Kriminelët nuk vuajnë për viza…!

Opinion

Nga Arben Rrozhani  /

Dy zyrtarë holandezë kërkuan ndëshkim kolektiv të shtetasve shqiptarë duke iu hequr mundësinë lëvizjes së lirë në zonën Shengen, të fituar më 2010, për shkak se shqiptarët janë bërë problem i policisë dhe drejtësisë holandeze, me krimet e tyre të dhunshme, sidomos në trafikimin e drogërave.

Pohimet e drejtuesit të policisë dhe atij të prokurorisë holandeze u shpërndanë me shpejtësi në Shqipëri, dy ditët e fundit, duke u bërë kalë beteje i kundërshtarëve të qeverisë shqiptare.

Parë nga ana statistikore, alarmi holandez duket i tepruar dhe një protagonizëm kundër të huajve të dy zyrtarëve të qeverisë së kryeministrit Mark Rutte, që fitoi zgjedhjet parlamentare kundër të djathtëve, pikërisht me frymën liberale dhe qëndrimin pro të huajve në vendin e tulipanëve. Holanda po vuan nga mungesa e kriminelëve. Dy muaj më parë qeveria kërkoi mbylljen edhe të 5 burgjeve të tjerë, pasi kishte mbyllur 9 të tillë në vitin 2013, sepse vendi nuk kishte mjaftueshëm kriminelë për të mbushur qelitë dhe ajo importoi 240 të burgosur nga Norvegjia vetëm për të mbajtur hapur burgjet. Aftësia e Holandës për të mbajtur nivelin e krimit aq të ulët, vjen falë ligjeve të drogës dhe një sistem monitorimi që i lejon të burgosurit të ribëhen pjesë e fuqisë punëtore. Nëse do të ishte kaq problem kriminaliteti shqiptar, burgjet e boshatisura do të ishin mbushur me shqiptarë.

Sipas një reportazhi të gazetës spanjolle “El Pais”, të një viti më parë, Holanda, dekada përpara se Shqipëria të dilte nga izolimi komunist, ka qenë qendra e shpërndarjes së drogës, ku ngarkesa të mëdha droge hyjnë çdo ditë në Portin e Rotterdam-it. Kontejnerët futen dhe shumë pak kontrollohen, ndërsa grupet që kontrollojnë trafikun e drogës janë dhe nga Turqia dhe Pakistani. Porti i Rotterdamit është ndër më të mëdhenjtë në Evropë, aty qarkullojnë çdo vit 400 milionë tonë mallra dhe vetëm 0.5% e ngarkesave arrin të kontrollohet. Bandat arrijnë të blejnë oficerët e portit duke bërë që të mos u kontrollojnë ngarkesat me mallra ku fshihen sasi të mëdha droge. Mafia ka arritur të depërtojë edhe në qeveri, siç ishte rasti i janarit të kaluar kur ministri i Drejtësisë, Ard Van der Steur dha dorëheqjen pas lajmit se i kishte dhënë një kompensim 2 milionë euro një trafikanti të dënuar për drogë.

Ndihma e Shqipërisë

Ndërsa shqetësimi holandez duket i tepruar, ndihma që i ka dhënë qeveria shqiptare sterrimit të imazhit të vendit dhe krimit të organizuar, sidomos në trafikun  e drogërave, është e paçmuar. Vendi është prej vitit 2016, hambari i kanabisit dhe nuk e ka lëshuar vendin pritës dhe tranzit të drogave të forta si kokaina dhe heroina. Kryeministri Rama deklaroi një vit më parë se Policia e Shtetit kishte asgjësuar rreth 98 për qind të sasisë së mbjellë me kanabis, por policia ka kapur disa qindra tonë, që përfaqëson vetëm një përqindje të vogël të drogës së prodhuar dhe që ka mundur të dalë jashtë kufijve të vendit, nga të gjitha rrugët e mundshme kufitare. Mafia shqiptare renditet në një vend modest krahasuar me homologet e saj nga rajoni, apo bota. Një studim i pak kohëve më parë për krimin e organizuar shqiptar tregonte se grupet kriminale shqiptare kanë marrë role drejtuese në trafikun e kokainës në BE dhe Shqipëria nuk shërben vetëm si pikë hyrëse, por edhe si depo magazinimi për drogën që trafikohet drejt Perëndimit.  Grupet kriminale shqiptare kanë vendosur lidhje të drejtpërdrejta me kartelet e trafikut të kokainës në Peru, Ekuador, Kolumbi dhe Meksikë.  Kokaina mbërrin në Shqipëri përmes tre rrugëve; nga portet e Spanjës dhe Holandës, nga vendet e BE-së për tregun e brendshëm dhe nga e njëjta rrugë si heroina, me bazë Turqinë dhe kalon përmes kufijve detarë të vendit, nën hundën e zyrtarëve të korruptuar të doganave.

Kriminelët nuk vuajnë për viza

Shqetësimi se bashkë me të thatin digjet edhe i njomi ka qenë i pranishëm në Shqipëri, prej vitit 2010 kur më së fundi shqiptarëve iu lejua lëvizja e lirë në hapësirën Shengen. Ndërsa qytetarët shqiptarë i shfrytëzuan lehtësitë për të takuar familjarët e tyre jashtë, pa kalvarin kohor dhe material të pajisjes me viza, kriminelët vijuan të qetë rrugëtimin e tyre. Ata kanë pasur viza prej gati dy dekadash, të ndihmuar nga industria e falsifikimit të dokumenteve të identifikimit, pasaportave dhe vizave të blera nga mafia e huaj. Rikthimi i sistemit të vizave nuk do ta cenonte lëvizjen e lirë të kriminelëve shqiptarë, por do të penalizonte një shumicë të gjerë dhe të pafajshme: rreth 2.9 milionë rezidentë në Shqipëri që kanë jashtë mbi 1.5 milionë të afërm jashtë kufijve.

Të dyshuar dhe të keqtrajtuar

Por nëse qeverisja e viteve të fundit ka qenë ndihmësja e madhe e krimit të organizuar brenda dhe jashtë kufijve, ajo e ka lënë jetim shtetasin e saj të ndershëm, që tashmë po keqtrajtohet, duke nisur që nga kufijtë e Shqipërisë dhe veçanërisht ato të vende të tjera. Shqiptarëve që shkojnë në SHBA, bie fjala, me tranzit në aeroportin e Romës, iu rezervohet një surprizë e hidhur ndërsa vrapojnë për të kapur avionin për matanë Atlantikut. Vetëm pasagjerët që kanë pasaporta shqiptare veçohen në një vend pas kontrollit të biletave të avionit. Aty i pyesin me radhë se kush u pret në tokën amerikane, kontrollojnë të dhëna, nuk pyesin nëse je vizitor i rregullt apo jo.

Me dhjetëra shtetas shqiptarë po kthehen në doganat shqiptare, sepse nuk plotësojnë kërkesat e shtuara nga ana e policisë kufitare. Masat janë të bazuara në kriteret e lëvizjes së lirë në zonën Shengen, por nuk janë aplikuar më parë. Shqiptarët po e shfrytëzojnë lëvizjen pa viza për të braktisur Shqipërinë ku nuk kanë më asnjë mundësi jetese. Shumica e të ikurve janë të rinj të pashpresë që largohen për në vendet e Europës Perëndimore, në kërkim të një pune. Kjo është vala e dytë e ikjeve pas asaj të vitit 2015, kur dhjetëra mijëra shtetas shqiptarë braktisën vendin. Ata po pranojnë jetesën në kampet e azilantëve në Gjermani, apo Francë, me shpresën se do të marrin leje qëndrimi dhe punësimi. Eksodi më i padukshëm është ai i trurit që po vijon pa zhurmë, duke larguar nga vendi qindra profesionistë, veçanërisht mjekë, stomatologë dhe infermierë, që vijojnë karrierën dhe jetën në Gjermani. Nëse alarmi i tepruar holandez nuk është i bindshëm për të rikthyer vizat për shqiptarët, kthimi i Shqipërisë në një tokë të pashpresë, ku secili vrapon për të ikur,  është një kambanë alarmi se vendit mund t’i rikthehen kufiziimet në lëvizjen e lirë. Atëherë, nëse vjen kjo ditë e errët, për qeverinë e Edi Ramës do të thuhet se veç kanabizimit, eksodit dhe mjerimit, ajo u bëri dhuratë edhe rikthimin e vizave, për të cilat kriminelët nuk kanë nevojë.