Kokëdhima: Ja kujt i shërbeu pakti Rama-Basha

Kryesore Politika

Kreu i “ZGJIDHJA” akuzon në mënyrë të direkte dy partitë PS dhe PD si shkatërruese të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

E sigurt është se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë shkatërruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. E sigurt është se po këto dy parti kanë ndërtuar “Republikën e Vjetër” me gjithë të zezat që hoqi dhe që i vuan edhe sot populli shqiptar prej saj. E sigurt është se Basha dështoi në përpjekjet e tij për ta çuar vendin në zgjedhje me standarde në vitin 2017.

E sigurt është edhe se marrëveshja e 18 majit nuk u shërbeu zgjedhjeve të lira, nuk i shërbeu Shqipërisë. Marrëveshja e 18 majit i shërbeu vetëm Rilindjes dhe PD-së. “Republika e Re” u sakrifikua nga Basha qoftë edhe përkohësisht, për interes të PD-së. Pavarësisht kësaj, protesta e opozitës ne na ndihmoi për të ndërgjegjësuar opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar rreth problemeve të rënda që ka Shqipëria, sistemi i saj politik e kushtetues në përgjithësi dhe ai elektoral në veçanti.

Zgjidhja ka qenë plotësisht e qartë dhe me gjykime të kthjellëta. Çfarë ka paralajmëruar Zgjidhja, koha i ka vërtetuar plotësisht. Ajo ka mbajtur qëndrimet më të qarta, konseguente, parimore dhe në përputhje të plotë me interesat e popullit dhe të shtetit shqiptar. Zgjidhja paralajmëroi se zgjedhjet e 18 qershorit nuk mund të bëhen pa opozitën, ashtu siç theksoi se zgjedhjet e 25 qershorit do të bliheshin nga paratë e drogës dhe krimit. Zgjidhja deklaroi se PD-ja dhe Rilindja nuk mund të organizojnë zgjedhje me standarde”, theksoi Kokëdhima në fjalën e tij.