Ktheu ligjin në Kuvend, Presidenca i përgjigjet kritikave: Reagime emocionale dhe të pathelluara, i ftoj të gjithë…

Politika

Presidenti i Republikës, duke ndjekur reagimet politike pas publikimit të dekretit për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, shpreh keqardhjen për reagimet sipërfaqësore, emocionale e të pathelluara.

Presidenti i Republikës i fton të gjithë të shqetësuarit për ndërtimin e një teatri të ri të kenë durim e të lexojnë me objektivitet dekretin, të gjithë arsyetimin, argumentat dhe konstatimet ligjore të cilat bazohen vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë, konventat e marrëveshjet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë, detyrimet që lindin prej tyre dhe legjislacionin tonë në fuqi.

Dekreti i Presidentit të Republikës i mbështet argumentet vetëm mbi dokumentacionin zyrtar bashkëshoqërues të ardhur nga Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti i Republikës është i bindur se, nëse të gjithë do të udhëhiqen vetëm nga interesi kombëtar dhe publik, jo vetëm garantohet ruajtja e kompleksit teatror e restaurimi i tij si pjesë e trashëgimisë kombëtare, por edhe garantohet ndërtim i teatrit të ri në mënyrën më transparente e më të përgjegjshme, duke respektuar plotësisht legjislacionin aktual si dhe duke shmangur çdo konflikt artificial.

Me këtë rast Presidenti i Republikës fton të gjithë të interesuarit për zgjidhje të lexojnë me vëmendje në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës http://president.al/njoftim-per-media/ dekretin, arsyet e kthimi për rishqyrtim në Kuvend të këtij ligji.