Kryetari i Federatës, vizitë zyrtare në Bruksel

582

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi ishte prezente në një sërë takimesh të dobishme për emigrantët, të zhvilluara në kryeqendrën e Europës. Konkretisht, nga dt. 19/3/2017 deri në dt. 22/3/2017 kryetari i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi zhvilloi një vizitë frytëdhënëse në Bruksel.

Kryetari i Federatës ishte pjese e delegacionit të madh nga Greqia, të Rrjetit të Ishujve të Vegjël, i përbërë nga kryetarë bashkish, n/kryetarë, përfaqësues të Prefekturave dhe zyrtarë të lartë grekë. Axhenda e ngjeshur përfshinte takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të Komisionit Europian, Komitetit Ekonomiko – Social, Komisonit të Prefekturave të BE-së, Qendrës së Kërkimit dhe Hartimit të Politikave Rajonale, Parlamentit Europian dhe ι eurodeputetë.

Axhenda e takimve filloi ditën e hënë me drejtorin e përgjithshëm të DG Regio të Komisionit Europian, të Politikave Rajonale dhe Urbane ku takimi zgjati 1:30 minuta. Më pas delegacioni vijoi takim me Komitetin Ekonomiko – Social të BE-së, President i të cilit ishte z. Jorgos Dassis, figurë e shquar që ka luftuar për të Drejtat e Njeriut, ish-pjesëtar i bordit drejtues të Konfederatës së Përgjithshme të Punëtorëve në Greqi (GSEE). Z. Dassis shtroi një drekë pune për të respektuar delegacionin e ardhur nga Greqia. Axhenda e ditës së hënë u mbyll me takim në CPMR/CRPM – Komisoni i Zonave Bregdetare dhe Ishujve të Bashkimit Europian.

Ditën e martë axhenda e takimve filloi me vizitën në Parlamentin Europian ku u mundësuan ndër të tjera dhe takimet me zv/kryetarin e Parlamentit Europian, kryetar i grupit të eurodeputetëve të Syriza në Parlamentin Europian z. Dhimitris Papadimoulis dhe me kryetarin e grupit të eurodeputetëve të Demokracisë së Re, z. Manolis Kefalogiannis.

Axhenda e takimeve të ditës së martë u mbyll me takimet në Komisonin e Prefekturave të Bashkimit Europian, Qendra e Kërkimit dhe Hartimit të Politikave Rajonale.

Në të gjitha takimet kryetari i Federatës pasi prezantoi Federatën, qëllimet, aktivitetin dhe arritjet e saj, si dhe theksoi rolin e rëndësishëm që luajnë emigrantët shqiptarë në shtetin helen, u shpreh se sot shqiptarët më shumë se kurrë janë shumë pranë ëndrrës së të tyre europiane. Ai u shpreh se shqiptarët sot më shumë se kurrë ndjehen qytetarë europianë, pasi janë bërë hapa të mëdha që edhe vendi ynë të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane. Gjithashtu duke jetuar në një shtet të BE-së, siç është Greqia, Komuniteti Shqiptar në Greqi ndjehet akoma dhe më i integruar. Por sigurisht që nuk mungojnë as problemet apo pengesat, shumica e të cilave të karakterit burrokratik që vështirësojnë të përditshmen e emigrantëve.

  1. Guri parashtroi disa nga problemet kryesore me të cilat ndeshen emigrantët shqiptarë në Greqi siç është ajo e ligjërimit ku aktualisht ka kaluar në plan të dytë, e drejta e votës dhe e zgjedhjes në zgjedhjet lokale, pensionet, të drejtat të barabarta në punësim etj. Gjithashtu kryetari i Federatës z. Etmond Guri në kuadrin e hartimit të politikave rajonale dhe jo vetëm të BE-së propozoi ndër të tjera:

– Krijimin e Këshillit Kombëtar të Emigrantëve në Greqi, ku rolin kryesor ta kenë emigrantët.

– Krijimin e Komisioneve Emigrante në të gjitha prefekturat e Greqisë, pranë Qendrave të Decentralizuara me përfaqësues, specialistë të fushave analoge nga përfaqësitë e ligjshme të Komuniteteve Emigrante.

– Shtimin e një shërbimi të posaçëm në KEP – Qendrat e Shërbimit të Qytetarëve ku emigrantët të informohen dhe të shërbehen në kohë, me qëllim që të reduktohet ndjeshëm burrokracia.

– Ndihmë ekonomike në fushën kulturës, kryesisht në ruajtjen e identitetit

Këto ishin disa nga pikat kryesore në diksutimin e z. Guri me përfaqësuesit e lartë të BE-së. Ai beson se takime të këtij niveli janë shumë të rëndësishme me qëllim që të parashtrohen problemet dhe zëri i emigrantëve të dëgjohet në instancat më të larta të Europës. Gjithashtu, z. Guri falënderon publikisht z. Eleftherios Kechagioglou, Presidnet i Rrjetit të Ishujve të Vegjël të Greqisë që bëri të mundur pjesëmarrjen e kryetarit të Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi në një takime të këtij niveli.

Me shpresë që kërkesat e emigrantëve të merren parasysh, Federata nuk do ta ndalë kurrë punën e saj për t’i shërbyer emigrantëve dhe njerezëve në nevojë si dhe do të vazhdojë kontaket e komunikimit me entet zyrtare të Shqipërisë, Greqisë dhe jo vetëm./focus news .al/