Kundër fatit tragjik të mëndjeve të ndritura të Kombit

Kryesore Opinion

Sulejman Abazi  /  Në vijim të debatit “pro dhe kundër” të opsionit politik të akademik Rexhep Qosjes për “shkëmbimin e territoreve”. Pak gjëra do trajtohen këtu, i rezervuar për shkak të kaosit të mendimit në planin kombëtar, tendencave të qëllimëshme të shkatërrimit të mendimit, dhe të mosrespektimit të parimeve shkencore në politikë. 

Së pari:

Shkatërrimi i mendimit të çon në skllavëri. Nëse vazhdojmë kështu, nuk do të gjendet protezë që të zëvendësojë shpirtin e coptuar shqiptar dhe mendimin mbi analizën shkencore të së vërtetës, për atë që ka ndodhur në dy dekadat e fundit në trojet shqiptare. E keqja brenda nesh po na rrudh shpirtin, po na shteron fuqitë, po na fishk mendimin, po na e kthen mençurinë gjenetike në djallëzi. Ashtu si zjarri e ka të vështirë të ndizet pas fikjes me ujë, ashtu të gjithë ne kemi nevojë për një kovë me ujë të ftohtë në kokë, për të shuar mërinë dhe zëmërimin që ka shpërthyer brenda nesh, për shkak të filozofisë antishtetformuese dhe shkatërruese që po ushqejmë pa dashje në mënyrë primitive. Kush e ka shitur shpirtin e tij lirë, nuk i ka mbetur më asgjë në moral. Kjo kastë e krijuar në mënyrë dinake në kulisat e errëta të politikës, ka krijuar çoroditjen kombëatre dhe sociale, duke nxitur fenomene që nuk janë tipike për jetën shqiptare.

Reagimet kundër opsionit politik të akademik Qosjes për “shkëmbimin e territoreve” me Serbinë, ku ka parasysh tre komunat serbe ne veri të Mitrovicës, janë bërë nga akademikë, politikanë, analistë e deri tek njerëzit e thjeshtë, të cilët shfaqin atdhedashurinë e tyre, por duke mohuar atdhdashurinë e akademikut të nderuar, i cili ka kontribute reale në shkëncën shqiptare. Akademiku i nderuar e do shumë Shqipërinë dhe këtë e ka dëshmuar me pasurinë shkencore në autorësinë e tij.

Akademik Qosja asnjëherë nuk ka bërë retorikë për çështjen shqiptare për interesa vetjake, të nxitur nga shteti, apo për interesa të politikës së ditës. Iluzionet politike nuk janë pjesë e qëndrimeve të tij. Çdo herë i është përmbajtur të vërtetës, pa frikë dhe me guxim, duke qenë nga të paktët njerëz të profesoratit shqiptar që çështjen e ribashkimit kombëtar nuk e kanë quajtur më tabu, por një çështje të shtruar për zgjidhje.

Këtë e ka bërë edhe nën regjimin titist, duke mos i interesuar fati i tij vetjak, por çështja shqiptare. Ai nuk ka dashur të veprojë si një individ, por si një ndërgjegje kombëtare e shpallur botërisht.

Në kushtet kur Akademitë e Shkencave dhe të Arteve në Tiranë dhe në Prishtinë heshtin për çështje shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me ardhëmrinë tonë kombëtare, atëherë ai dhe të tjerë individualisht, duhet të ngrenë zërin e arësyes kundër mosdashjes historike dhe politike, që po shterojnë dhe shkatërrojnë energjitë kombëtare në drejtimin e gabuar. Ai nuk u frikësua asnjëherë për pasojat e rënda që mund të kishte nga ky qëndrim. Në 70 vjetorin e tij të lindjes, në një simpozium shkencor të organizuar nga Instituti Albanologjik në Prishtinë kam mbajtur një referat studimor, mbi kontributin e Akademik Qosjes në mbrojtje të interesave kombëtare. I përmbahem me skurpulozitet edhe sot atij studimi.

Pa u zgjatur, rekomandimin e akademik Qosjes e vlerësoj si një opsion politik të mundshëm, i cili nuk është vetëm në marrëdhëniet me Serbinë, por edhe më territoret shqiptare nën Malin e Zi dhe në retrospektivë edhe për fatin e shqiptarëve në IRMJ. Kuptueshmërinë e këtij rekomandimi nuk do ta trajtoj këtu me pluset dhe minuset që ka, pasi këtë e kamë bërë më herët, por do ta vlerësoja në këndvështrimin e ekzistencës së opsioneve politike dhe të vendimarrjes politike.

Nëse opsionet janë dhe duhet të jenë objekt i diskutimit akademik për rekomandime ndaj politikave zyrtare, e drejta e vendimarrjes në Ballkan, për shumë arësye nuk mund të jetë në dorë të shqiptarëve.

Përplasja e interesave gjestrategjike të SHBA-ve, BE-së dhe të Rusisë dhe interesat gjeopolitike të shteteve ballkanike që kanë probleme territorial dhe etnike me njeri tjetrin, janë të detyruara të respektojnë një lloj harmonie brenda kësaj vendimarrje, për të shkuar në zgjidhjet më të mira.

Akademik Qosje këtë “diktat politik” ndërkombëtar e di më mirë nga unë që trajtoj këtë çështje dhe për rrjedhojë, rekomandimi i tij hap “kutinë e Pandorës” në Ballkan.

Çështja shtrohet:

A e pranojnë këtë opsion politik të hedhur nga akademik Qosja fuqitë e mëdha dhe politikat tona zyrtare, që të ndërhyjnë për të shëruar plagët e Ballkanit?!

Në këtë çështje, opinion shqiptar shprehet “pro dhe kundër”. Ata që flasin kundër tij, kanë të drejtën e tyre, por opinionit shqiptar i intereson diçka tjetër më shumë se sa kaq.

Politikës shqiptare dhe shqiptarëve ju interesojnë rrugëzgjidhjet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, deri në plotësimin e aspiratës për ribashkim kombëtar. A kemi ne sot studime të tilla institucionale (jo individuale), që t’i qëndrojnë kohës? Po përballemi me disa “platforma” me autorësi të ndryshme individuale dhe nuk kemi një Stategji Kombëtare institucionale, qoftë dhe në sirtar. Ku është këtu kontributi real i Akademive dhe akademikëve, profesorëve, intelektualëve, politikanëve dhe veprimtarëve kombëtarë në këtë çështje?

Nëse nuk kanë opsione politike që rekomandojnë zgjidhje të tilla, atëherë është me e vlefshme heshtja.

Shkurt, varjantin e akademik Qosjes do ta vlerësoja si një opsion të mundshëm politik, i cili në ndonjë rast të krijimit kushteve dhe situatave të pritëshme, edhe kundër dëshirës së shqiptarëve,  mund të hidhet për diskutim në tavolinën politike të palëve për zgjidhje.

Atëherë, çfarë do të bëjmë ne, do të kërcëjmë përpjetë duke sharë, akuzuar dhe denigruar njeri tjetrin?

Arsyetimi dhe logjika duhet të orientohet në parapërgatitjen institucionale edhe për këtë varjant politik, nëse shtrohet për zgjidhje. Sot këtë nuk e kemi në tryezat e politikës tonë.

Për ta sfiduar robërinë dhe skllavërinë e mendimit, të diktuar dhe kontrolluar nga politika, akademik Qosja në veprimtarinë e tij shkencore, i është përmbajtur fjalëve të Rilindasve, të Frashërlinjve, të Ismail Qemalit, duke lënë pas një testament të shkruar për Çështjen Shqiptare të Unifikuar.

Për këtë akademik Qosjes i kanë kërkuar shpesh të heshtë, nga njerëz anonimë dhe publik, si nga Shqipëria dhe nga Kosova. Por ai nuk ka hështur, nuk hesht edhe sot, kundër asaj që dinë të bëjnë mirë disa të tjerë akademikë që bëhen palë me lloj lloj agresionesh, që vazhdojnë t’i bëhen sot çështjes shqiptare. Nuk është në zakonin tonë sharja, fyerja, denigrimi për mendjet e ndritura, përkundrazi.

Ajo që po ndodh sot me akademik Qosjen nga njerëz të papërgjegjëshëm, qofshin këta dhe njerëz publik me tituj, është refleksion i drejtëpërdrejtë i filozofisë vrasëse antishqiptare, të servirur nga guzhinat akademike të Serbisë. Ky është fati tragjik që ne u rezervojmë mendjeve të ndritura, për t’i rivlerësuar ata vetëm kur të ikin nga kjo jetë.

Së dyti :

Rreth e qark Ballkanit, qeveritë dhe njerëzit po presin të shikojnë se çdo të sjellë epoka e re e diplomacisë amerikane. Serbët e krahut të djathtë janë euforikë. Boshnjakët janë gjithashtu të shqetësuar për një riafrim të mundshëm me Rusinë, aleatin historik të serbëve në Ballkan. Në Republikën Srpska, Trumpin e vlerësojnë si një “President që mendon për të ardhmen” dhe që “nuk është skllav i politikës së paragjykimit”. Sipas tyre kjo me siguri do të sjellë heqjen e sanksioneve të Perëndimit kundrejt Rusisë për shkak të Krimesë. Grabar Kitaroviç paralajmëroi se “administrata Trump mund të mos e shohë Europën Juglindore apo Kroacinë si një prioritet për shkak se “këtu nuk ka luftëra apo trazira”. Zyrtarët e VMRO DPMNE në Maqedoni u joshën pasi sipas tyre, “presidenca e Trump do të sjellë një ndryshim të madh në politikën e SHBA-së ndaj Maqedonisë”. Ata akuzojnë miliarderin amerikan George Soros për “komplot kundër Maqedonisë dhe qeverisë maqedonase”. Gjithashtu Rumania është e shqetësuar nga deklaratat e Trump “që kanë vënë në pikëpyetje vlerat e NATO-s”, duke u përpjekur ta bindin SHBA-të se, “Rumania është një aleat i besueshëm”. Ka vlerësime edhe nga politikanët shqiptarë, por gjithësesi, nuk është ky objekti në këtë analizë. Shqiptarët e Kosovës besojnë gjithashtutë jenë miqtë më të mirë të Amerikës në Ballkan, dhe në këtë vështrim, devotshmëria e Kosovës për SHBA-të për shumë arësye, është e kuptueshme. Në këtë dilemë ballkanike, ajo që tërheq vëmendjen janë deklaratat e Trump për NATO-n dhe të Sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen mbi çështjen e Kosovës.

Në këto kushte të reja, ajo që na shqetëson më shumë ne shqiptarëve, janë pasojat ose përfitimet që mund të kemi nga ndryshimi i kësaj politike. Në asnjë rast këtë ndryshim nuk duhet ta shikojmë më mentalitetin fshatshe apo allashqiptarce. Ta kuptojmë se SHBA-ve sot ju duhet Bob Still në Kosovë, prania dhe dominimi në Ballkan. Bazat dhe prania ushtarake janë brenda koncepteve dhe interesave gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Në këtë situatë të re fjalën e ka gjeostrategjia dhe jo dalja e një individi në krye të SHBA-ve.

Pa e injoruar varjantin e akademik Qosjes, mund të parashtrojmë një varjant tjetër politik, në raport me zhvillimet e reja të mundëshme, për shkak të ndryshimeve që priten në politikën e jashtëme të SHBA-ve dhe të refleksioneve të saj në rajonin ballkanik. Rruga e ribashkimit kombëtar do të vijë nëpërmjet zgjidhjeve me karakter më të gjerë rajonal, jo vetëm për shkak të aspiratës shqiptare. Sot për sot që flitet shumë për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duhet pranuar se për shumë arësye ende nuk janë kushte të favorëshme për ta bërë këtë veprim. Të dy shtete nuk janë të përgatitur për të përballuar një proces të tillë. Nuk është gjithçka heqja e kufirit, por kthimi i këtij kufiri në një formalitet, duke ushqyer të gjithë elementët strategjik dhe thelbësor të integrimit mbarëshqiptar.

Më përpara se sa Kosova apo pjesë të tjera shqiptare t’i bashkohen trungut amë, do të duhet që të zgjidhin çështjen kombëtare brenda tyre. Kjo nuk shihet sot as në Kosovë e as tek shqiptarët në IRMJ.

Politika shqiptare në ardhmëri duhet të jetë e orientuar dhe me kurajo të hedh hapa të koordinuara brenda saj, për t’i hapur rrugën gradualisht unitetit dhe interesave kombëtare.

Çfarë bëhet sot konkretisht në Kosovë që në mënyrë institucionale të vërtetohet se “Pakua Antisari” e plotësoi misionin e saj?

Çfarë bëjnë institucionet e Kosovës që me këmëngulje të shtrijnë juridiksionin e tyre të kontrollit dhe të sigurisë brenda kufijve politikë të shtetit?

A ka kurajo politika në Kosovë të përcaktojë hapur qëndrimin e saj në raport me çeshtjen kombëtare?

Si e koncepton sot klasa politike në trojet shqiptare pa dallim, nevojën e koordinimit, mbështetjes dhe ndihmës reciproke në ruajtjen dhe respektimin e historisë, traditave, gjuhës, simboleve kombëtare, arsimit, shkencës, infrastrukturës, investimeve të përbashkëta në interest ë integrimit gjithkombëtar, që kufijtë politikë të jenë formal?

Sa është e angazhuar Shqipëria për të shfrytëzuar përparësitë e saj në të drejtën ndërkombëtare dhe si anëtare e NATO-s, që në trojet shqiptare të ndihet më shumë siguri dhe besim për shqiptarët qe jetojnë nën Serbi, IRMJ dhe Malin e Zi?

Këto dhe pyetje të tjera janë shumë thelbësore meritojnë diskutimin dhe vendimarrjen institucionale në planin e politikave të brendëshme mbarëshqiptare. Kush na pengon t’i bëjmë këto, kundër sherreve, diskriminimit dhe përçarjeve midis nesh?

Durimi në zhvillimin e politikave integruese mbarëshqiptare është sot shërbimi më i mirë që mund t’i bëjnë politikanët shqiptarë në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup, me perspektivën e Ribashkimit Kombëtar. Kjo kërkon një lloj strategjie me etapa, e cila e respektuar do të arrijë në një kohë të shkurtër paqen midis shqiptarëve, kundër agresionin ideologjik dhe filozofik që vazhdon të bëhet nga kundrshtarët tanë tradicional. Le t’i kuptojmë këto synime, ashtu thjeshtë, pa paragjykime, pa mëri, pa egoizëm, pa ndasi politike dhe krahinore, duke rritur atdhedashurinë mes nesh.

Është diçka pozitive të njohësh dhe të ushqesh atdhedashurinë në filozofinë kombëtare, por duhet të njohësh dhe respektosh parimet në gjeostrategji dhe gjeopolitikë. Ndërrimi i territoreve krijon precedent, pasi ka shumë raste të ngjajëshme në Europë. Nevoja e marrjes së vendimeve të reja, nuk mund ta injorojë këtë fakt. Për arësyet e saj, Rusia sot ka kundërshtime, por paralelisht ajo po tenton ta zgjasë sa më shumë agoninë e Serbisë. Në zhvillimet e pritëshme, gjasat janë që Serbia të rrudhet edhe më shumë.

Përvoja historike na ka mësuar që, oligarkët botërorë kur duan të ruajnë apo të prishin balancat ndërkombëtare, nuk kanë ngurruar t’i vënë zjarrin Ballkanit. Kjo është e provuar historikisht, duke e lënë këtë rajon ende një fuçi baruti. Ulja dhe ngritja çdo herë e tensioneve në këtë rajon, na bind se kjo filozofi funksionon edhe sot.

Në këtë çështje duhet të kuptojmë që, vendimarrës nuk jemi ne shqiptarët dhe nuk është kjo Shqipëria e Bashkuar që kërkon Rexhep Qosja. Nuk është faji i akademikut, as e atyre që e mbështesin apo kundërshtojnë atë. Faji qëndron tek klasa jonë politike, që sot nuk është në gjendje të shfrytëzojë erën politike që fryn nga politika botërore dhe në interes të çështjes shqiptare. Ndonjëherë e kemi të nevojëshme të mendojmë siç mendojnë edhe “Perënditë në Olimp”.

Është e vërtetë që, para të mëdhenjve ne ndihemi të vegjël dhe do të na duhet shumë miqësia me SHBA-të dhe BE-në, por problemet tona duhet t’i marrim dhe vlerësojnë ashtu siç na vijnë. Debatet midis nesh janë të nevojëshme për të gjithë opsionet e mundëshme në politikë që i shërbejnë çështjes tonë. Kjo që ndodh me “pro dhe kundër” ka si shkak kryesor paaftësinë e politikave shtetërore, të cilat ende janë të pazonjat të shfrytëzojnë erërat e reja politike që fryjnë në Ballkan. Sigurisht, ka rrugë më të mira, por edhe pse nuk janë tërësisht në dorën tonë, ne duhet t’u shërbejmë atyre në interesat tona.

Me zgjuarësi drejt interesit kombëtar, me llogari politike dhe ekonomike, me planifikim në faza zhvillimi, që nuk janë vetëm detyrimi ynë, por dhe i brezave, nëse diçka fillon, do të jemi vet ne ata që do të shtojmë energjitë pozitive për interesat tona. Nëse vazhdojmë kështu, të zvarritemi dhe vetëm të lëshojmë sharje kundër politikës tonë, në këtë kaos qe na ka përfshirë në planin kombëtar, atëhere edhe kjo klasë politike që kemi, me problemet e saj të shumta, do të vazhdojë të bëj dëme të mëdha, siç ka bërë deri më sot. A fitojmë ne vetëm më sharje dhe me zëmërimin tone, që nuk lëviz asnjë copë guri nga vendi?

Opsioni politik duhet parë me qetësi edhe në një këndvështrim tjetër. Në fakt, nëse kjo fillon me “këmbim territoresh”, atëherë shanset janë që politika ndërkombëtare vendimarrëse për Ballkanin të dështojë. Me sa duket, politikës ndërkombëtare i duhet akoma Kosova “multietnike” dhe “pakua e Antisarit” për pakicat serbe brenda saj. Kjo synon edhe mosshkeputjen e krahinës së Sanxhakut nga territori shqiptar dhe ruajtja e kordonit për mbrojtjen nga kërcënimi serb i Republikës së Malit të Zi. Me sa duket, në kushte të reja të politikës amerikane, loja mund të fillojë me Krimenë dhe Kosovën. Kjo do të sjellë reaksionin zinxhir për zgjidhje tërësore të kufijve politikë në Ballkan.

Ruajtja e kufijve të sotëm politik të Kosovës, sjell shkëputjen gjeografike të Serbisë me brendësinë e territoreve shqiptare. Ky qëndrim i politikës ndërkombëtare, tenton ta ruajë këtë gjendje akoma në tavolinat e bisedimeve dhe ta zvarrisin, deri sa të vijë koha dhe për të pritur momentin e duhur për veprim. Në këtë skemë përfshihet edhe situate në IRMJ, mundësia perspektive e të cilët nuk është ndarja, por shqiptarizimi.

Atëherë, pse nuk e hap rrugën Amerika për njohjen e mëtejëshme të Kosovës?

Pa shumë fjalë të tepërta, t’i biem në thelb problemit: Vetëm kur Serbia të pranohet në NATO dhe në BE, vetëm atëherë mund të hapet procesi i ndryshimeve të kufijve politikë në Ballkan, duke filluar me shpërbërjen e Bosnje Hercegovinës. Këto opsione politike të së ardhmes në Ballkanin Perëndimor, Vuçiç me siguri që i di, por me sa duket nuk i di mirë Daçiç dhe Nikoliç.

Vendimet për ndryshimet në Ballkan duhet të kënaqin të gjithë popujt dhe shtetet, përfshi edhe interesat e korridorit Turqi – Maqedoni – Kosovë – Sanxhak, ndryshe ai nuk do të funksionojë. Problem shtrohet vetëm si do të jetë roli i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor, përballë interesave dhe investimeve turke.

E bëmë këtë përmbledhje të shkurtër të opsioneve të mundëshme politike, për të kuptuar se dilemat mbeten të tilla dhe ende të mëdha, për sa kohë do të përballemi me qëndrime të zvarritura në politikën dhe diplomacinë e fuqive të mëdha, të cilat deri tani kanë dëshmuar përplasje në pleksjen e interesave të tyre në Ballkan.