Kokëdhima takon Bashën: Të kapërcejmë krizën përmes dialogut

Politika

Kreu i lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka takuar  kreun e PD, Lulzim Basha. Në përfundim të takimit, Kokëdhima sqaroi se u diskutua për krizën politike dhe për mënyrën e dialogut për të shmangur këtë krizë.

“Biseduam rreth situatës politike në vend, diskutuam për krizën, dhe për nevojën që kjo krizë të kapërcehet, për efektet negative të kësaj krizë nëse ajo vazhdon sepse pa dyshim që kjo krizë ka ndikim në ekonomi, duhet që përmes dialogut të kapërcehet. Palët duhet të diskutojnë për këtë çështje. Diskutuam për nevojën e standardeve të zgjedhjeve të lira, për reformën zgjedhore që duhet t’i japë një zgjidhje përfundimtare në Shqipëri. Reforma zgjedhore është e pashmangshme dhe duhet të bëjë të mundur që  në Shqipëri nuk duhet të prodhohen më zgjedhje me standarde dyshimta, por zgjedhje të lira dhe të ndershme si të gjithë vendet e tjera.  Kemi diskutuar edhe rreth nevojës së demokratizimit të partive politike, nevojës së instalimit të primareve me ligj që përfaqësuesit të zgjidhen nga populli dhe jo siç ndodh sot nga kryetarët e partive dhe nevojën që partitë politike të kapërcehen situatën e bashkësive parapolitike në të cilën ndodhen sot dhe të kthehen në parti me standard larta siç është e mira e vendit dhe e demokracisë sot”, tha Kokëdhima.

Takimi është paracaktuar të zhvillohet në orën 15:00 në një nga hotelet pranë vendit ku është ngritur çadra e protestës së opozitës. Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht për mundësinë e gjetjes së një dialogu mes palëve politike. Të hënën e 10 prillit skadon afati për regjistrimin në KQZ të partive për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.

Partitë opozitare ende nuk janë regjistruar ndërkohë mes Ramës e Bashës nuk është caktuar ende një vend takimi apo orë. Opozita vijon protestat duke këmbëngulur për qeveri teknike që do të çojë vendin në zgjedhje të lira e demokratike.