Kokëdhima denoncon manipulimet në zgjedhje: Prokuroria të hapë kutitë e votimit

Aktualitet

Kryetari i Partisë Zgjidhja Koço Kokëdhima denoncoi sot përmes një konference për shtyp manipulimet për zgjedhjet e 25 qershorit.

Duke iu referuar rezultateve të rinumërimit në Tiranë, Kokëdhima shprehet se duke marrë parasysh batërdinë në kryeqytet, masakra elektorale në qarqet e tjera ka qenë edhe më e rëndë.

“I kërkoj Prokurorisë së shtetit të hapi gjithë kutitë dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë kriminelët që kanë vënë dorë mbi votën e popullit në 25 qershor”, thekson Kokëdhima në fjalën e tij.

Deklaratë për shtyp e partisë Zgjidhja

Në 64 kuti votimi të hapura dhe të rinumëruara, vetëm 7 kuti rezultuan me të dhëna të sakta, ndërsa në 57 të tjera, gjithçka ishte manipuluar. Nga rinumërimi rezultoi se Partia Socialiste kishte përfituar 85 vota, Partia Demokratike 77 vota, LSI 80 vota, PDIU-ja 52 vota etj.

Edhe në këto zgjedhje, si në çdo palë zgjedhje të tjera, ku votat e të gjitha partive i numërojnë dy partitë e mëdha, votat e partive të vogla që nuk kanë patur as komisionerë dhe as numërues janë tjetërsuar për llogari të partive të tjera. Drama me votat është zbuluar pjesërisht, sepse u hap dhe u rinumërua vetëm një pjesë e vogël e tyre në Tiranë. Imagjinoni se çfarë batërdie është bërë me këto vota në gjithë qarkun e Tiranës, apo më keq imagjinoni se çfarë masakre elektorale është bërë në qarqet e tjera të Shqipërisë, ku ka patur edhe një prani shumë të ulët të vëzhguesve të huaj dhe vendas dhe ku votat e të gjitha partive kanë qenë në duart e komisionerëve të partive të mëdha dhe të administratës shtetërore .

Zgjidhja e kishte parashikuar këtë skenar ogurzi dhe të përsëritur prej dy dekadash në zgjedhjet shqiptare.

Zgjidhja kishte shumë të drejtë që ftoi të gjitha partitë e tjera që të mos marrin pjesë në zgjedhjet pa reformë zgjedhore dhe në zgjedhjet ku votën e numëron Rilindja dhe PD-ja. Zgjidhja do të kërkojë me ngulm që Shqipëria të mos shkojë më në asnjë palë zgjedhje, qofshin vendore, apo të përgjithshme, me këtë sistem dhe infrastrukturë zgjedhore. Ajo do të jetë në krye të betejës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për votim dhe numërim elektronik në qendrat e votimit, për një administratë zgjedhore shtetërore të depolitizuar.

Rames dhe Bashës u bëj këtë pyetje: pse i keni vjedhur me komisionerët tuaj zgjedhjet e 25 Qershorit? Ata që certifikojne zgjedhjet, partnerët tanë ndërkombëtarë mbyllin sytë për çfarë ndodh në Shqipëri në emër të stabilitetit. Ata mbyllën sytë për drogën. Vazhdojnë të mbyllin sytë për blerjen dhe vjedhjen e zgjedhjeve. Duam të besojmë se këtë e bëjnë vetëm në emër të stabilitetit. Ne e vëmë në dyshim këtë. Edhe sikur të jetë vetëm kështu ka ardhur koha ta kuptojnë të gjithë se duke sakrifikuar demokracinë dhe zgjedhjet e lira jemi duke hedhur në erë edhe vetë stabilitetin dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë!

Ne nuk do e lejojmë këtë situatë që të vazhdojë. U them kryetarëve të partive që vjedhin sistematikisht Shqipërinë dhe zgjedhjet se nuk kanë parë dhe as nuk e kanë menduar reagimin e popullit tonë që po vjen. Në axhendën politike të Shqiperise s’ka asgjë më urgjente se pastrimi dhe reformimi përfundimtar i zgjedhjeve dhe liberalizimi i konkurencës politike. Zgjidhja fton të gjitha forcat e interesuara për çlirimin e zgjedhjeve dhe të Shqipërisë nga kusarët e tranzicionit dhe nga kjo elitë politike që e ka mbaruar misionin e saj! I kërkoj Prokurorisë së Shtetit që të hapë gjithë kutitë dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë kriminelët që kanë vënë dorë mbi votën e popullit në 25 qershor!