Konfliktet: Në 24 vite 8144 viktima, nga një i vrarë çdo ditë

418

pronat ne focus-1Në harkun kohor të 24 viteve numërohen 8144 persona të vrarë për çështje pronësie. Të dhënat bëhen të ditura për ‘Javanews’ nga një raport konfidencial i policisë dhe i Ministrisë së Drejtësisë mbi të dhënat për natyrën e krimeve të zbardhura dhe dënimet penale të dhëna për krime të kryera me motiv pronësinë.

Ajo që bie në sy në këtë raport është fakti se shkalla më e madhe vrasjeve me motiv pronësinë është në fshatra me 4979 të vrarë, ndërsa në qytete numëri i vrasjeve me motiv pronësinë është në shifrat e 3165 personave.

Më shumë se një i vrarë në ditë. Të dhëna tronditëse që zbulojnë një realitet mjaft të ashpër. Ky raport konstatues me vlera statistikore nxjerr në pah faktin se problematika e pronave vijon të jetë kryefjala e një serie zinxhir problemesh me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare.

Ato fillojnë që nga kuadri legjislativ, shkelja e Kushtetutës, shkelja e të drejtave të njeriut, zaptimi në mënyrë të dhunshme e mbajtja me forcë e këtyre pronave, konfliktet e rënda sociale brenda dhe jashtë familjeve shqiptare, dobësitë reaguese dhe ligjzbatuese të shtetit, duke krijuar qartazi idenë se prona nuk shkon më tek i zoti, por tek ai që është më i zoti.

Strasburgu ka rrëzuar 85% e vendimeve të Gjykatave shqiptare

Një fakt tjetër tronditës që del nga ky raport ka të bëjë me argumentin se Gjykata e Strasburgut, gjatë këtyre 15 viteve të fundit, për cështjet e ankimuara në dyert e saj nga shtetasit shqiptarë për pronën, ka gjetur shkelje në 85% të vendimeve të dhëna nga drejtësia shqiptare!! Vetëm 4% të këtyre vendimeve Strasburgu i ka vlerësuar si të drejta. Një bilanc ky shumë i hidhur për sistemin tonë të drejtësis në lidhje me pronën.

Autopsia

Raporti konfidencial konstaton se problematika e pronësis përfshin edhe mjaft aspekte të tjera si: neglizhencë nga vetë qytetarët në ndjekjen e proceseve të duhura; parregullsi dhe paqartësi dokumentacioni të lëshuara nga institucione të ndryshme; falsifikim të dokumentacioneve nga individë të caktuar, si edhe procedura burokratike të tejzgjatura. Por ajo që bie më shumë në sy është zaptimi i pronës në mënyrë ilegale.

Ky fenomen, konstatohet edhe në raport, është një nga arsyet më tipike nga ku krijohen konflikte që kanë shënuar edhe viktima të panumërta. Janë të shumta rastet ku një individ apo familje ka zaptuar prona në mënyrë ilegale dhe që nuk kanë asnjë dokument për të vërtetuar pronësinë. Shpesh këta individë parqesin një dokument të lëshuar nga kryeplaku i zonës, duke mos lejuar pronarin e vërtetë të gëzojë pronën e tij, edhe në rastet kur ai ka certifikatën e pronësis.

Po përse kemi mbërritur në këtë pikë? Përse gjithnjë e më shumë shqiptarët po i drejtohen Gjykatës së Strasburgut? Përse prona vijon të jetë një pazar politiko-elektoral dhe jo një e drejtë ligjore? Cilat janë pasojat sociale, por edhe ekonomike lidhur me këtë cështje? Janë një numër pikëpyetjesh që ngrihen për këtë çështje. Të cilat, ndonëse thuajse të gjithë ua dimë përgjigjet, vijojmë sërish ti bëjmë.

Pronat, detyrat për qeverinë të lëna nga Gjykata Strasburgut

Hartimi i një liste të vendimeve përfundimtare gjyqësore që njohin, kthejnë dhe kompensojnë të drejtën e pronës ish-pronarëve;
Miratimi i hartës së vlerës së pronës;

Përgatitja e faturës financiare të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave;
Krijimi i një mekanizmi efikas për ekzekutimin e të gjitha vendimeve përfundimtare që kthejnë dhe kompensojnë pronën.

burimi: voal