“Kur flasin veprat” e poetit Sokrati T. Llambro

Letersi

sokrati-ne focus news-1 Hyqmet HASKO  /  I vetëpagëzuar me emrin artistik Sokrates, autori Sokrati T. Llambro sjell para lexuesit një poezi me tone të fuqishme liriko-filozofike, ku meditimi dhe abstragimi, nisur nga detaj dhe gjërat e thjeshtë në dukje, duket se është pjesë e konceptit të tij krijues.
Poeti sjell tonet e përmallshme të ikjes, mungesën si kategori filozofike e kthen në kumt poetic, sjell kufijtë e ëndrrave të mbetura në hije, vitet e humbura me vetmi dhe iluzione, me idhuj pa krena e delire pagane, trokitjet e dashurisë, idilet e mbetura në një të kaluar pa kthim, gjithçka që ka mbetur tek ai si kujtesë, mall, ndjesi, gjendje e mesazh për t’iu përcjellë të tjerëve.
“Kur flasin veprat” është përmbledhja e tij me poezi, Athens 2015, një sprovë e suksesshme ku duket një penë e hollë, një penë që ka se çfarë të thotë, që di si ta thotë dhe e thotë atë në mënyrën më të mirë të mundshme, me mjete të bollshme artistike dhe struktura moderne të vjershërimit.
Në fakt Sokrati T. Llambro nuk është vetëm poet me shije të hollë e perceptime krejt të veçanta të realiteteve që bën objekt të shqyrtimit të tij poetik, por dhe piktor, skulptor, kritik arti, me punime të shumta, unike në mënyrën se si ai e paraqit botën në art. Por ai është dhe një lexues shijehollë i klasikëve të filozofisë, shkencës, artit, estetikës, që e kanë ndihmuar për të depërtuar thellë në krijimtarinë e tij në shpirtin dhe mendjen e shijuesve të artit të tij.
Shqetësimet e poetit fokusohen në raportin e kahmotshëm filozofiko-etik mes fjalës dhe veprës, mes të thënës dhe të bërës, mes asaj që ikën si fllad dhe asaj që mbetet e patundur, si gur i rëndë themeli. Sepse, e para ishte fjala, ajo priu dhe ndërtoi vetë botën dhe u bë e pavdekshme nga veprat që e pasuan atë.
I lindur dhe i rritur pranë qytetit antik të Apollonisë, në atë djep ilirian ku historia dhe mitologjia, e kaluara e ndritur dhe e sotmja reflektive rrinë pranë e pranë, Sokrates e përcjell dhe këtë dimension të vetvetes, herë si mall, herë si mungesë, herë si krenari, herë si përsiatje kërkuese në terrnajat e kohës dhe zgafellat e historive të keqkuptuara.
Poeti shpesh aludon nëpërmjet objekteve statike si guri, rrufeja, prushi, fijet e barit etj për të na dhënë gjendje lëvizëse, shpërthyese, emocionale, me një simbolikë që ai e përdor për të krijuar lidhje të reja mes objekteve dhe reflektimeve ndjesore, emocionale rreth tyre.

Imazhet që na përfton poeti nga shkuarja deri thellë e përjetimeve dhe ndjesive të tij, na bëjnë poezinë e Sokrates të ngrohtë, të prekshme, por dhe të beftë e tronditëse në të njëjtën kohë. Ja si shkruan poeti midis të tjerash në poezinë “Vend i pa fat”:
Më kishte marrë malli për atë pak vend,
Ku dje më lindi e më bëri goxha burrë,
E gjeta përtokë, shtrirë, lëngonte rëndë,
Si një viktimë gjahu, vrarë me gurë…

Befasia që sjell vargu i Sokrates buron nga dy elementë: nga rikonfigurimi i imazhit si kujtesë dhe perceptim dhe nga strukturimi modern poetik, herë me varg të rregullt, të shtruar e të matur e herë me varg shpërthyes, jashtë skemave dhe shablloneve të njohura të procedimit poetik. Anekset, rrugicat e udhët nga vjen dhe frymon poezia janë të shumta e të larmishme, por të gjitha mblidhen në të njëjtin emërues të përbashkët, në atë të sendërtimit të atij pjalmi gjenetik, psikofilozofik, etik dhe mbi të gjitha estetik, që e nxjerr njeriun nga kufizimet e të qenit dikush i zakonshëm dhe e ul në fronin afër hyjnive. Këtë përjetim po e bluaja në mendje ndërsa lexoja poezitë e Sokrates, të shoqëruar me portrete të mrekullueshme pikturale, teksa gjurmoja atë plazmim estetik të dendur e të ngjeshur në përfytyrime, imazhe, mesazhe, tekst e nëntekst, që përftohet prej një leximi të kujdesshëm dhe përcillet vetëm nga poetë identikë me veten e tyre. Duke e thyer përditshmërinë në grimicime gjërash të prekshme, të imëta e konkrete, në enumeracione dhe gjendje të dyzuara emocionale, poeti e rindërton atë me anë të nëntekstit të fortë poetik, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse…
Sokrates është i natyrshëm në aktin e tij shkrimor; gjithashtu, duke e thyer shtratin e tradicionalizmit poetik, atë guvë burimore ku është folku, ai sjell zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga etnopsikika poetike kolektive, duke bërë qe me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese deri në dehje, të përcjell struktura të reja poetike.

Poeti e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është befasuese; duke sjellë ritme dhe melodi të hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete. Kjo shpalosje e poetit, sjell me vete një aromë të veçantë jete, si një kumt ndjellës drejt përsosmërisë shpirtërore, në kufijtë mes realitetit të rëndomtë që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë poetik. Poeti mbjellë kështu farë malli, klithme, ëndërrimi, humbje, ankthi, vetmie, trishtimi, brenge, iluzioni, vetmie, buzëqeshjesh, dhimbje, flirti; mbjell magjijimet e ditës dhe mëkatet e natës, shpalos një dimension të njohur e njëherësh të panjohur, si një ftesë për ta vizituar atë në çdo kohë…
Aventura poetike e Sokrates është një aventurë që shfaqet në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes së tij autentike, vetvetes estetike; në të njëjtën kohë, është një udhëtim historik, mitologjik, bashkëkohor, në thelbin e vetë kohës shqiptare. Afresku i gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të ridimensionuara në artin e shkrimit poetik, ideve dhe mesazheve, që na sjell ky poet, përfshin prirjet dhe tendencat më serioze të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e gjetjeve. Poeti “luan” me gjërat, në dukje, të imëta e të vogla, por që në fakt, përbëjnë përditshmërinë dhe raportet e tij me veteveten, me unin dhe jashtëunin, me ata që e rrethojnë, duke na sjellë kështu hapësira të ndjesive dhe përjetimeve, ku ajo gjen trajtat dhe modelet e procedimit modern të aktit të shkrimit të poezisë. Fryma e poezisë së tij është një frymë e gjallë jetësore, një natyrë kurajoze për t’i vështruar gjërat në sy dhe në thelbin e tyre filozofik, plot lëng dhe ngjyra të gjalla jete, ku përvijohet përvoja më e mirë e traditës poetike shqiptare, por dhe thyerjet e saj, moderniteti si një cilësi në rritje, sidomos në kohën tonë, kur nuk ka më pengesa jashtëletrare për shkrimin e poezisë së vërtetë.

Poeti shpalos në aktin e tij poetik një jetë në kërkim të vlerave dhe dimensioneve më të pastra e më të qashtra të qenies njerëzore, duke krijuar rrathë koncentrikë që priten në një pikë, në dashurinë e tij për të bukurën, për shpirtin e lirë dhe të dashuruar me dimesionet e gjithçkaje për të cilën ia vlen të jetohet e të sakrifikohet. Poeti ka në themel të aktit të tij poetik unin si protagonist lirik, marrëdhëniet e këtij uni me botën e jashtme që e rrethon, me kohën dhe bashkëkohësin, me problematikat sociale, etike dhe ekzistenciale, me të cilat ballafaqohet në rrugëtimin e tij poetiko-filozofiko-metafizik. Ndoshta e veçanta e artit poetik të Sokrates ka të bëjë me përjetimin e thellë që i bën gjendjes poetike, me llavën që i zien nga brenda dhe nuk mund ta lerë pa e nxjerrë jashtë, në sipërfaqe, në strofa dhe vargje të ndjerë, që bëhen mesazhierë të kredos së tij.

Ky ishte vetëm një vizatim i çastit për një poet me një profil tepër të detajuar si Sokrates, pasi poezia e tij meriton shqyrtime të kujdesshme, përqasje krahasuese e analiza më të holla, por në analizë të mbrame, mund të themi se tek ky poet shohim një autor jo vetëm të formuar plotësisht e me një profil krejt të vetin, por mund të themi me një zë të një shkollë poetike në shpërthim, duke na përcjellë vrullet dhe ritmet e botës shqiptare, me një lirizëm të thellë, të beftë, sugjestiv e tronditës.

 Tirana Observer