tek populli i heshtur, i lodhur dhe i zhgënjyer. Ne do e zgjojmë këtë energji përvëluese për mëkatarët e pushtetit. Këta kanë arsye të tremben sepse e kanë lepurin në bark! Ja sa bukur shkoi ky takim sot. Me gjithë këtë entuziazëm, besim dhe forcë! Po kaq bukur do e kalojmë edhe një kokteil në vend të drekës me të gjithë juve së bashku, në Hotel Tirana, sot në orën 14. Me këtë rast do shikojmë edhe punimet e shumë përfolura në sheshin “Skënderbej”.

Rroftë Shqipëria!

Rroftë Zgjidhja!

Rroftë mbledhja e parë e Forumit Kombëtar të Politikave të Zgjidhjes!

Përpara se të filloj të shpërndaj kartat e para të anëtarësisë, ftoj këtu në krahun tim të majtë panelin e drejtimit të punimeve të këtij forumi, t’i nderojmë së bashku anëtarët e parë të Zgjidhjes.

Më lejoni miq të dashur tani t’i mbyll punimet e kësaj mbledhjeje! Ju faleminderit! Shumë faleminderit!  Rroftë Zgjidhja!”, tha Koço Kokëdhima.